Shtrati i betonuar i lumit Graçanka pranë Qendrës së Shkollës së Mesme FOTO-KALLXO.com

Premtimet dhe realiteti në Komunën e Graçanicës

Ndërtimet e vazhdueshme janë një pamje identifikuese për qytetin e Graçanicës që gjendet pak kilometra larg kryeqytetit të Kosovës.

Megjithatë, 12 vite pas formimit, banorët e Graçanicës përballen me halle të mungesës së infrastrukturës, vendeve të punës si dhe ndotjes që po i bëhet lumit të këtij qyteti.

Që kur është formuar Komuna e Graçanicës nuk pushon së qeni një shesh ndërtimi. Është ndërtuar dhe rindërtuar shumë, duke filluar me objekte të infrastrukturës, rrugë, trotuare, kanalizime, rrjete të ujësjellësit dhe energjisë elektrike, sistemin e hidrantit, rregullim të peizazheve, pajisje të institucioneve arsimore dhe shëndetësore. 

Sidoqoftë, një premtim, duke filluar nga kryetari i parë i komunës (i cili nuk është më gjallë) deri te ai aktual, Sërxhan Popoviq, nuk e ka përmbushur asnjëri në mandatin e tij. 

Edhe pse në fushatën zgjedhore, si kartë kryesore të fitimit të votave, të gjithë premtuan se do të nisin fabrika prodhimi dhe të sjellin investitorë, gjë që do të mundësonte hapje të vendeve të punës për një numër të madh të rinjsh, kjo nuk ka ndodhuri edhe pas kaq shumë kohësh.

U paralajmërua se, në bashkëpunim me kompaninë “Metalka Major” nga Jagodina, do të nisë prodhimi i kabllove në fabrikën në Batus dhe kjo nuk u bë.

U paralajmërua gjithashtu edhe hapja e një fabrike për prodhimin e njehsorëve të energjisë elektrike dhe llambave led në sallën e Llapna Sellës. Këtu do të duhej të punësoheshin 40 punëtorë. Mini fabrika për prodhimin e llambave kurrë nuk filloi të punojë. Askush nga qeverisja lokale nuk është përgjigjur në pyeten se pse ka ndodhur kjo.

Fjalia e preferuar e të gjithë kryetarëve të komunave në fushatën zgjedhore ishte se ata duan ta bëjnë Graçanicën një mjedis urban. Megjithatë, më parë, duhej të miratohej një plan urbanistik i specifikuar qartë. 

Graçanica nuk ka plan urbanistik, por ka hartën zonale si pararendëse të tij. Plani urbanistik, siç është paralajmëruar, duhet të zhvillohet në bashkëpunim me ekspertë nga Sllovenia dhe Fakulteti i Arkitekturës në Mitrovicë. Megjithëse versioni i tij përfundimtar është paralajmëruar disa herë, madje gjatë vitit 2018, ai nuk është bërë as pas dy vjetësh.

Drejtoresha Komunale për Planifikim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit Mirjana Stanojeviq thotë se ka nisur procedura për hartimin e Planit të ri Zhvillimor dhe hartës zonale e cila do të përcaktojë zhvillimin hapësinor të komunës.

“Draft verzioni i planit të detajuar urbanistik, i cili u punua në vitin 2018 në bashkëpunim me studentë nga Mitrovica e Kosovës dhe Ljubljana, do të përfshihet gjatë përgatitjes së këtyre dokumenteve të reja hapësinore”, tha Stanojeviq, duke shmangur përgjigjen e saktë se pse plani urban ende është në pritje.

Qendra e shkollës së mesme në Llapna Sellë, hapja e së cilës është paralajmëruar për vitin 2019, pastaj afati është zgjatur për nëntorin e vitit 2020, ende nuk është hapur. 

Ndërtesa e shkollës së pa funksionalizuar
FOTO-KALLXO.com

Drejtoria e Urbanizmit thotë se hapja u shty për shkak të pandemisë. 

“Hapja e qendrës së shkollës së mesme është planifikuar për në fund të nëntorit të këtij viti. Për shkak të situatës aktuale në të cilën gjendemi, e shkaktuar nga virusi COVID-19, afatet vazhdimisht ndryshojnë, kështu që shpresojmë që objekti të përfundojë në fillim të vitit 2021. Komuna është në proces të prokurimit të inventarit të nevojshëm për pajisjen e objektit”, tha Stanojeviq.

Problemet me ujë dhe kanalizim

Përroi, i cili dikur ka shërbyer si një kanal rrjedhjeje për ujërat e zeza nga shtëpitë serbe në dalje nga Graçanica në Hajvali sipas banorëve është tharë dhe u varros pjesërisht për shkak të ndërtimit të një rrjeti kanalizimesh të ri.

Në këtë situatë, momentalisht ujërat e zeza derdhen në lum.

Boban Petrovic, i cili jeton në këtë pjesë të Graçanicës thotë se vetëm premtime erdhën nga qeverisja lokale se gjithçka do të zgjidhej. 

“Shumë veta kanë ardhë këtu gjatë verës dhe e kanë parë që kishim probleme të mëdha me kutërbimin ër shkak të derdhjes së fekaleve. Gjatë verës ishte katastrofë. Pyetja ime është se kur do të zgjidhet kjo, sepse këtu rreth 20 familje janë shkatërruar tashmë, dhe në rrjedhën e poshtme të lumit Graçanka rreth 50 familje do të mbeten pa rrjet të kanalizimit, ka një derdhje të këtyre ujërave të zeza nga drejtimi i Hajvalisë. Deri më tani, askush nuk është marrë në mënyrë konkrete me këtë rast, të gjithë kanë premtuar, por nuk është arritur ndonjë zgjidhje konkrete “, tha Petroviq.

Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike të Komunës së Graçanicës, Vladica Trajkoviq, thotë se inspeksioni komunal ka ndalur punimet dhe se ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit të zgjidhet problem dhe të gjendet një zgjidhje me të cilën të gjithë do të ishin të kënaqur. Ai pranon se kjo çështje ka marrë shumë kohë, por gjithashtu thekson se një zgjidhje përfundimtare do duhej të arrihet së shpejti.

Rrjedhja e kanalizimit në Graçanicë
FOTO-KALLXO.com

“Pas një sërë takimesh që kryetari i Komunës dhe përfaqësuesit e inspeksionit kanë pasur me Ministrinë e Mjedisit dhe kontraktorin, është rënë dakord që problemi të zgjidhet sa më shpejt, kështu që punimet të vazhdojnë nga rruga kryesore Prishtinë- Gjilan deri në shtratin e lumit në Graçanicë, me çka do të zgjidhet problem i kanalizimit për të gjithë familjet e përmendura.

Trajkoviq thekson se detajet teknike do të përfundojnë deri në fund të javës, pas së cilës do të fillojnë punimet për përfundimin e kanalizimit.

Novica Dimitrijeviqit nga Graçanica i pengojnë prishjet e shpeshta dhe ndërprerja e ujit pa paralajmërim, si dhe trotuaret e gërmuara.

“Uji shpesh humb, nuk janë tuba cilësorë, ata shpërthejnë shpejt dhe nuk kemi ujë pothuajse 30% nga sa duhet të kemi çdo ditë. Rrugët, çfarë të them, nuk janë të këqija, por ajo që po bëhet me këto trotuaret nuk ka askund, duket se është pastrim parash, i heqin, i vendosin, gjithçka njëjtë, nuk e di, nuk jam kompetent të shoh kush i jep ato para dhe si lëvizen”, tha Dimitrijeviq.

Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Vladica Trajkoviq, thotë se punimet për kthimin e kubëzave dhe rregullimin e shtigjeve për këmbësorë në një pjesë të Graçanicës zgjatën më shumë për shkak të kushteve të dimrit në të cilat punohet, por edhe ngarkesës së lartë të trafikut.

“Kjo është arsyeja pse puna e kthimit të kubëzave zgjati shumë dhe unë do t’u kërkoja qytetarëve të jenë të durueshëm edhe pak, sepse problemi do të zgjidhet së shpejti,” tha Trajkoviq.

Në anën tjetër, me probleme po përballet edhe komuniteti shqiptar që jeton në komunën me shumicë serbe.

Ruzhdi Krasniqi, përfaqësuesi nga Kishnica në Kuvendin Komunal, thotë se në këtë vendbanim mungojnë rrugët dhe trotuaret, si dhe shkallët që çojnë te ndërtesa e re e shkollës.

“Unë mendoj se komuna e Graçanicës është përpjekur të investojë në Kishnicë, por duhet të investojë edhe më shumë, për dallim nga Graçanica, që është selia e komunës, shumë pak është investuar. Duhet të bëhen më shumë investime. Ne kemi një rrjet të vjetër të ujësjellësit, që është ndërtuar para lufte madje, kam dëgjuar se ka ende tuba të azbestit që janë kancerogjen dhe ato duhet të ndrrohen urgjentisht.”, thotë ai.

Qytetarët e Kishnicës kanë nevojë edhe për një linjë të drejtpërdrejtë autobusi me Prishtinën për shkak të numrit të madh të nxënësve, studentëve dhe punonjësve të cilët çdo ditë kanë nevojë të udhëtojnë në qytet dhe të kthehen.

Në komunën e Graçanicës thonë se janë të njoftuar me kërkesën e qytetarëve të Kishnicës, por që vendimi nuk varet prej tyre, por, siç na thanë, nga transportuesi dhe Ministria e Transportit.

Mirjana Stanojeviq, Drejtoreshë e Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, thotë se Komuna ka një plan veprimi mjedisor lokal për periudhën nga 2012 deri në 2017, dhe se janë në përgatitje e sipër të programit për fillimin e procedurës për hartimin e planit të ri mjedisor.

Problemet me ndotjen e lumit nuk janë vetëm nga kanalizimi.

Në muajt e verës, kur fryn një erë më e fortë nga vendhedhja e mbeturinave, shpërndahet pluhur që ka një përqendrim të lartë të metaleve dhe substancave të tjera të dëmshme. 

Me erozionin e tokës, ujërat e ndotura nga mbeturinat dhe nga minierat “Kishnica dhe Novo Bërda” derdhen në shtratin e lumit në Graçanicë, nga atje shkojnë në pellgu e Bistricës, Ibrit dhe më tej deri në Detin e Zi. 

Lumi i ndotur në Graçanicë
FOTO-KALLXO.com

 Një problem tjetër është llumi dhe depozitimet e substancave të rrezikshme që mbeten në lumë, prandaj qeverisja lokale ka pastruar shtratin e lumit disa herë. 

Këtë herë, i janë qasur një zgjidhjeje më afatgjate – derdhje të betonit në shtratin e lumit. Megjithatë, qytetarët që jetojnë në pjesën e Graçanicës ku shtrati i lumit nuk është pastruar janë të indinjuar.

Shtrati i betonuar i lumit Graçanka pranë Qendrës së Shkollës së Mesme
FOTO-KALLXO.com

“A ka ndonjë plan për të pastruar edhe këtë pjesën e majtë të lumit Graçanica?” Pjesa e majtë e lumit Graçanica nuk është pastruar në katër-pesë vitet e fundit. Aty, në periudhën e verës, nga gjarpinjtë dhe minjtë e lumenjve, nuk mund të jetohet, shikoni si duket kjo, nga mushkonjat që nuk mund të spërkaten dhe gjithçka tjetër ”, thotë Sasha Sekuliq nga Graçanica.

Në komunë theksojnë se këtë vit janë paraparë punime për betonizimin e shtratit të lumit vetëm në pjesën afër Qendrës së Shkollës së Mesme në Llapna Sellë dhe në Graçanicë, nga ura kryesore në rrugën “Knez Lazar” deri tek ura në rrugën “Kosovke devojke”.

“Në raport me fondet që kemi në dispozicion, ne do të përpiqemi që edhe në vitin e ardhshëm të sigurojmë rregullimin e shtratit të lumit  edhe në vendbanimet e tjera.” Megjithatë, siç e dini edhe vetë, buxheti ynë në raport me numrin e banorëve është ulur për shkak të faktit se serbët bojkotuan regjistrimin e vitit 2011. Kjo është arsyeja pse alokimet janë më të vogla. Sidoqoftë, ne e dimë atë problem dhe do të përpiqemi të punojmë në pastrimin e shtratit të lumit edhe vitin e ardhshëm”, tha Vladica Trajkoviq.

Bujqësia dhe turizmi njihen si dy shtylla zhvillimore të komunës dhe në këto fusha është investuar mjaft. Prodhues të shumtë bujqësorë janë ndihmuar me subvencione, kurse sa i përket turizmit, në këtë fushë është bërë më së shumti. Graçanica njihet si një destinacion i dëshirueshëm në hartën turistike, kur bëhet fjalë për turizmin fetar dhe atë historik.

Gjatë vitit 2019 më shumë se 110 000 turistë kanë vizituar Manastirin e Graçanicës, ndërsa afër 40 000 turistë (kryesisht vendas) kanë vizituar Parkun Arkeologjik Ulpiana.

Parku Arkeologjik “Ulpiana” FOTO-Organizata Turistike e Graçanicës
Manastiri i Graçanicës

Gjetjet e Auditorit për Komunën e Graçanicës

Nga 11 drejtori që janë në Komunën e Graçanicës vetëm një drejtori, Drejtoria për Arsim dhe Kulturë udhëhiqet nga një grua, duke bërë kështu që barazia gjinore të mos respektohet.

Përveç kësaj, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur disa mangësi në qeverisje në vitin 2019.

Njëra ndër gjetjet ka përcaktuar se në kontratën për “Furnizim me rekuizita sportive dhe pajisje”, në vlerë prej 25,909€, në dosjen e tenderit, përkatësisht në paramasë/specifikacion teknik është përcaktuar marka tregtare apo lloji i mallrave, pikërisht ato që i posedonte fituesi i kontratës. 

Sipas Ligjit të Prokurimit është e ndaluar që specifikacionet ti përshtatet vetëm një marke të caktuar apo të përmendet marka brenda tenderit.

Në një gjetje tjetër theksohet se ka pasur gabime në përllogaritjen e tatimit në pronë.

Sipas Auditorit, kjo ka ndikuar që në 8 fatura tatimpaguesit të ngarkohen me tatime më të larta dhe një faturë me tatime më të ulëta se sa është dashur. Pra ka pasur i mbi faturim prej 6,475€ si dhe nën faturim prej 743€.

 

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).