Balona e promovuar nga Komuna e Pejës në pronësi të kompanisë së familjes së drejtoreshës komunale

Më 10 tetor, në qendër të qytetit të Pejës, nën organizimin e Komunës, u promovua një balonë me ajër të nxehtë si një atraksion i ri turistik.

Së bashku me të parin e Pejës, Gazmend Muhaxheri, u pa edhe drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, Lendita Muhaxheri.

Shefi i ekzekutivit të Pejës u kujdes që ta reklamojë sa më mirë balonën në Facebook, me plot 142 fotografi. Të njëjtën, për disa ditë në krye të Facebook-ut e vuri edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Ndërkohë, një ftesë për gjithë pejanët që të vinin në qendër të qytetit e bëri edhe vetë drejtoresha, Lendita Muhaxheri.

Ftesa për promovimin e “Balonës me ajër”

KALLXO.com zbuloi se krejt ky organizim doli se po bëhet për kompaninë “Balkan Sky” e cila është në emër të Sani Muhaxheri, babait të drejtoreshës së Zhvillimit Ekonomik, Lendita Muhaxheri.

Organizimi dhe promovimi i “Balonës me ajër të nxehtë” nuk ishte gjëja e vetme që Komuna e Pejës e bëri për biznesin e drejtoreshës së Zhvillimit Ekonomik.

Vetë Lendita Muhaxheri përmes një bisede ka thënë se Komuna që e udhëheq Gazmend Muhaxheri i ndihmoi shumë që “Balonën me ajër” ta fusë në Kosovë. Madje, sipas vetë drejtoreshës, intervenimi i Komunës në Doganë dhe heqja e të gjitha shpenzimeve ekstra, siç është furgoni dhe vetura, ia lehtësuan që “ta jetësojë” idenë që e kishte nisur kohë më parë.

Fillimisht, vetë kryetari Gazmend Muhaxheri nuk tregoi se në pronësi të kujt është balona me ajër të nxehtë. Në një postim me shumë fotografi në Facebook, ai tha se pamja nga balona ishte magjepsëse, duke treguar se ideja e drejtoreshës së tij u realizua.

“Çfarë spektakli iu dha dje para syve qytetarëve të Pejës! Për herë të parë, u ngritëm në qiell së bashku me doktorin e nderuar z. Mahir Morina, personin që e jetësoj këtë ide – znj. Lendita Muhaxheri, Drejtoreshë për Zhvillim Ekonomik, si dhe piloti z. Guy Cinquin”, shkroi Gazmend Muhaxheri.

“Në ajrin e freskët të ditës së djeshme, u përkundëm nga flladi i pasdites së lehtë përgjatë Lumbardhit deri në dalje të qytetit. Gjatë kësaj avanture, u shoqëruam me pamje magjepsëse të vendit tonë të bukur, të cilat ua prezentoj t’i shijoni”, thuhet në postimin e tij.

Por, ishte Aviacioni Civil i Kosovës, i cili lëshon lejet për të gjitha mjetet që fluturojnë në qiellin e vendit, që tregoi se një kompani private kishte kërkuar leje për të operuar në hapësirën ajrore të Pejës.

“Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës më datë 9 shtator 2020 ka aprovuar kërkesën e kompanisë Balkan Sky për operime me balon me ajër të nxehtë në regjionin e Pejës”, njftoi tri ditë më vonë pas lanësimit të “Balonës me ajër” në qytetin e Pejës.

Njoftimi i Aviacionit Civil i Kosovës

Se balona me ajër të nxehtë është në pronësi të kompanisë “Balkan Sky” e konfirmoi edhe vetë Sani Muhaxheri, babai i Lendita Muhaxherit. Ai tha se vajza e tij, drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, e ka blerë balonën në Zvicër, ndërsa nuk i di shumë detajet e futjes së saj në Doganë.

“Po, unë jam Saniu. Për balonën vetëm me çikën mundeni me folë, ajo e ka blerë atje në Zvicër. Dogana është falas sepse komuna, në Doganë ka nejtë (Balona), nja dy javë pastaj nuk e di unë qysh e kanë nxjerr, nuk e di as vetë, diçka kanë paguar”, ka thënë Sani Muhaxheri.

“Balkan Sky” e regjistruar në ARBK

Në anën tjetër, vetë Lendita Muhaxheri ka thënë se patën shumë telashe ta fusnin balonën në Doganë. Sipas saj, vetëm pas intervenimit nga Komuna e Pejës kanë arritë që atë ta fusin në vendin tonë.

Sipas drejtoreshës së Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Pejës, Dogana e ka liruar nga pagesa futjen e balonës me ajër të nxehtë

“Komuna më ka mbështetë, nuk mund me ia heq meritat. Në Doganë ka qenë telashe shumë e madhe edhe komuna ka intervenua që me pas pa problem kalimin e Doganës”, ka thënë ajo.

“Nuk ka pasur nevojë për pagesa në Doganë, por krejt këto shpenzimet ekstra, sepse balona ka nevojë për rimorkio, ka nevojë për një veturë që e përcjell balonën, krejt këto këto shpenzime, ftesat e mysafirëve krejt komuna i ka marr përsipër, më ka mbështet shumë, shumë. Përndryshe, nuk si person nuk kisha arritë me realizua këtë aktivitet”, është deklaruar Lendita Muhaxheri në një bisedë me telefon.

Ajo ka treguar se “Balona me ajër” është fut në Kosovë në fund të muajit korrik të këtij viti.

E pyetur nëse, “Balona me ajër” është në emër të kompanisë së prindit të saj, dhe kjo mund të paraqes konflikt interesi, pasi u promovua nga vetë ajo dhe kryetari i Komunës, Muhaxheri tha se një gjë e tillë nuk është konflikt interesi.

“Kompania duhet me u regjistrua, dmth duhet me qenë ekzistuese, nuk mundesh me bë fluturime me avion të vegjël ose fluturime me balonë, ose fluturime tjera nëse nuk është ekzistuese edhe nëse ka të hyra mos të jenë të, si më thënë, të paguhen tatimet ose të paguhen taksa, pra duhet me qenë është obliguese”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

“Jo, nuk është konflikt interesi sepse duhet me egzistua kur njerëzit duan ta bëjnë një rezervim ose një kërkesë, ata drejtohen në zyrën e turizimit, zyra e turizimit nuk mundet me bë pagesën, duhet me dërgua diku. Tash, aty (Balkan Sky), është piloti, piloti duhet duhet me u pagua, edhe shpenzimet tjera”, ka shpjeguar Lendita Muhaxheri.

Gazmend Muhaxheri, kryetar i Pejës dhe Lendita Muhaxheri, drejtoreshë e Zhvillimit Ekonomik; Foto: Facebook

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Pejës nuk e ka mohuar se e ka ndihmuar me mjete fianciare futjen e balonës në Kosovë. Ai ka thënë se balona është një donacion për Komunën e Pejës.

“Kompaninë të cilën e ka regjistruar drejtoresha është tu punu që dy vjet, ideja e drejtoreshës është që në komunë tonë me e pru një aeroplan prej Zvicrës me kcy me parashuta, drejtoresha punon me parashuta dhe është fanse e sporteve ekstreme”, deklaroi Gazmend Muhaxheri në emisionin “Jeta në Komunë”.

 

“Me siguri e ka regjistrua firmën për atë punë. Te unë ka qenë në vizitë, pronari i kësaj balone, pronari i kësaj balone është francez, e ka kryer misionin dhe ka dal në pension. Ia ka dhënë Komunës së Pejës donacion”, ka thënë tutje ai.

Në fund, Muhaxheri premtoi se Komuna që ai drejton do të shndërrohet në një vend turistik.

“Unë besoj që në vitin tjetër do të jenë tri balona, Peja do të jetë vend turistik”, tha Muhaxheri.