Ilustrim

Fillojnë vizitat sistematike shëndetësore në shkollat e kryeqytetit

Drejtoria e Shëndetësisë në Prishtinë në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit sot filloi vizitat sistematike shëndetësore për nxënësit e shkollave në kryeqytet.

Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku, bëri të ditur se kontrollet kryhen për nxënës të klasave I, V dhe IX.

“Këto vizita realizohen nga stafi mjekësor i kujdesit parësor shëndetësor pas vitit akademik 2018\19 dhe kanë si synim kontrollin shëndetësor të të gjithë nxënësve të klasave të I, V dhe IX në të gjitha shkollat me qëllim të zbulimit dhe parandalimit të sëmundjeve, promovimin e shëndetit dhe edukimin shëndetësor” – ka thënë Sadiku.

Sipas tij, me anë të këtyre vizitave i mundësohet Drejtorisë së Shëndetësisë të marr masa për të ardhmen në evitim të patologjive.

“Gjatë këtyre vizitave, do të identifikohen shumë patologji, të cilat do të ndihmojnë Drejtorinë e Shëndetësisë të marr masat e duhura për evitimin e tyre në të ardhmen. Përmes programeve të: Promovimit të ushqimit të shëndetshëm, Forma të shëndetshme të jetës, Promivimit të ruajtjes së higjienës personale dhe Promovimit të ruajtjes së higjienës orale” – shtoi më tej Sadiku.

Sadiku u bëri lutje prindërve që të bashkëpunojnë me stafin shëndetësor dhe mësuesit pasi këto vizita janë të rëndësishme për shëndetin.

“Duke marrë shkas nga kjo situatë dhe rëndësinë që këto vizita kanë në shëndetin e fëmijëve, lusim të gjithë prindërit e fëmijëve, për bashkëpunim dhe koordinim të plotë me stafin shëndetësor si dhe me mësuesit dhe kujdestarët e klasave përkatëse”- tha Sadiku.

Drejtori Sadiku së bashku drejtoreshën e Arsimit, Besiana Musmurati dhe drejtorin e QKMF-së, Bujar Gashi, sot vizituan shkollën fillore “Shkëndija” në Hajvali për të parë nga afër procesin e vizitave sitematike të nxënësve në shkollat e kryeqytetit.