Muharrem Svarqa, LDK. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ish-kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa kritikon qeverisjen e Agim Aliut

Ish-kryetari i Komunës së Ferizajt nga radhët e LDK-së, Muharrem Svarqa në debatin “Jeta në Komunë” ka kritikuar qeverisjen e Agim Aliut të PDK-së.

Svarqa tha se në këtë komunë nuk ka transparencë.

“Qytetarët e komunës së Ferizajt, asnjëherë nuk kanë qenë më të përjashtuar në vendimmarrje sesa gjatë mandatit të kryetarit Aliu”, theksoi ai.

Asamblisti i LDK-së foli edhe rreth projektit “Bashkimi i qytetit”.

“Ato janë vetëm disa nënkalime që për fat të keq në një mënyrë janë shndërruar në gropa kundërmuese të cilat e kanë degraduar zhvillimin afatgjatë të Ferizajt ndoshta për 100 vitet e ardhshme”, tha Svarqa.

Kurse, kryetari Agim Aliu theksoi se këto janë spekulime.

“Të vërtetat janë krejtësisht ndryshe. Transparenca është vlerësim i USAID-it dhe është vlerësim që është bërë kohëve të fundit dhe që jemi ndër komunat më transparente në rang të Republikës së Kosovës, jemi komuna e gjashtë”, tha ai.

I pari i Ferizajt theksoi se projekti “Bashkimi i qytetit” inkorporon shumë projekte për qytetin.