Projekti i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) në lagjen "Lakrishtë"

Gjykata hedh poshtë kërkesën për projektin e NPB-së në Lakrishtë, LVV ankohet në Apel

Më 21 tetor Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar si të pabazuar propozimin e LVV-së për caktim të masës së sigurisë lidhur me projektin milionësh të Ndërmarrjes Publike Banesore në lagjen ‘Lakrishtë’ në kryeqytet.

Për t’u vendosur masa e sigurisë, sipas Gjykatës Themelore duhet të bëhet i besueshëm elementi i rrezikut.

Më 8 gusht 2022, Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë kishte dorëzuar padi kundër Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) dhe tre kompanive private, në lidhje me projektin për ndërtimin e përbashkët në vlerë prej 120 milionësh.

LVV atë kohë bëri të ditur se krahas padisë, është dorëzuar edhe kërkesa për caktimin e masës së sigurisë.

Derisa, më 27 tetor aktivistë e asamblistë të LVV-së në Prishtinë i janë drejtuar me ankesë Gjykatës së Apelit lidhur me hedhjen poshtë të propozimit të tyre nga Gjykata Themelore.

Propozuesit konsiderojnë se Gjykata Themelore në Prishtinë në marrjen e vendimit për refuzimin e kërkesës për caktimin e masës së sigurisë nuk ka bërë interpretim të saktë të kontekstit faktik, normave ligjore si dhe ka paragjykuar të drejtën kushtetuese se “secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore që cënojnë të drejtat apo interesat e tij”.

Në ankesë tutje potencohet se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka dërguar mostrat nga lokacioni ku planifikohej të bëhej investimi në Institutin gjerman ‘CRB Analyse Servise”, ku përgjigja ishte se mostrat i përkasin shkallës së tretë (20%) të mbetjeve kancerogjene të asbestit.

Propozuesit i kanë kërkuar Gjykatës së Apelit që ankesën ta aprovojnë si të bazuar dhe të prishin aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë apo të ndryshojë aktvendimin.

Lidhur me këtë projekt, Gjykata e Apelit më 28 prill 2022 ka refuzuar edhe propozimin e qeverisë për vendosjen e masës së sigurisë në rastin e NPB-së.

Sipas vendimit Qeveria nuk kishte arritur të provoj se ekziston rreziku se pa caktimin e masës së tillë të sigurisë do të kishte ndikim negativ.

Ana e errët e projektit të ndërtimeve të Ndërmarrjes së Prishtinës