Pa leje mjedisore, “Termokos” lëshoi në punë ngrohtoren me mazut

Në mes të datave 15 dhe 16 dhjetor, Ngrohtorja Qendrore e Komunës së Prishtinës “Termokos” ka lëshuar në punë ngrohjen me mazut, pa pasur leje mjedisore.

Kjo ndërmarrje ende nuk ka aplikuar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për t’u pajisur me këtë leje.

Në Termokos kanë thënë se aktualisht janë në përgatitje të dokumentacionit dhe angazhimin e një eksperti për përgatitjen e Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor të djegies së mazutit për të plotësuar më pas dokumentacionin e nevojshëm i cili do t’i mundësonte pajisjen me leje mjedisore.

“Termokos që nga prilli i vitit 2014 (kur është ndërprerë furnizimi me ngrohje nëpërmes kaldajave me mazut dhe nga nëntori i vitit 2014 kemi filluar me marrjen e avullit nga KEK-u për prodhimin e energjisë termike), është hequr përfundimisht nga lista e ndotësve të mjedisit për qytetin e Prishtinës. Para më shumë se dy muajsh ne kemi filluar përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për aplikim për lejen mjedisore”, thuhet në përgjigjen e “Termokos” për KALLXO.com.

Për futjen në funksion të kaldajave me mazut pas 7 vitesh mosfunksionim, nga kjo ndërmarrje kanë thënë se janë konsultuar me kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Ramën.

“Vendimi final për të vazhduar përgatitjet dhe sapo të krijohen kushtet për të filluar prodhimin e ngrohjes me mazut, është bërë në koordinim të plotë me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në mënyrë, që t’iu përgjigjemi kërkesave të konsumatorëve për ngrohje”, thuhet në përgjigjen e “Termokos”.

KALLXO.com ka kontaktuar me komunën e Prishtinës e po ashtu edhe kryetarin Përparim Rama, por edhe pas shumë përpjekjeve, ende nuk ka pranuar ndonjë sqarim.

Nga ngrohtorja e qytetit, në një sqarim shtesë për KALLXO.com kanë deklaruar se ekspertët e kësaj ndërmarrjeje kanë hezituar futjen në funksion të këtyre kaldajave pikërisht për shkak të ndotjes enorme që do të shkaktonte djegia e mazutit.

“Furnizimi me ngrohje nëpërmes kaldajave ka filluar më 15 dhjetor dhe ka vazhduar deri në mëngjesin e datës 16 dhjetor, kur është rikthyer në funksion blloku 1 i TC Kosova B, dhe ne kemi filluar të marrim sasitë e para të avullit për prodhimin e energjisë termike, gjë që nënkupton se menjëherë është ndërprerë prodhimi i ngrohjes nëpërmes këtyre kaldajave”, kanë thënë nga kjo ngrohtore.

Se “Termokos” nuk ka leje mjedisore për të futur në sistem kaldajat për djegien e mazutit në rast emergjencash e kanë konfirmuar edhe nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Ata në një përgjigje për KALLXO.com kanë deklaruar se “Termokos” nuk ka sjellë ende Lejen Mjedisore që është e domosdoshme për vazhdimin e Licencës për prodhim të energjisë termike nga djegia e mazutit.

Nga ZRrE kanë thënë po ashtu se ngrohtorja ka poseduar licencë për prodhim të energjisë termike nga kaldajat me mazut për periudhën nga 4 tetor 2006 deri me 4 tetor 2021. Me 23 mars të këtij viti kompania ka aplikuar në ZRRE për vazhdim të licencës dhe ZRRE është në pritje të dorëzimit të lejes mjedisore nga kjo ndërmarrje.

Ngrohtorja “Termokos” ka dy licenca të operimit, atë për distribuim dhe furnizim. Aktualisht kjo ngrohtore furnizohet me energji nga dy gjeneratorët e KEK-u (Kosova B1 dhe Kosova B2), të cilat posedojnë licenca për koogjenerim të energjisë dhe gjatë procesit të aplikimit, si pjesë të dokumentacionit kanë të dorëzuar edhe lejen mjedisore.

“Sa i përket prodhimit nga kaldaja me mazut, fillimisht duhet theksuar se me funksionalizimin e stabilimenteve të koogjenerimit këto kapacitete nuk janë dekomisionuar por kanë mbetur si kapacitet rezerve për t’u përdorur për periudha disa ditore vetëm në rastet kur, për shkak të ndonjë avarie në TC Kosova B nuk do të mund të furnizohet nga impiantet e koogjenerimit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Rregullatorit.

Ngrohtorja e Prishtinës,“Termokos” për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga KEK-u kanë ndërprerë furnizimin me ngrohje për konsumatorët.

Ndalja e ngrohjes nga Termokos me datën 15 dhjetor ishte shkaktuar për shkak të krizës energjetike ku kishin dalë nga funksioni dy blloqe të termocentralit “Kosova B”.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.