Pallati i Rinisë - Foto: Facebook/ShpendAhmeti

Gruaja e kryeshefit të 'Prishtina Parking' punësohet në ndërmarrjen 'Pallati i Rinisë'

Mirlinda Qazimi, gruaja e kryeshefit të ndërmarrjes ‘Prishtina Parking’, Liridon Restelica, është punësuar në ndërmarrjen ‘Pallati i Rinisë’ në Prishtinë.

Me një vendim të datës 25 nëntor, Qazimi është punësuar në pozitën certifikuese e pagesave në Departamentin e Financave.

Në vendim thuhet se Qazimi është përzgjedhur si kandidatja më e suksesshme me procedurën e përzgjedhjes.

Konkursi për pozitën certifikues i pagesave është hapur më 21 shtator.

Në testin me shkrim për këtë pozitë të mbajtur më 25 tetor, kanë qenë 6 kandidatë, derisa Qazimi ka pasur më së shumti pikë, saktësisht 84 sosh.

Bashkë me të, kuotën mbi 50 pikë e kaluan edhe ky kandidate tjera: Shqipe Temaj dhe Gëzime Rexhepi të cilat i kishte kundër kandidate në fazën e fundit të testit verbal, që u mbajt më 10 nëntor.

Edhe në intervistën verbale, Mirlinda Qazimi doli e para me 80 pikë, derisa, njëra prej kundërkandidateve nuk kishte marrë pjesë.

Pozita tjera të hapura me këtë konkurs janë edhe drejtor i Departamentit të Marketingut, Udhëheqës i Zyrës ligjore, Certifikues i pagesave dhe Zyrtar përgjegjës i Prokurimit.

Lidhur me këtë punësim, Liridon Restelica për KALLXO.com ka deklaruar se ai nuk ka lidhje me këtë ndërmarrje dhe nuk ka pasur ndikim në këtë konkurs.

“Unë jam kryeshef në ‘Prishtina Parking’, nuk kam lidhje më ndërmarrjen Pallati i Rinisë dhe nuk kam ndikim në këtë konkurs”, ka thënë Restelica.

Kryeshefi i ndërmarrjes më të re komunale ‘Prishtina Parking’ është akuzuar disa herë për nepotizëm dhe keqpërdorim të detyrës që mban nga ish punëtor të parkingjeve, por edhe nga kandidatë që kanë qenë pjesë e konkurseve të kësaj ndërmarrjeje.

KALLXO.com ka tentuar të marr një deklarim edhe nga Mirlinda Qazimi, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk është marr dhënë ndonjë përgjigje.