Sokol Haliti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haliti për drejtorët politik: Janë nderë për arsimin në Viti

11 nga 21 drejtorët e institucioneve arsimore në Viti e kanë pranuar se janë anëtarë të partisë së kryetarit, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në emisionin ‘Jeta në Komunë’, kryetari Sokol Haliti e ka ndjekur videon ku disa nga drejtorët e pranojnë që janë anëtarë të LDK-së, e disa nuk e tregojnë partinë.

I pyetur nga moderatorja Jeta Xharra se përse duhet që domosdoshmërishtë të ‘rreshtohesh’ në parti për t`u bërë drejtor, Haliti tha se drejtorët në fjalë janë shumë të kualifikuar për punën e tyre.

“Nuk qëndron se ne insistojmë në atë. Po ta them një realitet, shumica e tyre janë profesionalistë dhe të kualifikuar. Këta drejtor është nderë që i ka arsimi në Viti, eja shikoje shkollën e Smirës ka bërë në raport me drejtorin e PDK-së më herët”, theksoi Haliti.

Bekim Azizi asamblist nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha se në Viti drejtorë bëhen vetëm anëtarët e LDK-së.

“Të partive tjera as që konkurrojnë sepse dihet aty, secili e dimi kush bohet drejtor i gjeni edhe njo dy vet për mu bo tre edhe me kalu konkursin”, tha ai.

Përveç kësaj, në emisionin ‘Jeta në Komunë’ Haliti do të flas edhe për mungesë ujit, kanalizimit, cilësinë e dobët të asfaltit, dhe shëndetsinë.

I pari i Vitisë do të ballafaqohet me premtimet e tij të dhëna në fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2013 dhe 2017, punën e përfunduara deri më tani në këtë mandat, si dhe punët e mbetura deri në fund të mandatit 4 vjeçar.

Në fund të emisionit, do të shfaqen dy shembuj pozitivë të Vitisë, storia për blegtorin, Feriz Januzaj, e cili ka mbi 1000 dele si dhe shembulli i zhonglerit, Agim  Agushi i cili po sfidon librin në rekordeve në Ginis.

Përveç kryetarit Haliti , prezent në studio do të jenë edhe asamblistët: Bekim Azizi- Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Taulant Haxhiu- Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Nijazi Isaku- Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Mirlinda Tishukaj- Sadiku- Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Valbona Haziri- Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Ndërsa të kyqur në Zoom do të jetë i kyçur Florim Brahimi nga organizata ‘Euloc’ në Viti.