Qentë në Pogradec

Pogradeci, qyteti ku keqtrajtohen qentë dhe rrezikohet jeta e qytetarëve

Pogradeci ishte kthyer në kryetitull në mediat e Shqipërisë pasi në një nga kanalet në fshatin Guras janë gjetur disa qen të ngordhur.

Ngrodhja e tyre ishte mister në ditët e para të raportimit, ndërsa me kalimin e kohës institucionet filluan të hedhin fajin tek njëra-tjetra. Ky rast shpërfaqi keqtrajtimin dhe kequshqyeshmërinë e qenve në Qendrën e Strehimit të Qenve Endacakë.

Faik Kishta, i punësuar nga Bashkia Pogradec ka thënë se qentë endacakë, kapen nëpër rrugë dhe lëshohen sërish po në rrugë nga bashkia, sepse nuk ka fonde për “Qendrën e Strehimit të Qenve Endacakë”.  Ai tha se qentë janë të zgjebosur, kequshqyer dhe të rrezikshëm si të tërbuar. 

Kishta tha se vendstrehimi i qenve s’ka kushte, ata janë të infektuar dhe disa kanë ngordhur.

“Qentë ngordhin në qendër se bashkia i lë pa ushqim. Qendra është pa veterinar dhe nuk kryhet sterilizimi i qenve”, ka thënë Kishta.

Bashkia Pogradec, në një postim në Facebook kishte reaguar për ngordhjen e qenve duke njoftuar se kanë bërë kallëzim në Prokurorinë dhe Policinë e Pogradecit.

Bashkia ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të gjejnë personat përgjegjës për keqtrajtimin e qenve dhe hedhjen e tyre në kanal.

Në postimin e saj, Bashkia po ashtu ka inkurajuar organet ligjzbatuese që të zbardhin sa më shpejt këtë ngjarje dhe të vendosin para drejtësisë personat që e kanë kryer këtë akt makabër dhe njëherazi kanë konsumuar vepër penale.

Grumbull i qenve në Pogradec

Prokuroria e Pogradecit ka thënë se çështja është nën hetim.

Në vendstrehimin e qenve të zhvendosur në Saselishtë të Pogradecit është ndërprerë procesi i matrikulimit të tyre, përkatësisht regjistrimi i tyre.

Inspektori për Mbrojtjen e Kosumatorit në Bashkinë e Pogradecit, Zisi Çobani, ka thënë se ndërprerja e procesit të regjistrimit është bërë për shkak të mungesës së fondeve. Një fakt tjetër është se Qendra e Matrikulimit të Qenve, nuk matrikulon më shumë se 15 qen.

Gjatë vitit 2021 u sterilizuan dhe u matrikuluan nga bashkia, 38 qen. Qentë qëndrojnë në vendstrehim 5 ditë dhe më pas lëshohen në qytet.

“Nuk dihet nëse qentë endacakë që janë në Pogradec ju përkasin qyteteve të tjera. Dy qytetarë jo pogradecarë kanë bërë dy birësime të qenve”, pohon Çobani.

Qenët vazhdojnë të jenë problem në qytetin e Pogradecit. Turmat e tyre vazhdojnë të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve, sidomos të qytetit, në të cilin ka më shumë koncentrim.

Veterinari në Bashkinë e Pogradecit, Nuçi Veshon, ka paralajmëruar se shumë shpejt do të ndërtohet vendstrehimi i qenve te “Lumi i Trahanit”, si dhe është paralajmëruar që të shtohen edhe dy punonjës me dy ndërrime që do të merren me qen si dhe është planifikuar që të bëhet vaksinimi i tyre.