Hortikultura nuk merr përgjegjësi për tharjen e drunjve në lagjen ‘Kalabria’

Para disa ditëve KALLXO.com ka njoftuar për tharjen e disa fidanëve të drunjve në lagjen “Kalabria” pak ditë pasi ishin mbjellë.

Mbjellja e këtyre drunjve është bërë nga ndërmarrja komunale “Hortikultura”.

Isak Rakovica, kryeshef i kësaj ndërmarrje, për KALLXO.com ka deklaruar se nuk kanë kurrfarë përgjegjësie për tharjen e këtyre drunjve.

Sipas tij, blerja dhe plani për t`u mbjellë në këtë sezonë, ka ardhur nga ana e komunës, më saktësisht nga Drejtoria e Parqeve.

“Ne nuk i kemi blerë ata fidanë, të gjitha procedurat janë kryer nga ana e komunës së Prishtinës, ne vetëm kemi zbatuar vendimin për t’i mbjellë në atë zonë”, ka thënë Rakovica.

Tutje Rakovica tha se, ai është agronom dhe është i vetëdijshëm që nuk është sezoni i duhur për të bërë këto mbjellje, por që nuk është pyetur nga askush.

“Unë jam agronom me profesion dhe e di shumë mirë që të mbjellësh drunj e fidanë në këtë sezonë, nuk është koha e duhur, pasi kjo gjë duhet të bëhet në pranverë,  por askush nuk më ka pyetur mua apo dikë në ndërmarrje”, shtoi tutje Rakovica.

Ndërsa, Fatime Hajdari nga Drejtoria e Parqeve për KALLXO.com ka thënë se, këta fidanë janë blerë nga komuna dhe kanë specifika që rekomandohen për mbjellje.

“Drunjtë në lagjen Kalabria (afër “banesave të arabëve”) janë blerë përmes kontratës për furnizim me drunj dekorativ dhe janë mbjell nga NPL Hortikultura, e cila ka kontratë me Drejtorinë e Parqeve, drunjt e mbjell janë në gjendje të shëndetshme dhe kanë specifika që rekomandohen për mbjellje”, ka thënë Hajdari për KALLXO.com

Ajo tutje shtoi se, në rast të tharjes eventuale, drunjt do zëvendësohen me drunj të ri.

Në muajin shkurt të këtij viti, komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratë në vlerë 170 mijë euro për furnizim me lule dhe drunj dekorativ.

Tenderin për këtë furnizim e kishte marr ‘N.T.P. Lulishtja Buqaj’.

Përmes kësaj kontrate, komuna ka mbjellë 12 lloje të fidanëve në pjesë të ndryshme të qytetit.

Në mesin e tyre janë fidanë si: Salix, Ilex Verticillata, Festuca Glauca, Hibiscus, Confiern mix, Rhodondedron mix, caocephalus, Acer palmatum, etj.

Sipas të dhënave në Prokurimin Publik, këta fidanë janë të ardhur nga vendet e Bashkimit Evropian.

Nga komuna më herët është deklaruar që lulet dekorative po shkatërrohen nga makinat dhe qytetarët.

Ndërsa, për rastin me fidanët si shkak po del të jetë mos mirëmbajtja adekuate dhe mbjellja në sezonë të gabuar.

KALLXO.com ka raportuar edhe para dy viteve për tharje të drunjve në po të njëjtën lagje.