Deponia ilegale në Hoçë të Madhe.

Qyteti i bujqësisë ende në hall me mbeturinat e mungesën e ujit

Rahoveci është qyteti kampion i Kosovës sa i përket përpunimit të tokës. Por, problemet e qytetit të rrushit nuk janë të vogla krahasuar me territorin e kësaj komune.

Me rreth 76 mijë banorë e 36 fshatra përreth, hallet e banorëve të Rahovecit vazhdojnë të jenë për mungesën e kushteve elementare të jetesës.

Në hyrjet dhe daljet e këtij qyteti mund të hasësh në shumë deponi të mbeturinave që nga ana e kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ishin quajtur “marre” në kohën e zgjedhjeve të vitit 2017.

3 vite më pas, ‘marret’ e ish-qeverisjes së PDK-së, Latifi po vazhdon t’i ketë edhe në mandatin e tij.

“Unë du mi siguru qytetarët e Rahovecit që një nga përkushtimet e para dhe vendimet e para është me menaxhu këto hapësira dhe bërrllog, mi adiminstru pergjegjshëm dhe mbeturinat në hyrjet e daljet që po e mbushin me marre komunën tonë nuk do të lejojë më”, kishte thënë Latifi në debatin zgjedhor më 16 nëntor 2017.

Edhe pse mbledhja e mbeturinave po ashtu bëhet në tërë territorin e komunës, kurse pastrimi i rrugëve bëhet në dy faza të pastrimit, deponitë ilegale vazhdojnë të qëndrojnë në lokacione të ndryshme.

Ato janë në fshatin Samadrexhë, Hoçë të Madhe, në hyrje të qytetit si dhe në qendër të qytetit në afërsi të vendit të ashtuquajtur “Esra Palace”.

Deponia ilegale në fshatin Samadrexhë.
Deponia ilegale në Hoçë të Madhe.
Deponia ilegale prapa “Esra Palace”.
Deponia ilegale prapa “Esra Palace”.

Sipas të dhënave të komunës, Rahoveci nuk ka deponi zyrtare të mbeturinave të vëllimshme, por ka deponi legale inerte. Kurse, sa i përket mbeturinave ilegale, janë gjithsej 23 të identifikuara nga komuna.

Infrastruktura, uji e kanalizimi

Banorët e Rahovecit janë në hall me sigurimin e parkingut të lirë, gropave të hapura në qytet, por atyre ju mungon edhe uji dhe rrjeti i kanalizimit.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi kishte premtuar në fushatën e vitit 2017 se banorët e fshatit Pastaselë do të kenë 24 orë ujë.

”Besoj që në fshatin Pastasel do të ketë ujë 24 orë”, kishte thënë Latifi.

Në Rahovec gypat e ujësjellësit janë vendosur, por furnizimi me ujë nuk është i rregullt. Një rast të tillë e kanë banorët e fshatit Pastaselë.

“Ujë na nuk kemi, gypat janë vendosur por kurrë me rregull nuk vjen. Dy herë javë vjen, nganjëherë tri herë në javë, por me rregull nuk kemi edhe pse na ka premtu kryetari”, thotë Tahir Krasniqi, banor i këtij fshati.

Banorët e këtij fshati po ashtu kanë probleme edhe me kanalizim pasi që ujërat e zeza po derdhen në livadhe.

“Por më keq është kanalizimi se e ka nis që 5 -6 vjet e kanë qu deri dikun e kanë lënë në derdhë në gryke të livadheve, aty jo që s’është kry e që është dëmtu, por është helmu edhe bari por edhe ajri”, shton Krasniqi.

Edhe në fshatin Senoc, investimet në kanalizim të kryera në mandatin e parë të Smajl Latifit, u shkaktojnë probleme banorëve, pasi edhe në këtë fshat kanalizimi po derdhet në fushat e fshatit.

Derdhja e kanalizimit në Senoc.

“Krejt rrjeti i kanalizimit derdhet këtu dhe është paraparë me e u bë një gropë septike, por kështu e ka lënë, verës shumë vjen era, s’mundesh me kalu, plus kejt këto ujëra derdhen në fusha në livadhe, në ara dhe ka mbet kështu në mëshirën e zotit”, thotë Ragip Krasniqi, banor i këtij fshati.

Komuna e Rahovecit ka qasje në kanalizim me 93.3% në 36 vendbanime, 6.4% e kanë pjesërisht, dhe 0,3% nuk kanë kanalizim siç është fshati Kaznik.

Megjithatë, hallet e fshatit Senoc nuk janë vetëm për kanalizimin, por edhe për mungesën e ndriçimit publik dhe trotuarit.

Fshati Sonoc pa ndriçim publik dhe trotuar.

Sa i përket problemeve të infrastrukturës nuk janë vetëm fshatrat në këtë gjendje. Në hyrje të qytetit të Rahovecit mund të hasësh në gropa të hapura.

Gropa në hyrje të Rahovecit.

Punimet në rrugën me katër korsi nga Rahoveci deri në Xërxë është nisur në vitin 2019, por një vit më pas qytetarët ende nuk e kanë parë të asfaltuar këtë rrugë.

Rruga katër korsi Xërxë- Rahovec. Foto: 24.09.2020

Premtim tjetër në vitin 2017 Latifi kishte dhënë edhe sa i përket krijimit të parkingjeve të reja. Por, qytetarët e Rahovecit kanë në dispozicion vetëm dy parkingje.

“3 ose 4 parkingje mund të krijohen, nëse e marrim mendimin e ekspertëve të trafikut. Parkingje në rrugët kryesore do të përpiqemi”, kishte thënë Latifi.

Tri vite pas, sipas komunës janë dy parkingje në Rahovec. Njëri në afërsi të Palestrës së Sporteve e tjetri në afërsi të shkollës “Bekim Sylka”.

Qyteti i Rahovecit që nga fillimi i  mandatit të Smajl Latifit ka mbjellur vetëm 10 mijë drunj dekorativ. Kurse, Latifi në vitin 2017 kishte premtuar se deri në fund të mandatit do t’i mbjellë 20 mijë drunj.

Shëndetësia dhe arsimi

Në Rahovec që nga fillimi i mandatit të kryetarit nuk është mbyllur asnjë shërbim shëndetësor, por as nuk është hapur ndonjë shërbim i ri. Mbi 20 pacientë të Komunës së Rahovecit duhet të udhëtojnë çdo ditë në Prizren për të marrë shërbimin e hemodializës.

Në qytetin e tyre, në Rahovec, me taksat e qytetarëve në vitin 2017 është ndërtuar reparti i hemodializës, por pacientët nuk po marrin trajtim për shkaqe burokratike.

Investimet në hemodializën e Rahovecit ishin bërë në kohën sa ka qenë kryetar komune, Idriz Vehapi nga PDK dhe ka kushtuar mbi 400 mijë euro.

Edhe pse Komuna e Rahovecit thirret në atë së shërbimi i hemodializës është shërbim sekondar, kjo komunë në janar të vitit 2019 kishte shpallur konkurs për angazhimin e një fizioterapeuti.

Sipas Udhëzimit Administrativ të Shëndetësisë  08/2017, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) e një komune nuk ofron shërbime të fizioterapisë dhe nuk ka të drejtë për shpalljen e konkursit për fizioterapeut.

Edhe Ministria e Shëndetësisë, gjithashtu e kishte konfirmuar se QKMF-ja e një komune nuk ka të drejtë të shpallë konkurs për fizioterapeut. Por, sipas komunës, fizioteraputi kishte filluar punën.

Në komunën e Rahovecit janë 42 objekte të shkollave, ku përfshihen shkollat amë dhe paralelet e ndara, por vetëm 4 shkolla kanë dalje emergjente, që do të thotë se 38 objekte shkollore janë pa dalje adekuate emergjente.

Në komunën e Rahovecit janë të punësuar 745 mësimdhënës. Sipas komunës, në vitin 2017 janë punësuar 47 mësimdhënës, në vitin 2018 janë punësuar 43 mësimdhënës kurse në vitin 2019 janë punësuar 40 mësimdhënës.

Në komunën e Rahovecit funksionon vetëm një çerdhe publike në të cilën momentalisht gjenden 52 fëmijë të moshave të ndryshme. Ky numër i vogël në qytet është si pasojë e hapësirave të pa mjaftueshme të objektit, ku funksionon kjo çerdhe, pasi objekti i ri i cili është në përfundim e sipër ka kapacitet për 250 fëmijë.

Rahoveci e ka marrë me prioritet edhe integrimin e fëmijëve në arsimin e hershëm edhe në fshatrat e saj. Në ndërtim e sipër janë edhe tri çerdhe në Ratkoc në Xërxë dhe në Krushë të Madhe.

I pari i Rahovecit në vitin 2017 kishte premtuar se do t’i ndërtojë 4 çerdhe në gjithë mandatin e tij. “4 çerdhe të reja në krejt mandatin”, kishte thënë Latifi në debatin për balotazh më 16 nëntor 2017.

Hallet e bujqve

Rahoveci njihet për prodhimin e rrushit dhe perimeve, por bujqit e kësaj ane kanë disa probleme.

Vreshtarët e Rahovecit në vazhdimësi kanë probleme me çmimin e shitjes ndërsa kanë problem edhe me rrugën kryesore të zonës së vreshtave në Rahovec.

Habib Dina nga Shoqata e Vreshtarëve thotë se rrushi i tyre ende është i pavjelur dhe ky është një problem i trashëguar ndër vite.

Vreshta e pavjelur.

“Problemi kryesor si shoqatë e vreshtarëve e kemi shitjen e rrushit, plasmanin e rrushit. Çdo vit ballafaqohemi me të njëjtat probleme. Sot është data 19 tetor dhe shumë vreshta janë të pavjelura, ky është problemi kryesor dhe ballafaqohemi me të çdo vit me të njëjtin problem dhe çmimi i rrushit është shumë i ulët, 0.10 një kilogramë”, thotë Dina.

Tregu në Bërnjak.

Rahoveci ka një treg që është ndërtuar në fshatin Bërnjak, por për tregtarët investimi është i papërshtatshëm dhe nuk është në vendin adekuat.

“Ne në Rahovec kemi problem këtu me tregun me pakicë, këta e kanë planin me na pru këtu në Bërnajk, por për qytetarët e Rahovecit, tregu me pakicë nuk është funksionale këtu. Është mirë me pas në qytet dhe me qenë i mbyllur në qytet”, thotë Rexhep Haxhijaha, tregtar.

Kurse, sipas komunës, në mungesë të hapësirës së mjaftueshme për ndërtimin e një tregu me infrastrukturë moderne, gjatë vitit 2019, është bërë renovimin i tregut aktual, kurse për vitin 2021 janë ndarë një mjete për ndërtimin e disa tregjeve në qendra të mëdha si në: Krushë të Madhe dhe Ratkoc.

“Ndërkaq, sa i përket tregut të rrushit, projekt i bashkëfinancuar me MBPZHR-në “Ndërtimi i infrastrukturës për festivalin dhe tregun e rrushit” ka përfunduar me shumë sukses duke ju përmbajtur kontratës së nënshkruar me OE. Në bazë të këtij projekti i cili ka filluar nga qeverisja e kaluar, janë zhvilluar punimet e kanalizimit atmosferik, punimet sipërfaqësore në parter si dhe është bërë ndërtimi i 32 tezgave të drurit të cilat shërbejnë për promovimin dhe shitjen e produkteve bujqësore”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi në zgjedhjet e vitit 2017 kishte premtuar se do ta rrisë buxhetin për bujqësi. “Buxheti për bujqësi në vitin 2019 do të jetë 1 milion euro”, kishte thënë ai.

Për këtë çështje, Latifi e ka mbajtur fjalën dhe buxheti për investime kapitale në bujqësi në vitin 2019 ka qenë mbi 1 milionë euro, kurse në vitin 2018 ka qenë mbi 447 mijë euro.

Sporti e Kultura

Rahoveci ka një ekip të basketbollit që garon në ligën e parë të Kosovës. Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi në vitin 2017 kishte premtuar se në fillim të vitit 2018 do të luhet loja e parë e këtij ekipi në stadiumin e ri të këtij qyteti.

“Përfundimi i palestrës sporteve, ne besojmë që në fillim të vitit të ardhshëm do të përfundohet dhe funksionalizohet. Nëse, jo jam i gatshëm me dal në protestë”, kishte thënë Latifi.

Por, qytetarët e kësaj ane Latifin nuk e panë në protestë e palestra u përurua tek në vitin 2019, më 28 shkurt.

Qyteti i rrushit po ashtu njihet edhe për lashtësinë e tij. Ai është një ndër qytetet më të vjetra të Kosovës.

Në vitin 2017, kryetari i Komunës së Rahovecit kishte premtuar kushte më të mira dhe pasurim me shumë artefakte për Muzeun e Qytetit.

“Ka nevojë të ketë mbështetje më direkte që të pasurohet më shumë, do ta funksionalizojmë muzen në vitin 2018, një përkushtim të veçantë do ta kemi për muzeun”, kishte thënë Latifi më 16 tetor të vitit 2017.

Por, tre vite më pas, ky muze ka mungesë të artefakteve dhe monumenteve që dokumentojnë historinë e këtij qyteti.

Ato po qëndrojnë në shtëpi të individëve të ndryshëm si dhe për shkaqe të sigurisë, ato janë bartur në Prishtinë dhe Prizren.  Madje, edhe ciceroni i këtij muzeu është pensionuar.

Mbi 90 mijë euro për dy vite në karburante

KALLXO.com ka siguruar nga komuna të dhënat e shpenzimeve të zyrtarëve komunalë të Rahovecit, si në karburante dhe në shërbime telefonike. Sipas këtyre të dhënave, komuna ka harxhuar gjatë vitit 2018, 46,448 euro në karburante, ndërsa në vitin 2019, 49,734 euro,

Sa i përket shpenzimeve në darka dhe dreka, në vitin 2018 komuna ka shpenzuar 9, 676 euro, ndërsa në vitin 2019, 9,280 euro.

Kurse, në shpenzimet e telefonit, kryetari i Komunës së Rahovecit gjatë vitit 2018 ka shpenzuar 479 euro dhe të njejtën shumë në vitin 2019.

Shpenzimet e telefonit për nënkryetarin, Fatmir Iska gjatë dy viteve kanë qenë po ashtu të njëjta, 299,40 euro si në vitin 2018, po ashtu edhe në vitin 2019.

Kurse, shpenzimet e telefonit për dymbëdhjetë Drejtorët komunal dhe Kryesuesi i Kuvendit, Afrim Dina janë: 2018, 3.890 euro dhe po ashtu edhe në vitin 2019, 3.890 euro.

 

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).