Raportimet e pasigurta për sigurinë

Shkruar nga Leart Hoxha

Pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë ka qenë tema kryesore në mediat ndërkombëtare dhe së paku që nga fundi i shkurtit, termet si “Ukraine”, “Ukraina”, “Putin”, ose “sa banor ka ukraina” , kanë qenë ndër më të kërkuarat në google edhe nga kosovarët.

Mediat e Kosovës, po ashtu i kushtuan vëmendje shumë të madhe pushtimit të Ukrainës, duke postuar me dhjetëra lajme në ditë për situatën atje, disa media madje dërguan reporterë në Poloni, në kufi me Ukrainën, kurse së paku një kompani mediale, raportoi edhe nga Ukraina.

Mirëpo, lufta në Ukrainë, hapi mundësinë e një “beteje” të brendshme të lajmeve të rrejshme, gjysmë të vërtetave dhe citimeve e deklarimeve të ndryshme rreth situatës atje dhe rreth implikimit të mundshëm të kësaj situate në Kosovë.

Në tërë këtë vorbull të informacioneve gjysmake ishin tri shtylla të diskursit publik, që në fokus kanë pasur situatën e sigurisë në Kosovë; angazhimin e mundshëm të FSK-së në Ukrainë, rolin e KFOR-it në Kosovë dhe spekulimet rreth shkaktimit të një krize të mundshme në Kosovë.

FSK-ja dhe kapacitetet e saj

Sipas Ligjit, Forca e Sigurisë së Kosovës mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës. FSK është forcë ushtarake multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me kompetencat e dhëna kushtetuese dhe ligjore.

Këto kompetenca dhe ky status FSK-së i janë dhënë më 2019 dhe që nga ajo kohë, FSK ka shërbyer në një mision ndërkombëtar, në Kuvajt, si pjesë e kontingjentit të Gardës Kombëtare të Ioëas (SHBA).

Sidoqoftë, që nga eskalimi i situatës në Ukrainë, ka pasur postime e tituj çorientues për lexuesin, në të cilin thuhet se “FSK edhe në Ukrainë kundër pushtimit rus”. Tutje nën-titulli thoshte se “kufiri mes Rusisë e Ukrainës është i mbushur me ushtarakë. Këtyre forcave mund t’u bashkohet edhe Kosova, qysh nga (sot) kjo e enjte.”

Por, në fakt lajmi fliste për hyrjen në fuqi Ligji i ri për dërgimin e FSK-së Jashtë Vendit.

Kishte edhe lajme të prodhuara jashtë Kosovës, që janë demantuar nga institucionet e vendit. Agjencia e lajmeve ruse TASS, raportoi më 18 shkurt se ministri Lavrov ka thënë se Rusia po verifikonte raportimet se “mercenarët nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina po dërgohen në Donbas”.

Kundër këtyre lajmeve të rrejshme ishte detyruar që të reagoi edhe ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“MPJD vlerëson se deklaratat e agjencisë së lajmeve TASS dhe ministrit Lavrov janë pjesë e një fushate të egër të propagandës ruse që kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes së gjithë botës demokratike nga ankthi që po krijon politika hegjemoniste dhe e diktatit rus mbi të drejtat e popujve për jetë të lirë e sovrane”, thuhet në kumtesën e MPJD-së.

Po ashtu shumë është shkruar për armatimin e FSK-së, kapacitetet këmbësorike të kësaj force dhe është spekuluar për buxhetin për armatim dhe blerjet e armatimit të ri.

Spekulimet rreth FSK-së mund të ndahen në dy grupe kryesore, varësisht nga burimi i tyre: në grupin e parë mund të klasifikohen spekulimet dhe lajmet e rrejshme që bëhen nga faqet në facebook e mediat, kurse në grupin e dytë spekulimet që bëhen nga politikanët ose njerëzit që kanë qenë të përfshirë në politikë.

Nëse ndalemi në grupin e parë, shohim se ka pasur rrena banale dhe të dëmshme, si ajo për zhdukjen e Komandantit të FSK-së, ose për dërgimin e FSK-së në Ukrainë.

Sidoqoftë, më shqetësuese janë temat që kanë të bëjnë me armatim të FSK-së dhe shkrimet që janë të rrejshme dhe kanë elemente të gjuhës nxitëse, apo edhe gjuhës së urrejtjes.

Këtu duhet veçuar postimet që kanë të bëjnë me aterimin e një avioni ushtarak britanik në Kosovë, për të cilin u tha se barte armatim për FSK-në, ose postimet për armatimin që FSK do ta blejë nga Turqia, që i fut tmerrin Serbisë , ose për fjalimin e Presidentes që dridhi Ballkanin.

Në grupin e dytë të spekulimeve bëjnë pjesë deklarimet politike rreth Fondit të Sigurisë. Kryeministrit Albin Kurti, për vetëm disa ditë janë mbledhur miliona Euro, kurse kompani të ndryshme, korporata që më herët kanë përfituar nga tenderët publikë, por edhe individë të ndryshëm, kanë postuar publikisht se në çfarë vlera kanë kontribuar në fondin për FSK-në.

Lidhur me këtë temë, së paku dy politikanë të profilit të lartë në Kosovë, Xhavit Haliti dhe Fatmir Limaj, specifikisht kanë deklaruar se FSK nuk mund të blejë armatim pa leje të KFOR-it ose NATO-s.

Në anën tjetër, në Kuvendin e Kosovës ka pasur vazhdimisht kërkesa që financat e këtij fondi të jenë transparente.

Një debat midis Ministrit të Financave Hekuran Muratit dhe deputetit të PDK-së Abelard Tahirit, la të nënkuptohet se në fond janë mbledhur mbi 2 milionë Euro, por po ashtu dëshmoi se Qeveria nuk ka gatishmëri ti bëjë publike as financat e fondit, as kohëzgjatjen sa do ta mbajë të hapur fondin, as mënyrën e përfshirjes së fundit në buxhet të shtetit, e as afatet kohore kur blen armatim ose pajisje me paratë që qytetarët po deponojnë në fond.

Për më shumë, nga së paku një deputete, fondi është cilësuar si plaçkitës, duke e hapur edhe më shumë mundësi për spekulime.

Misioni i KFOR-it

Edhe rreth misionit dhe punës së KFOR-it në Kosovë, ka pasur lajme të rrejshme, të cilat ishin vlerësuar si propagand ruse nga zyrtarët amerikanë. Sidoqoftë, këto janë demantuar, kurse ajo që fare pak raportohet është se ndërmjet KFOR-it dhe FSK-së ekziston një marrëveshje, sipas së cilës FSK nuk angazhohet në veri të Kosovës, pa lejen e KFOR-it.

E njëjta marrëveshje ishte dërguar në prokurori nga Kryeministri Kurti, i cili e bëri atë publike dhe e cilësonte si joligjore.

KFOR-i në Kosovë operon në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe aktualisht numëron mbi 3,000 pjesëtarë nga mbi 20 shtete.

Spekulimet rreth krizës në Kosovë

Pushtimi i Ukrainës, përveç lajmeve të rrejshme të postuara në internet, ka qenë edhe burim i shumë spekulimeve, në formë të opionioneve, kryesisht në debate televizive.

Opinionistët televizivë, duke u shërbyer me gjysmë të vërteta kanë spekuluar dhe kanë dhënë deklarata të pa bazuara në fakte për fuqinë e FSK-së, fuqinë e Ushtrisë së Serbisë, mundësinë e destabilizimit të situatës në Kosovë, rolin e NATO-s në Kosovë etj.

Kishte edhe deklarata që paralajmëruan ngritje të tensioneve që ngjallin frikë, sidomos të qytetarëve që jetojnë në zonat e banuara me qytetarë të kombësive të ndryshme.

Ish ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, ka thënë se sulmi në Ukrainë nuk ka qenë befasi dhe ka paralajmëruar sjellje agresive të Serbisë.

Ish zv. ministri i Kulturës Halil Matoshi ka folur rreth përfshirjes së inteligjencës ruse në Kosovë dhe është prononcuar rreth aramtimit të FSK-së në një rast tjetër.

Ish Ambasadori i Kosovës në Çeki, Arbër Vllahiu ka folur për investime të shumta të Rusisë në armatim dhe infrastrukturë në Serbi, pa dhënë shumë detaje ose burime.

Ish Ambasadori i Kosovës në Bullgari Edon Cana, ka folur për mundësinë e destabilizimit të veriut të Kosovës në këtë kohë dhe ka deklaruar se njerëzit në veri janë të manipuluar nga Beogradi dhe se Kosova është gjithmonë e rrezikuar nga Serbia.

Kuptohet, në emisione televizive paraqiten edhe mysafirë, që nuk kanë karrierë në politikë, media ose çështje të sigurisë, por që spekulojnë se NATO nuk ka beneficion ta anëtarësojë Kosovën në radhët e veta ose edhe politikanë që pohojnë se për konflikt duhet të bëhemi gati.

Edhe pse spekulime dhe lajme të rrejshme në rrjete sociale ka shumë më shumë, debatet televizive ku ndërtohen argumentet të paqena ose flitet për tema të sigurisë pa mbulesë në fakte dhe në burime të sigurta, po ashtu kanë marrë hov.

Në shumicën e debateve televizive nuk ka punë nga terreni, nuk ka shumë hulumtime ose vërtetim të fakteve, por më shumë ballafaqim të opinioneve. Përderisa kjo në vete nuk përbën shkelje ligjore dhe liria e mendimit është kategori kushtetuese, jemi dëshmitarë që në emër të kësaj lirie mund të përhapen dezinformata dhe propagandë.

Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i verifikimit të fakteve për të luftuar lajmet e rreme dhe dezinformatat në Kosovë”. Programi realizohet nga BIRN me mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Mendimet, gjetjet dhe konkluzionet e paraqitura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish ato të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.