Emrat e Organizatave të Shoqërisë Civile që përfituan subvencione nga presidenca pa shpallje publike

Zyra e Presidentit të Kosovës kishte ndarë subvencione në vlerë prej 24 mijë e 220 euro për Organizata Joqeveritare (OJQ) pa bërë shpallje publike.

Nga këto subvencione kanë përfituar pesë organizata, emrat e të cilave i ka sigurura KALLXO.com. OJQ ‘Equality’, ka përfituar 2 mijë e 20 euro më 4 mars 2020, ‘Kosovo’s Arcitecture Fondation’, ka përfituar 7 mijë euro më 7 korrik 2020, ‘Liberal Democrat Centre’, ka përfituar 9 mijë e 700 euro më 7 korrik 2020, ‘MLE Group L.L.C’, ka përfituar 4 mijë euro më 13 gusht 2020, si dhe ‘Sos Fshati i Fëmijëve’ 1 mijë e 500 euro më 11 dhjetor 2020.

KALLXO.com, ka kërkuar qasje në kontratat e këtyre pesë OJQ-ve, nga Zyra e Presidentit të Kosoës.

Në përgjigjet e Zyrës së Presidentit thuhet se vetëm njëra nga lëndët i përket periudhës së U.D. Presidentes Vjosa Osmani, dhe se ai subvencionpa shpallje publike i është ndarë ‘Sos Fshatit të Fëmijëve’, në vlerë 1 mijë e 500 euro. Ndërkaq katër lëndë tjera janë ndarë nga ish-presidenti Hashim Thaçi.

Kallxo.com ka siguruar dokumentet e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes të Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës dhe OJQ “Equality”.

Zyra e Presidentit të Kosovës dhe kjo OJQ kanë bërë marrëveshje me qëllim të mbështetjes financiare për pjesëmarrje në konferencën regjionale të mbajtur në Sarajevë.

“Qëllimi i kësaj marrëveshje është subvencionimi me mjete financiare  buxhetore OJQ Equality, përfaqësues Sanela Lutviq, në shumën prej 2 mijë e 20 euro për realizimin e përfaqësimit të Republikës së Kosovës”, thuhet në marrëveshjen e lëshuar nga Zyra e Presidentit.

Marrëveshja e bashkëpunimit mes Zyrës së Presidentit dhe Kosovo’s Arcitecture Fondation 7 mijë euro më 7 korrik 2020, përfaqësues i saj ishte Bekim Ramku, dhe kishte për qëllim mbështetjen financiare të projektit “Prishtina Public Archielago”, që paraqitet  si instalacion në kuadër të ekspozitës arkitektonike të “La Biennale di Venezia 2020”.

Sipas marrëveshjes së siguruar nga KALLXO.com thuhet se qëllimi i kësaj marrëveshje është subvencionimi me mjete financiare buxhetore Kosovo’s Arcitecture Fondation, përfaqësues Bekim Ramku në shumën prej 7 mijë euro për realizimin e projektit.

Marrëveshja e radhës e bashkëpunimit mes Zyrës së Presidentit dhe Liberal Democrat Centre me përfaqësues Birol Urcean ka pasur për qëllim mbështetjen financiare të dokumentarit “Riprodhimi i Varfërisë”, që thekson pozicionin e femrave të komuniteteve RAE në Kosovë, me theks të veçantë punësimin e tyre.

Në dokumentet e lëshuara nga Zyra e presidentit thuhet se qëllimi i kësaj marrëveshje është subvencionimi me mjete financiare bixhetore Liberal Democrat Centre me përfaësues Birol Urcean në shumën prej 9 mijë e 700 euro për realizimin e dokumentarit.

Marrëvesja e fundit e nënshkruar gjatë periudhës së ish Presidentit Hashim Thaçi, ishte mes Zyrës së presidentit dhe MLE Group L.L.C me përfaqësuese Leonora Zeneli Ujkani me qëllim të mbështetjes financiare të komunikimit të medias për ndërmarrjen e veprimeve konkrete përmes lajmeve, reportazheve, rrëfimeve të dëshmitarëve vendorë dhe ndërkombëtarë për luftën e UÇK-së.

Shuma e kësaj marrëveshje ishte 4 mijë euro subvencionim me mjete financiare buxhetore.

Ndërkaq, marrëveshja e bashkëpunimit mes Zyrës së presidentit dhe Sos Fshatrat e Fëmijëve është lëndë e cila i përket periudhës së u.d. Presidentes Vjosa Osmani, edhe kjo është bërë pa shpallje publike.

Përfaqësuese e Sos Fshatrave ishte Nezahat Ramadani Salihu dhe marrëveshja kishte për qëllim financimin për mbështetje të fëmijëve të braktisur dhe pa përkujdesje prindërore.

Vlera e marrëveshjes ishte 1 mijë e 500 euro.

Gjetjet se pesë OJQ kanë përfituar mjete financiare pa shpallje publike nga Zyra e Presidentit të Kosovës, janë publikuar në raportin e auditimit për vitin 2020.

Sipas auditorit kjo ka ndodhë pasi që procedura e dhënies ishte bërë bazuar në udhëzimin e brendshëm për procedurat e ndarjes së subvencioneve i cili nuk parasheh thirrje publike lidhur me mbështetjen financiare ndaj OJQ-ve.

Një gjë e tillë, sipas ZKA-së, ndikon në kufizimin e konkurrencës dhe përzgjedhjes së përfituesve.

“Në pesë (5) raste të testuar në vlerë 24,220€, Zyra e Presidentit kishte ndarë subvencione ndaj OJQ-ve të cilat kishin bërë kërkesë për financimin e projekteve të tyre. Për këto subvencione, nuk ishte bërë shpallje publike. Kjo ka ndodhë pasi që procedura e dhënies ishte bërë bazuar në udhëzimin e brendshëm për procedurat e ndarjes së subvencioneve i cili nuk parasheh thirrje publike lidhur me mbështetjen financiare ndaj OJQ-ve”, thuhet në raportin e auditimit për vitin 2020.

Gjithashtu, Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar se Sekretari i Përgjithshëm, duhet të sigurojë që mbështetja financiare e OJQ-ve do të bëhet përmes thirrjes publike.

“Sekretari i Përgjithshëm, duhet të sigurojë që mbështetja financiare e OJQ-ve do të bëhet përmes thirrjes publike dhe kërkesave tjera të rregullores MF-Nr.04/2017, mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, lidhur me gjithë ciklin e ofrimit të mbështetjes financiare”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së.

Edhe në përgjigjet e presidencës drejtuar KALLXO.com, thuhet se të gjitha subvencionet janë ndarë në përputhje të plotë me Udhëzimin Administrativ për Procedurat për Ndarjen e Subvencioneve dhe Transfereve i miratuar në qershor të vitit 2017.

“Ashtu siç parashihet në këtë udhëzim vendimet për ndarjen e subvencioneve nxirren nga Sekretari, pas rekomandimit të Komisionit për shqyrtimin e kërkesave për subvencione”, thuhet në përgjigje të presidencës.