Gjilani - Komuna e 13-të me performancën më të mirë

Komuna e Gjilanit është radhitur në vendin e 13-të për performancën më të mirë komunale.

Performanca e Komunës së Gjilanit për vitin 2019 është vlerësuar me 66.84% nga Ministria e Pushtetit Lokal, e cila ka publikuar raportin e performancës komunale për 36 komuna të Kosovës që kanë ofruar të dhëna.

Raporti i performancës komunale prezanton rezultatet e komunave nëpërmjet 19 fushave të kompetencave që janë nën përgjegjësi të tyre.

Performanca komunale bazohet në të dhënat e ofruara dhe të dokumentuara nga vetë komunat.

Raporti synon të vë në pah dy çështje kryesore të menaxhimit të çështjeve publike, mënyrën e qeverisjes së komunave vlerësuar sipas legjislacionit të zbatueshëm dhe ofrimin e shërbimeve në aspektin sasior dhe cilësor, kur është e mundur.

Fushat me performancën më të lartë në Gjilan janë transparenca komunale dhe transporti publik me 90% derisa më e ulëta qëndron tek hapësirat publike me 25.5%.

Sa i përket ofrimit të shërbimeve administrative, Komuna e Gjilanit është renditur e 13-ta me 82.45%

Fusha përfshinë shërbimet publike administrative dhe efikasitetin e shqyrtimit të kërkesave të qytetarëve, personave fizik dhe juridik, nga organet e komunës për çështjet që lidhen me kompetencat e tyre dhe të cilat kalojnë nëpërmjet Qendrës për Shërbimin e Qytetarëve në Komunë. Njëkohësisht, kjo fushë matë gatishmërinë e komunave për të ofruar shërbime administrative në formën online apo përmes e-kioskut.

Në fushën e dytë e cila është matur nga Ministria e Pushtetit Lokal, për transparencë komunale, Komuna e Gjilanit është renditur e 16-ta me 90%.

16 komuna të Kosovës kanë treguar performancë në mes 90-100% në fushën e transparencës, prej të cilave: Vushtrria (100%), Kaçaniku (100%), Drenasi (100%), Peja (99.89%), Rahoveci (98.95%), Lipjan (98.75%) dhe Ferizaj (98.13%) etj.

Tek kjo fushë synohet të arrihen rezultate në sigurimin e qasjes në të dhëna komunale, pjesëmarrjen në mbledhjet e kuvendeve, rritjes së standardeve të informacionit përmes ueb-faqeve, transparencën buxhetore dhe prokurimin publik.

Gjilani ka dalë si komuna e tetë për përgjegjshmëri komunale me 77.2%. Performancën më të lartë në indikatorët e kësaj fushe e ka arritur Komuna e Lipjanit dhe Kaçanikut. Ndryshe nga to, më ulët qëndrojnë komunat: Mitrovicë Veriore, Shtërpcë, Zubin Potok dhe Novobërdë.

“Në kuadër të kësaj fushe, vërejmë performancë të lartë të komunave në ndërmarrjen e veprimeve ligjore për suspendimin e zyrtarëve për të cilët ka pasur aktakuzë në lidhje me veprat për shpërdorim detyrës zyrtare. Sipas të dhënave aktakuza për vepra të tilla penale ka pasur për 28 zyrtarë në 9 komuna, prej të cilëve 13 janë raportuar të jenë suspenduar”, thuhet në raportin e MPL-së.

Në fushën që mbulon përfaqësimin e grupeve të ndryshme në punësim komunal, si dhe shërbimet sociale të grupeve me nevojë, Komuna e Gjilanit është renditur në vendin e 21-të me 58.16%.

Në kuadër të punësimit matet niveli i punësimit të personave me nevoja të veçanta në institucionet komunale, si dhe përqindjen e përfshirjes së komuniteteve jo-shumicë. Performanca të përgjithshme në këtë fushë prej 57.70%.

Sipas të dhënave të deklaruara nga komunat për numrin e të punësuarve në institucionet komunale nga totali prej 37,310 të punësuar, 161 janë deklaruar të jenë me nevoja të veçanta, kurse 1757 nga radhët e komuniteteve jo-shumicë.

Performanca e Komunës së Gjilanit në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit është vlerësuar të jetë nën 50%. Ministria e Pushtetit Lokal e ka renditur Gjilanin në vendin e 28-të me 48.5%.

Në kuadër të kësaj fushe maten aktivitetet komunale kulturore, rinore dhe sportive, si një nga kompetencat vetanake të komunave. Fusha mbulon edhe shërbimet e ofruara nga komunat që kanë të bëjnë me kulturën, rininë dhe sportin, përfshirë hapësirat sportive”, theksohet në raportin e Ministrisë.

Në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit matet performanca duke e krahasuar me numrin e banorëve për arsye që të jetë më e balancuar ndaj komunave me shumë banorë dhe atyre me më pak banorë.

Komunat me perfomancë maksimale apo 100% në këtë fushë janë Drenasi, Graçanica, Ranillugu dhe Parteshi.

Performaca e dobët në menaxhimin e hapësirave publike

Komuna e Gjilanit është vlerësuar më së dobëti në krahasim me 18 fushat e tjera në fushën e menaxhimit të hapësirave publike që janë në interes për qytetarët dhe të cilat ndikojnë në cilësinë dhe standardin e jetesës së qytetarëve. Ministria e Pushtetit Lokal e ka radhitur Komunën e Gjilanit në vendin e 31-të 25.5%, nga 36 komuna sa kanë raportuar gjithsej. Në këtë fushë vetëm Komuna e Prishtinës është vlerësuar me perfomancë maksimale prej 100%.

Përpos nivelit të hapësirave të gjelbra për kokë banori, kjo fushë matë edhe sipërfaqen e hapësirave publike të cilat mirëmbahen rregullisht nga komunat, si dhe numrin e hapësirave publike të përcjella me ndriçim publik.

Në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale, komunat ndër të tjera janë kompetente për ofrimin dhe mirëmbajtjen e parqeve dhe hapësirave publike.

Sipas të dhënave rreth 67.5% të hapësirave publike mirëmbahen rregullisht, ndërsa 75.4% të hapësirave publike janë të përcjella me ndriçim publik.

Performancë mesatare Komuna e Gjilanit ka treguar edhe sa i përket planifikimit hapësinor. Komuna e udhëhequr nga Lutfi Haziri është renditur në vendin e 9-të me 50.96%. Në përgjithësi, asnjë komunë nuk ka arritur performancë maksimale në këtë fushë përderisa performanca e përgjithshme është 45.24%.

Kjo fushë matë zhvillimin hapësinor komunal nëpërmjet instrumenteve të planifikimit hapësinor, por edhe nivelin e planifikimit të ndërtimeve komunale.

Sipërfaqja e territorit të komunave, e mbuluar me plane rregulluese të hollësishme është në shkallë prej 14.05%. Sa i përket lejeve ndërtimore, nga 5,391 kërkesa të parashtruara për leje ndërtimi, nga komunat u shqyrtuan me kohë 4150 kërkesa apo 85.55%.  Sipas të dhënave, ndërtesat e reja për të cilat u lëshuan leje ndërtimore, u inspektuan në shkallë prej 73.86%.

Njëra prej fushave ku Gjilani ka treguar perfomancë të mirë është menaxhimi i fatkeqësive. Në këtë fushë ku 13 komuna kanë treguar perfomancë maksimale prej 100%, Gjilani është radhitur si komuna e 23-të me 82.99%.

Kjo fushë matë planifikimin, organizimin dhe udhëheqjen e sistemit të organizuar të komunës për tu përgjigjur ndaj dukurive të shkaktuara nga fuqitë e pakontrolluara dhe nga fuqitë tjera.

“Fusha ka vetëm një rezultat dhe dy tregues, që kryesisht vlerësojnë realizimin e planit për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore, si dhe nivelin e përgjigjeve të institucioneve komunale ndaj rasteve të paraqitura në këtë fushë”, potencohet në raport.

Sipas të dhënave, intervenimet e institucioneve komunale ndaj fatkeqësive del të jenë në nivel prej 85.90%. Shprehur në numër, në 33 komuna që kanë raportuar për këtë tregues, nga 12,850 fatkeqësi të raportuara ekipet përgjegjëse komunale kanë intervenuar në 12,556 prej tyre.

Gjithashtu 68.48% e komunave rezultojnë të kenë pasur plan komunal për menaxhim të fatkeqësive si dhe raport për realizimin e planit.

Ofrimi i shërbimeve të transportit publik mbi 90%

Një prej 19 fushave ku Gjilani është ndër komunat me performancë më të mirë në Kosovë është transporti publik për qytetarët e komunës. Gjilani është renditur në vendin e 12-të me 90%. Nga 36 komunat që kanë raportuar, 12 komuna janë vlerësuar me performancë mes 90 dhe 100%.

Kjo fushë matë ofrimin e transportit publik për qytetarët e komunës. Kjo fushë ka një performancë të përgjithshme prej 64.13%.

Sipas të dhënave, komunat kanë realizuar Planin Komunal për Transport Publik në vlerën prej 66.55%. Krahas kësaj, 11 nga komuna nuk kanë dokumentuar se kanë hartuar një plan të tillë, në të kundërtën 18 komuna kanë realizuar planin në vlerë prej 100%.

Në treguesin “Vendbanimet e përfshira në transportin lokal publik”, 8 nga 38 komunat e Kosovës nuk kanë raportuar në këtë tregues dhe mesatarja për 30 komuna arrin vlerën në 65.47%, kurse vendndalimet e shënjuara për automjetet e transportit publik janë në nivelin 60.38%.

Në fushën që matë rrugët komunale dhe infrastrukturën përcjellëse si trotuare, ndriçim, shenjëzim si dhe shteg të biçikleta, që janë nën kompetencën e komunës, Gjilani është radhitur në vendin e 8-të me 63.86%.

Performanca e përgjithshme në infrastrukturën rrugore vlerësohet në shkallë prej 46.76%.  Ajo çfarë e bënë performancën e përgjithshme të mos jetë aq e lartë, është përfshirja treguesit i ri për rrugët në zonat urbane me shtigje të biçikletave, që del të jetë në shkallën prej 5.89%, si dhe raporti në mes të rrugëve lokale me trotuare dhe ndriçim publik.

“Për më shumë, nga 2530.173 km rrugë të asfaltuara në zonat urbane të 29 komunave që kanë ofruar të dhëna, 142.57 km janë të përcjella me shtigje të biçikletave, apo 5.89%.  Po ashtu, nga totali prej 57358.431 km rrugë në zonat urbane dhe rurale, 4865.133 km rrugë janë të pajisura me trotuare apo 9.15%, kurse me ndriçim publik janë raportuar 15.03% të rrugëve”, potencohet në raportin e MPL-së.

Në raport thuhet që mirëmbajta verore dhe dimërore e rrugëve lokale ka nevojë për përmirësim,  pasi që mirëmbajtja verore është në shkallën 54.57% ndërsa mirëmbajtja dimërore 64.98%.

Sa i përket parkingjeve publike, Komuna e Gjilanit është vlerësuar me performancë të dobët. Ajo është radhitur si komuna e 27-të me 29.3%.

Kjo fushë matë numrin e parkingjeve në komunë dhe numrin e vendparkimeve kundrejt veturave të regjistruara në komunë, po ashtu sa ka vende për taksi kundrejt numrit të taksive të licencuara dhe sa parkingje publike kanë vende të rezervuara për persona me nevoja të veçanta.

Numri i parkingjeve në nivel të Kosovës për komunat të cilat kanë raportuar është 1,437, me gjithsej 48,788 vendparkime, në raport me 460,725 vetura sa janë të regjistruara në komunat që kanë raportuar. Krahasuar me numrin e automjeteve të regjistruara, komunat me vendparkime mbulojnë vetëm 15.22%.

Shkalla e vendparkimeve të destinuara për makinat taksi të regjistruara në komuna është 55.62%. Sa i përket numrit të vendparkimeve për persona me aftësi të kufizuara, vetëm 50.40% e parkingjeve i kanë të shënjuara vendet e tillë.

Shtrirja e rrjetit të kanalizimit nën 40%

Komuna e Gjilanit është renditur e 22-ta me 39.97% nga 36 komunat që kanë raportuar sa i përket shtrirjes së rrjetit të kanalizimit.

Në këtë fushë të gjitha 36 komunat që kanë raportuar kanë performancë nën 50%. Komuna me performancën më të lartë është Komuna e Junikut me 50%.

Kjo fushë matë përfshirjen e ekonomive familjare, bizneseve dhe institucioneve në sistemin e kanalizimit si dhe realizimin e projekteve komunale për rrjet të kanalizimit. Po ashtu, ky matë edhe përfshirjen e vendbanimeve të komunës në rrjetin për trajtimin e ujërave të zeza si një nga faktorët mjaft të rëndësishëm në ambient, kushte të jetesës dhe shëndetin publik. Kjo fushë ka një performancë të përgjithshme prej 36.51%.

Sipas të dhënave rreth 71.42% e ekonomive familjare, institucioneve publike dhe bizneseve janë deklaruar të përfshira në sistemin e kanalizimit në 36 komunat e Kosovës, ndërkohë zbatimi i aktiviteteve nga plani për ndërtim dhe mirëmbajtje të sistemit të kanalizimit është raportuar të jetë 74.64%.

Në fushën e sigurimit apo furnizimin e qytetarëve dhe bizneseve me ujë të pijshëm si dhe realizimin e projekteve komunale për ujë të pijshëm, Gjilani është radhitur në vendin e 14-të me 87.11%.

Deçani, Juniku, Ranillugu dhe Peja janë vlerësuar me performancë prej 100% në këtë fushë ndërsa performanca e përgjithshme e të gjitha komunave është 73.10%.

Në vitin 2018, performanca e përgjithshme ishte më e lartë se në vitin 2019, apo 76.4%. Të dhënat flasin se komunat kanë realizuar planin për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të ujësjellësit në masë prej 72.33%.

Edhe në fushën e menaxhimit të mbeturinave Gjilani është vlerësuar me performancë të mirë në vitin 2019. Komuna që drejtohet nga Lutfi Haziri është radhitur si komuna e 11-të me 85.85%.

Kjo fushë matë mbledhjen dhe deponimin e mbeturinave në komunë si dhe grumbullimin e të hyrave nga faturat e lëshuara për menaxhimin e mbeturinave. Kjo fushë ka një performancë të përgjithshme prej 69.25%.

Të dhënat e raportuara të vitit 2019 nga komunat tregojnë se ekonomitë familjare me qasje në grumbullim të mbeturinave janë në shkallën prej 70.10%. Megjithatë, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) në Raportin për Menaxhimin e Mbeturinave i publikuar më 2018, tregon se mbulimi i ekonomive familjare me këtë shërbim është në shkallën prej 57.7%.

“Shkalla e inkasimit të mjeteve për grumbullimin e mbeturinave del të jetë në masën 73.35%, ngjashëm me raportin e AMMK-së për vitin 2018. Sasia e gjenerimit të mbeturinave në Bashkimin Evropian është 492 kg për kokë banori gjatë vitit 2018, që krahasuar me sasinë e deponimit të mbeturinave në Kosovë, është vlerësuar të jetë arritur në shkallën prej 50.35%”, theksohet në raportin e MPL-së.

Fusha tjetër ku Gjilani është vlerësuar me performancë të lartë është edhe ajo e mbrojtjes së mjedisit. Në raportin e performancës komunale të publikuar nga Ministria e Pushtetit Lokal, Gjilani është renditur në vendin e 15-të me 85.6%.

Kjo fushë matë veprimet e komunës përkatëse për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit natyror dhe jetësor (urban dhe rural) nga dëmtimi, degradimi apo ndotja si pasojë e veprimtarisë njerëzore ose të ndikimit natyror.

Kjo fushë ka një performancë të përgjithshme prej 65.64%. Vërehet një ngritje prej 2.1% krahasuar me vitin paraprak që kishte një performancë të përgjithshme prej 66.1%.

Realizimi i planit të veprimit të mjedis del të jetë arritur në masën prej 64.49%. Lejet mjedisore të lëshuar ishin në shkallën 75.57% ndërsa ndërtesat e reja që kanë zbatuar lejet mjedisore komunale del në shkallë mjaftë të ulët prej 56.85%.

Përfaqësimi i vogël i grave në Komunën e Gjilanit

Përfaqësimi i grave në programet për zhvillim social, ekonomik, në aktiviteteve komunale, në institucionet lokale dhe trupat e kuvendeve komunale në Gjilan, vlerësohet të jetë 37% duke e radhitur komunën në vendin e 24-të.

Me gjithë progresin e komunave ndër vite në sigurimin e përfaqësimit të barabartë në trupat e kuvendeve dhe në komisionet komunale, të dhënat për treguesit e caktuar minimizojnë përqindjen në këtë fushë duke e bërë atë mjaft të ulët, 38.24%”, theksohet në raportin e MPL-së.

Sipas të dhënave të raportuara nga 36 komuna, nga totali prej 37,310 e të punësuarve në institucione komunale, 17,660 prej tyre janë gra, apo 80.66% e kriterit ligjor 50% me 50%.

Po ashtu, 23 komuna dokumentuan të hartuar planin për barazi gjinore, derisa 13 prej tyre nuk e kanë dëshmuar të hartuar këtë plan.

Sa i përket pozitave politike, nga 420 pozita në kuadër të ekzekutivit komunal, 119 janë gra, apo 50.95% e kriterit ligjor në 36 komuna. Përqindja e përfaqësimit në trupat e kuvendeve komunale është 65% e kriterit.

Sipas të dhënave të përfaqësimit të grave në pozitat udhëheqëse në institucionet arsimore, shëndetësore dhe kulturore/sportive, nga 1663 pozita udhëheqëse, 516 prej tyre udhëhiqen nga gratë, apo 59.02 % të përmbushjes së kriterit ligjor.

“Barazia gjinore është mjaft e lartë në institucione komunale ku mesatarisht 80.66% e komunave përmbushin standardin e kërkuar. Përfaqësimi gjinor në këshillat lokale është tejet i ulët dhe shumica dërmuese e komunave nuk kanë asnjë grua që udhëheq këto këshilla. Përfaqësimi gjinor tek emrat e rrugëve komunale është tejet i ulët po ashtu edhe regjistrimi i pronave në emër të një grua apo dy gjinive (bashkëshortë apo vëllezër dhe motra)”, vazhdon raporti i MPL-së.

Në fushën e arsimit parauniversitar, Komuna e Gjilanit është vlerësuar me 68.4%, në vendin e 11-të nga 36 komunat që i kanë raportuar të dhënat. Me performancën më të lartë në këtë fushë është vlerësuar Komuna e Junikut me 83.3%.

Në këtë fushë maten rezultatet në hapësira për çerdhe dhe shkolla të pajisura me kabinete për internet, masa të efiçencës së energjisë, rekrutimin e personelit arsimor, licencimin e mësimdhënësve, mjetet e konkretizimit, pajisjet e shkollave me mjete mësimore, kabinete të TIK-ut, si dhe kushtet e sigurisë në shkollë.  Kjo fushë ka performancën e përgjithshme në nivel prej 66.60%.

Nga totali prej 115 çerdheve publike të 16 komunave sa kanë raportuar, në 15 prej tyre janë raportuar të jenë 38 çerdhe në zona rurale. Krahasuar me numrin e fëmijëve që janë raportuar se jetojnë në 22 komuna të cilat kanë raportuar, 4.91% e fëmijëve të moshës deri në 3 vjeç vijojnë kopshtin,  prej tyre 1.43% në zona rurale.

57.53% të shkollave plotësojnë kushtet me infrastrukturë, pajisje dhe mjete, 50.89% prej tyre kanë masa të efiçiences energjike si dhe 58.48% të shkollave fillore del të jenë të pajisura me kabinete të TIK-ut. Krahas kësaj, 64.19% e shkollave të 34 komunave që kanë raportuar janë të pajisura me masa të sigurisë, ku përfshihen rrethojat dhe kamerat e sigurisë. Përkitazi me hapësirat shkollore, mesatarja në nivel vendi është 11.49 m2 për kokë nxënësi në zonat rurale dhe urbane.

Në 31 komuna që kanë raportuar, niveli i pajtueshmërisë me raportin e synuar nxënës për mësimdhënës, apo 1 mësues për 26 nxënëse, është në shkallën 67.46%. Mësimdhënës të licencuar del të jenë 83.29%. Sa i përket regjistrimit të nxënësve dhe shkallës së përfshirjes së tyre në klasën e parë, komunat nuk kanë ofruar të dhëna të sakta për këtë tregues. Komunat kanë raportuar për gjithsej 93.97% të realizimit të planit të orëve mësimore.

Në fushën e kujdesit primar shëndetësor, Komuna e Gjilanit është vlerësuar me performancë nën 50%. Në raportin e performancës komunale të publikuar nga Ministria e Pushtetit Lokal të viti 2019, Komuna e Gjilanit është radhitur si komuna e 16-të me 48.4%. Në këtë fushë, komuna me performancën më të lartë është Komuna e Junikut me 77.66%. Nga 36 komunat që kanë dërguar të dhëna, 22 janë vlerësuar me performancë nën 50% në fushën e kujdesit primar shëndetësor.

Fusha e kujdesit primar shëndetësor matë infrastrukturën dhe hapësirat e destinuara për shëndetësinë primare, resurset dhe personelin e mjaftueshëm, si dhe ofrimin e shërbimeve nga niveli komunal.

Nga totali i fëmijëve të cilët janë në moshën e imunizimit, janë deklaruar të imunizuar 94.87% e tyre. Në raport thuhet se 36.40% nga objektet e kujdesit primar shëndetësor plotësojnë kriteret me pajisje dhe shërbime laboratorike sipas Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë Nr. 08/2017 MSh.

Ndërsa, raporti mjek familjar si dhe dy infermierë për 2 mijë euro banorë sipas standardit plotësohet në nivelin 69.61%.

Në 32 komuna që kanë raportuar për numrin e vizitave në qendrat primare shëndetësore, të dhënat tregojnë për 6,517,850 vizita mjekësore të pacientëve këto institucione, apo mesatarisht 3.79 vizita për banorë brenda vitit. 5.97% e buxhetit total për shëndetësinë primare mbulohet nga komunat. 67.96% e institucioneve të kujdesit primar shëndetësor ofrojnë shërbime specifike për gra dhe fëmijë.

Në fushën e zhvillimit ekonomik, Komuna e Gjilanit është renditur si komuna e 8-të me 85.7%. Zhvillimi ekonomik lokal është fusha ku 13 komuna janë vlerësuar me performancë mes 80% dhe 100%.

Kjo fushë matë aktivitetet e planifikuara dhe të zbatuara për zhvillimin e aktivitetit ekonomik në nivel lokal duke mobilizuar pronat komunale, dhe përditësim i rregullt i regjistrit të tatimpaguesve si dhe shkallë e lartë e inkasimit e tatimit në prone.

“Mbi gjysma e komunave kanë raportuar për hartimin e planeve për zhvillim ekonomik lokal. Përgatitja dhe publikimi i listës së pronave komunale është në shkallë 59.72%. Ndërsa, azhurnimi i regjistrit për tatim në prone (standardi prej 20%) përmbushet në shkallë prej 70.20%, derisa shkalla e mbledhjes së tatimit në pronë është 51.91%”, theksohet në raportin e Ministrisë së Pushtetit Lokal.