Historiku i votimit dhe balotazheve në kryeqytet

Edhe në këto zgjedhje lokale, qytetarët e Prishtinës do duhet të votojnë për herë të dytë për të vendosur se kush do ta qeverisë kryeqytetin, pasi asnjë kandidat nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme në raundin e parë.

Rezultatet preliminare të KQZ-së në Prishtinë kanë nxjerrë Arben Vitinë e LVV-së me 42.26% dhe Përparim Ramën nga LDK me 29.34%, të cilët do të jenë pjesë e balotazhit që pritet të mbahet pas 4 javësh.

Balotazhet nuk janë risi për kryeqytetin, pasi në dy palë zgjedhjet e fundit, kryetari është zgjedhur në raundin e dytë të votimeve.

Por, cili ishte rrugëtimi i Prishtinës nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës deri sot, nga kush u udhëhoq, kush kë e mundi në betejat zgjedhore dhe si rrodhën ato?

Në zgjedhjet e tetorit në vitin 2017, në raundin e parë kryetari Shpend Ahmeti doli i pari me 43,61% të votave, pasuar nga kandidati i LDK-së, Arban Abrashi me 35,79 %, ndërsa kandidati i tretë doli Selim Pacolli nga AKR me 10,21 % të votave.

Pas një muaji, në nëntor 2017, Ahmeti dhe Abrashi u përballën në balotazh si dy kandidatët me më së shumti vota.

Ahmeti arriti të marr 50,22 % të votave, ndërsa Abrashi arriti 49,78 %.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve të vitit 2017, LVV me Shpend Ahmetin hyri në koalicion me AKR-në duke arritur të marr mandatin e dytë radhazi në kryeqytet.

Edhe në zgjedhjet e vitit 2013 Prishtina nuk u fitua në rrethin e parë të votimeve.

Atë kohë kandidati nga radhët e LDK-së, Isa Mustafa në raundin e parë arriti 42,75% të votave, derisa në vendin e dytë ishte kandidati i LVV-së, Shpend Ahmeti me 31, 89% të votave.

Kurse, në vendin e tretë ishte radhitur Agim Çeku nga PDK me 10,91 % të votave.

Në raundin e dytë Ahmeti nga LVV doli i pari me 51, 80 % duke bërë që Prishtina të ketë një kryetar që nuk vjen nga LDK për herë të që nga paslufta. Derisa, Isa Mustafa nga LDK arriti 48,20 % të votave.

Përderisa, në zgjedhjet lokale të vitit 2009, të parat pas shpalljes së Pavarësisë, kandidati i LDK-së Isa Mustafa fitoi kryeqytetin në raundin e parë të votimeve duke arritur 57,27% të votave, pas tij renditej Vegim Gashi nga AKR me 22,29 % dhe Astrit Salihu nga PDK me 12,27 % të votave.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve qytetarët me të drejtë vote që kanë votuar në zgjedhjet lokale të vitit 2021 është rreth 43 për qind.

Bazuar në Ligjin për Zgjedhjet Lokale, raundi i dytë i zgjedhjeve ndërmjet dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme, mbahet ditën e diel, katër javë pas raundit të parë. Në këtë rast i bie që do të mbahen më 14 nëntor 2021.

Në bazë të rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në raundin e parë për zgjedhjet lokale në Kosovë janë zgjedhur kryetarët e 17 komunave, ndërkaq në balotazh do të shkojnë 21 komuna.