Jeta ne Komune - Lutfi Haziri - Komuna Gjilan - Foto Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Haziri e konsideron 'për keqardhje' pagesën e qirasë prej 21,600 euro për çerdhen 'Ardhmëria 1'

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në fushatën zgjedhore për të parin e Gjilanit në vitin 2017 kishte premtuar që do t’i ndërtonte dy çerdhe të reja në vitin e parë të qeverisjes, çerdhen “Ardhmëria 1” dhe çerdhen “Arbëria”.

Por, kur jemi rreth një vit nga përfundimi i mandatit të Hazirit, asnjëra nga çerdhet e premtuara nuk janë ndërtuar.

Çerdhja “Ardhmëria 1” që nga viti 2011 është në një objekt privat në të cilin paguan 21,600 euro qira në vit. Nga viti 2011 deri më tash, Komuna e Gjilanit ka paguar afër 200 mijë euro qira për çerdhen “Ardhmëria 1”.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës ka thënë se është për keqardhje që paguhet qira për çerdhen “Ardhmëria 1″.

“Po, është për keqardhje. Ka qenë një gabim i imi që i kam dhënë përparësi ndërtimit të çerdhes në Dardani para Ardhmërisë 1 sepse kam mendu me zgjidhë një problem, por e kam lënë hapur një problem që unë e kam gjetë”, është shprehur Haziri.

Po ashtu ai ka deklaruar se tashmë është gjetur edhe financuesi i çerdhes në lagjen Arbëria në Gjilan dhe se ndërtimi i saj do të fillojë në vitin e ardhshëm.

“Kam pasë ambicie dhe besoj që vitin e ardhshëm kam me ndërtu çerdhen “Ardhmëria 1” sepse në Arbëri është zgjedhur problemi, Komisioni Europian do ta financojë çerdhen e re të Arbërisë”, ka përfuduar Haziri.

 

Në debatin e sontëm Haziri do të ballafaqohet me premtimet e tij të dhëna në fushatën për zgjedhjet lokale të vitit 2013 dhe 2017, punën e përfunduara deri më tani në këtë mandat, si dhe punët e mbetura deri në fund të mandatit 4 vjeçar.

I pari i Gjilanit do të pyetet edhe për politizimin e shkollave.

Haziri do të sfidohet me mungesën e ujit të pijshëm, kutërbimin e lumenjëve nga derdhja e kanalizimit dhe deponitë ilegale.

Tek pyetjet nga ‘Zëri i Qytetarëve’, Haziri do t’i përgjigjet halleve të qytetarëve me nevoja të veçanta që nuk kanë qasje nëpër institucione lokale, mungesën e mjeteve shtesë për mbajtjen e mësimit në për shkolla, mos-asfaltimin e rrugës së Kumanovës dhe asaj “Qefsere Salihu” në lagjen Arbëria dhe po ashtu me mungesën e ujit të pijshëm në Pogragjë dhe Livoç të Epërm.

Në fund të emisionit, do të shfaqen dy shembuj pozitivë të Gjilanit, ndërtimi i pasqyrës së mençur nga studenti gjilanas Emin Emini dhe aktivizmi i banorëve të Zhegrës për pastrimin dhe mirëmbajtjen e fshatit.

Përveç kryetarit Haziri, prezent në studio do të jenë edhe asamblistët: Riza Abdyli dhe Isa Agushi nga PDK, Nevzad Isufi dhe Anila Tusha nga Lëvizja Vetëvendosje, Avdyl Aliu nga LDK dhe përmes platformës ZOOM do të jetë aktivistja e shoqërisë civile, Arjeta Maka.