(FOTO) Zvarritje e pafundme në rikonstruktim, gjendje e rëndë në disa rrugë të lagjes “Mati 1”

Punimet në rikonstruktim të rrugës “Muharrem Fejza” bashkë me rrugicat përreth në lagjen “Mati 1” në Prishtinë kanë filluar që nga muaji prill i këtij viti dhe nuk dihet kur do përmbyllen.

Komuna paraprakisht kishte planifikuar që këto punë të kryhen brenda 120 ditë pune, por punimet paralelisht me operatorë që shtrijnë rrjet nëntokësor kanë lënë komunën jashtë çdo parashikimi.

Gëzim Mehmeti, drejtor i Investimeve Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave në Komunën e Prishtinës në fillim të punimeve ka deklaruar se operatorët janë duke u përballur me vonesa si shkak i infrastrukturës nëntokësore.

Atë kohë Mehmeti deklaroi se po hasin në shumë kyçje ilegale për të cilat komuna nuk ka pasur shënime dhe si pasojë janë shkaktuar dëme shtesë.

Përpos rikonstruktimit, në këto rrugë njëkohësisht kanë shtrirë rrjet Termokos, KEDS, Posta, operatorë të internetit, infrastruktura e të cilave është dashur të ruhet përgjatë gjithë kohës.

Në muajin korrik, banorë të kësaj lagjeje kanë protestuar për shkak të vonesës me punime dhe faktin që komuna nuk u kishte lënë rrugë alternative për qarkullim.

Pas kësaj proteste, drejtori Gëzim Mehmeti kishte thirrur të gjithë operatorët në një takim ku u kishte bërë thirrje që në zonën ku është kryer instalimi nëntokësor të shtrohet rruga.

Atë kohë ishte dhënë afat prej 15 ditësh që të shtohet rruga prej 200 metrash.

Këto punime nuk u bënë pas 15 ditëve por, nga data 13 gusht që u kishte dhënë komuna afat kompanive, punimet në 200 metrat e para u bënë më 24 gusht.

Në disa pamje të siguruara nga KALLXO.com është parë se edhe në pjesën ku është bërë asfaltimi, kompania nuk kryer ende punët në shtegun për këmbësor dhe çiklistë.

Dëmtimi i trotuareve gjatë rikonstruktimit ka bërë që këmbësorët të shfrytëzojnë rrugën e makinave si mundësi të vetme.

Pas shtrimit të kësaj gjatësie prej 200 metrave në fillim të rrugës “Muharrem Fejza”, nuk ka pasur asfaltim të mëtejshëm.

Aktualisht “Termokos” ka përfunduar shtrirjen e rrjetit të ngrohjes përgjatë rrugës “Muharrem Fejza”, ndërsa është ende duke kryer punime nëpër rrugicat përreth.

Kosto e punimeve të kësaj rruge në bazë të kontratës shkon deri në 700 mijë euro.

Bashkë me rikonstruktim të rrugëve, parashihet edhe shteg për këmbësorë, çiklistë dhe persona të verbër.

Komuna nuk ka dhënë ndonjë detaj se kur pritet të përfundojë në tërësi projekti i rikonstruktimit të rrugës “Muharrem Fejza” dhe rrugicave  tjera.

Derisa, nga “Rahovica Company” që po kryen punët në infrastrukturën rrugore kanë deklaruar se punimet nuk varen vetëm nga ana e tyre, pasi njëkohësisht ka shtrirje të rrjetit nëntokësor dhe pengesa nga makinat e parkuara në rrugë.

“Kemi shtyrje të punimeve dhe telashe të mëdha me instalime nëntokësore nga operatorët tjerë, puna shpesh ka ngecur pasi ata kanë punuar pas nesh, po ashtu pengesë janë edhe banorët e lagjes dhe bizneset përreth që parkojnë makinat në rrugë”, kanë thënë nga kompania.

Më poshtë gjeni pamje të rrugëve dhe gjendjen e tyre prej disa muajsh.

Rruga “Muharrem Fejza”

Rruga “Muharrem Fejza”

Rruga “Muharrem Fejza”

Rruga “Muharrem Fejza”
Rruga “Muharrem Fejza”
Rruga “Muharrem Fejza”
Rruga “Muharrem Fejza”
Rruga “Muharrem Fejza”
Rruga “Muharrem Fejza”
Rruga “Muharrem Fejza”
Rruga “Muharrem Fejza”
Rruga “Muharrem Fejza”