Ish-asamblisti i VV-së dhe PSD-së kalon në listën e Uran Ismailit

Ish-asamblisti nga radhët e Partisë Social Demokrate në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, Bashkim Beha do jetë pjesë e listës së kandidatit për kryetar nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili.

Kandidimin e tij për asamble të komunës në radhët e PDK-së, Beha e bëri të ditur përmes rrjetit Facebook.

Ai tha se falënderon zotin Ismaili për vlerësimin që ai të jetë i nominuar për asamblenë e Kuvendit Komunal.

“Shfrytëzoj rastin me ju njoftu që do të jem pjesë e ekipit të Uranit, kandidatit për Kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale 2021. Falënderoj Uranin për vlerësimin ndaj meje si karakter por edhe si profesionist, duke më nominuar kandidat për asamble në listën e tij”, ka thënë Beha.

Bashkim Beha ishte bërë pjesë e Kuvendit Komunal fillimisht si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Beha në vitin 2015 ka filluar angazhimin e tij në Ndërmarrjen Publike Banesore si Zyrtar Kryesor Financiar dhe i Thesarit.

Bashkim Beha është vëllai i Ruhan Behës, ish-kryeshef i Bordit të Ndërmarrjes Publike Lokale “Trafiku Urban”. Ky i fundit ishte arrestuar nga Policia e Kosovës në janar të vitit 2020 pasi ishte denoncuar nga kryeshefi i kësaj ndërmarrje, pasi siç ka thënë Lulzim Rexhepaj, Beha i kishte bërë presion për punësimin e gruas.

KALLXO.com në një hulumtim të gjatë kishte zbuluar se, vetura e vëllait të Bashkim Behës, Ruhanit, ishte blerë nga “Trafiku Urban”. Për këtë, Policia e Kosovës së fundmi ka nis hetimet.