
Dezinsektimi hapesinor
Javën e ardhshme nis dezinsektimi në Prishtinë
Komuna e Prishtinës nga java e ardhme do fillojë me procesin e dezinsektimit hapësinor në kryeqytet.
Nënkryetari, Alban Zogaj është shprehur se reshjet e fundit kanë shkaktuar vonesa në nisje të këtij procesi.
“Prej javës së ardhshme fillojmë me dez-insektim! Shiu i këtyre javëve të fundit, na ka vonuar pak!”- është shprehur Zogaj.
Drejtori i Shëndetësisë në komunë, Izet Sadiku për KALLXO.com ka bërë të ditur zonat që do i nënshtrohen dezinsektimit.
“Do të trajtohet e tërë sipërfaqja e Prishtinës me të gjitha lagjet, para-lagjet dhe zonat e Prishtinës si dhe fshatrat: Bërnicë e Epërme, Bërnicë e Poshtme, Bardhosh, Besi, Vranidoll, Teneshdoll, Prugovc, Barilevë, Kolovica e re, Prishtina e re, Shkabaj, Hajvali ,Mramor, Rimanishtë”- ka thënë Sadiku.
Kontrata për kryerje të këtij shërbimi është nënshkruar në maj të vitti 2021 dhe ka afat 36 muaj.
Drejtori i Shëndetësisë ka potencuar se para fillimit të dezinsektimit njoftohen qytetarët, shoqata e bletarëve dhe kryetarët e bashkësive lokale.