Komuna e Vitisë, Foto: Komuna e Vitisë/Facebook

Realizimi i premtimeve në riintegrim dhe risocializim në Viti

Në vitin 2021 kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, garonte për të parin e komunës dhe gjatë zgjedhjeve atij i ishte kërkuar edhe zotimi se cilat aktivitete do i ndërmerrte komuna e Vitisë, në parandalimin e ekstremizmit të dhunëshëm dhe në realizimin e projekteve në trajtimin e personave të rikthyer nga zonat e luftës.

Ai në premtime kishte folur për aktivitetet e komunës, me premtimin që të njëjtat do vazhdonin edhe gjatë mandatit të tij të dytë në vitin 2022.

Në premtimet e Halitit ishin përmendur se do vazhdonte ta përkrahte ndërtimin e mekanizmit referues, do vazhdonte që Komuna të mbante ligjërata në shkolla. Në premtimet e tij gjithashtu ishte edhe  fuqizimi i zyrës për integrimin e personave që kanë marrë pjesë në luftë dhe angazhimi i psikologëve në shkolla dhe aktivitete të ngjashme.

Muaj më vonë, të dhënat nga komuna e Vitisë tregojnë se Komuna ndërmori disa aktivitete në implementimin e premtimeve, mirëpo jo në sasinë e premtuar.

Sipas të dhënave, brenda një viti Komuna ka mbajtur dy aktivitete për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, ndërsa 12 projekte kulturore janë përkrahur.

Komuna ka thënë se ka përkrahur 12 projekte kulturore, vetëm gjatë vitit 2021.

Por në web-faqen e Komunës figurojnë 11 projekte të tilla që janë përkrahur. KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin e Kulturës, Valmir Sahiti, i cili ka thënë se është edhe një aktivitet tjetër për ditën e fëmijëve me 1 qershor që është përkrahur, por që ka qenë jashta thirrjes publike.

“Ka qenë domethënë përveç atyre 11 që janë të publikuara, edhe një aktivitet tjetër për ditën e fëmijëve, por që ka qenë jashta thirrjes publike”, ka thënë Sahiti.

Tutje, Komuna ka thënë se ndër vite ka mbajtur 4 debate me shkollat e mesme, për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Konkretisht në vitin 2017, 2018, 2019 dhe 2021.

KALLXO.com ka kontaktuar tre drejtorët e tri shkollave të mesme në Viti. Muj Tafën nga gjimnazi ‘Kuvendi i Lezhës, Mufail Halabakun nga shkolla e mesme ‘Kongresi i Manastirit’ në Pozheran dhe Nijazi Lutfiu nga shkolla e mesme ‘Jonuz Zejnullahu.

Muj Tafa ka thënë se në vitin 2021 ka qenë e organizuar një tryezë diskutimi me temën ‘Trafikimi me qeniet njerëzore’, ku është diskutuar sipas tij, edhe për temën e ekstremizmit të dhunshëm. Por që aktivitet të veçantë për këtë temë ai tha se nuk i kujtohet, por që rekomandoi të kontaktohet psikologu i shkollës. Ky i fundit nuk ka qenë i qasshëm për të japur më shumë informata.

Ndërsa Mufail Halabaku, drejtor i shkollës ‘Kongresi i Manastirit’, ka thënë për KALLXO.com se bashkë me psikologun e shkollës kanë mbajtur diskutim me nxënësit e shkollës për ekstremizmin e dhunshëm.

“Bile, ne e kemi pasur një nxënës, që babain e ka pasur të kthyer nga luftra të huaja. Me to jemi marrë shumë, pasi që kishte filluar ta lërë shkollën, por me anë të psikologut e kemi trajtuar rastin. Ndërsa për vitet tjera paraprake, nuk e di se nuk kam qenë drejtor”, ka thënë ai.

Kurse drejtori i shkollës ‘Jonuz Zejnullahu’, Nijazi Lutfiu, ka thënë se në vitin 2020 nuk ka pasur aktivitete të tilla, pasi ka qenë viti i pandemisë, ndërsa aktiviteti i fundit që është mbajtur në lidhje me temën e ekstremizmit të dhunshëm, në shkollën e tij, ka qenë në qershor 2021. Aktiviteti ka qenë i organizuar nga Këshilli i Sigurisë në Bashkësi.

“Në vitet paraprake kemi mbajtur takime dhe diskutime të tilla. I fundit ka qenë në vitin 2021, më saktë në 24 qershor 2021 ku organizator ka qenë Këshilli i Sigurisë në Bashkësi dhe ka qenë takim regjional, domethënë kanë marrë pjesë edhe të komunave tjera për rreth”, ka thënë Lutfiu.

Tutje, Komuna e Vitisë ka përmendur disa aktivitete të Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, të cilat sipas tyre janë mbajtur. Ata kanë përmendur si aktivitete në ofrimin e shërbimeve për fëmijët e mbetur pa përkujdesje dhe Hapat për mbrojtjen e të moshuarve pa përkujdesje familjare.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtoreshën, Merrushe Ahmeti, por e njëjta ka thënë se është në pushim mjekësor dhe nuk mund të jap informata.

Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, në debatin për zgjedhjet lokale të vitit 2021 kishte përmendur organizimin e ‘Zyrës për Rikthim dhe Riatdhesim’, për të trajtuar të rikthyerit nga luftrat e huaja.

Kjo zyre aktualisht është funksionale, por në të punon vetëm një punëtor.

Demush Mehmeti, udhëheqës i Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Vitisë për KALLXO.com, ka thënë se ky punëtor punon me orar të plotë.

“Po është funksionale Zyra për Rikthim dhe Riatdhesim. Por në të punon vetëm një punëtor, me orar të plotë”, ka thënë Mehmeti.

Në pyetjen se a është organizuar ndonjë aktivitet në lidhje me temen e ekstremizmit të dhunshëm, apo të trajnimit të personave të rikthyer, Mehmeti ka thënë se vetëm ka marrë pjesë në aktivitete të tilla.

“Në vitin 2021 ka pasur aktivitete ku kemi marrë pjesë në lidhje me këtë temë, që kanë qenë të organizuar nga organizata të ndryshme, por që saktë nuk më kujtohet, ndoshta 3-4. Por ne nuk kemi organizu ndonjë aktivitet, pasi nuk kemi ndonjë buxhet të ndarë për aktivitete të tilla”, ka thënë Mehmeti.

Të dhënat tregojnë që gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, zyrtarë të Komunës kanë marrë pjesë në një puntori e cila synon rritjen e kapaciteteve të tyre. Kjoi punëtori kishte për temë ‘Zbatimin në praktikë të Rregullorës (QKR), për rintegrimin e Personave të  Riatdhesuar’.