Kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu, Foto: KALLXO.com

Ruzhdi Shehu përballë premtimeve të tij në “Jeta në Komunë”

Me premtime për projekte të ndryshme duke nisur nga qasja e shtëpive të Junikut në sistemin e kanalizimit, ujë të pijes për lagjen “Agim Ramadani”, salla sportive, çerdhe, parqe, Ruzhdi Shehu mori votat dhe fitoi pozitën e të parit të Komunës së Junikut në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Në debatin “Jeta në Komunë” ai u përball pikërisht me këto premtime të cilat ai i kishte dhënë në kohë fushate, por edhe dy debatet që ishin mbajtur në vitin 2021 në “Jeta në Komunë”.

Krypometri gjeti se Komuna e Junikut nuk kishte ofruar shërbime psikologjike për të prekurit nga COVID-19 ashtu siç kishte premtuar Shehu, por sipas këtij të fundit, pasi nuk kanë pasur kërkesa të tilla për këtë çështje, kishin zhvilluar fushata sensibilizuese për vaksinim në atë kohë me vaksinën kundër COVID-19.

E një premtim tjetër të cilin Krypometri gjeti se e ka mbajtur Shehu ishte për të siguruar 24 orë punë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Për rrjetin e kanalizimit, Krypometri gjeti se projekti ende nuk ka përfunduar. Edhe komuna ka thënë se rrjeti primar i kanalizimit për zonën urbane është përfunduar në tërësi ndërsa rrjeti sekondar shtrihet në një pjesë të madhe të zonës urbane ndërsa jashtë zonës urbane mungon shtrirja e rrjetit primar dhe sekondar i kanalizimit.

As në këtë debat nuk mbeti pa u diskutuar çështja e ujit të pijshëm në lagjen “Agim Ramadani” në Junik. Ky problem sipas komunës është zgjidhur e sipas banorëve jo.

“Komuna në bashkëpunim me Hidrodrinin ka instaluar dy kroje alternative, në kohën kur ka probleme me ujësjellësin e lagjes, qytetarët furnizohen përmes këtyre dy krojeve alternative të kyçura në sistemin e ujësjellësit të qytetit” – thuhet në disa përgjigje që Komuna e Junikut i ka dërguar ekipit të KALLXO.com.

Xhevat Hykosmani, banor i lagjes “Agim Ramadani” ka thënë për ekipin e KALLXO.com se komuna ka vendosur dy kroje në lagje, njëri funksionon e tjetri jo.

“Deri sot hala nuk e ka rregullu, e ka qitë këtë krua këtu ka thënë që është lidhë me ujin e Junikut e ka kap hala me të lagjes, si të bjen shi apet trubullohet”- tha Hykosmani.

Shpetim Jasiqi, thotë se krojet janë ndërtuar nga vetë banorët e lagjes dhe jo nga komuna.

Për bursat për studentët, Krypometri gjeti se ka mbajtur premtimin kryetari Shehu mandje ka tejlakuar planin e bursave.

Në vitin 2022 janë ndarë 103 bursa me vlerë 25,700 euro, ndërsa në vitin 2023 janë ndarë 71 bursa në vlerë 28,100 euro.

Krypometri e gjeti pjesërisht të vërtetë  deklarimin e Shehut për emërimin e drejtorive. Nga 7 drejtori në Junik vetëm dy drejtoresha janë emëruar ndërsa premtimi ishte të jenë 30 për qind.

Kryetari Shehu kishte premtuar edhe një fushë të sportit dhe një palestër sportive.

Këto dy premtime ende nuk janë realizuar ndërsa komuna ka thënë se është bërë një kërkesë në nivelin qendror për mbështetje financiare për ndërtimin e fushës së futbollit, ndërsa në planifikimin e buxhetit është përfshirë edhe ndërtimi i fushës së sportit në oborrin e SHFMU E. Hoxha.

E për kullat, kryetari Shehu kishte premtuar se kanë paraparë restaurimin e kullave dhe objekteve të tjera të trashëgimisë kulturore dhe rehabilitimin e katër kullave të cilat e ruajnë akoma atë strukturën fizike të cilat janë të ndërtuara shekuj më parë.

E në këto tri vite mandat që nga marrja e mandatit pas fitores në zgjedhjet lokale të vitit 2021, asnjë kullë nuk është restauruar ndërsa Komuna e Junikut ka thënë se është bërë mirëmbajtja e kullave, Qendra Rajonale e Turizmit, Biblioteka e Qytetit, Valavica dhe Mulliri i Sallajve.

Një premtim i radhës është edhe ai për ndërtimin e parkut të inovacionit. As ky park nuk është ndërtuar ende ndërsa komuna ka thënë se janë në procedurë të shpronësimit të tokës nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Insfrastrukturës.