Ilustrim

Në pritje të realizimit të projektit milionësh të autostradës Prizren – Tetovë (VIDEO)

Një prej projekteve të ambicioze të premtuara nga Qeveria e Kosovës është autostrada në vlerë 150 milionë euro që do të lidhë Prizrenin me Tetovën, duke çarë Malet e Sharrit.

Kjo autostradë do të shkurtojë rrugën mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Po ashtu edhe do të lidhë segmente të tjera rrugore, nga Bullgaria, Rumania, Shqipëria dhe Greqia.

Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e shkurtit 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një fjalim gjatë fushatës zgjedhore, kishte premtuar ndërtimin e autostradës Prizren-Tetovë.

Sipas tij, gjatësia e kësaj autostrade që do të kalojë përmes Maleve të Sharrit do të jetë 45 kilometra, prej të cilave 35 kilometra në Kosovë dhe 10 kilometra në Maqedoninë e Veriut.

“Qeveria jonë do ta lidhë Prizrenin me Tetovën, do t’i lidhë dy autostrada”, kishte premtuar ai.

Projekti pritet të fillojë në vitin 2023 derisa viti 2022 do të shkojë vetëm për projektim. Në buxhetin e vitit 2022, Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë buxhet për realizimin e rrugës që lidhë Prizrenin me Tetovën.

Sa i përket financimit të këtij projekti milionësh, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se ndarjet buxhetore do të mundohet t’i gjejnë në forma të ndryshme, ashtu që të dy shtete të aplikojnë në fondet e IPA-s.

Pritja historike dhe të mirat ekonomike

Publicisti nga Tetova, Mevaip Abdiu ka thënë se shekuj me radhë, deri në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, tregtinë dhe qarkullimin kryesorë tetovarët e kishin me prizrenasit, gjithashtu edhe prizrenasit qarkullonin nëpërmjet malit Sharr me tregtarët e Tetovës.

“Ne mendojmë se është me rëndësi jetësore kjo rrugë si për Tetovën ashtu edhe për Kosovën dhe Prizrenin”, ka thënë Abdiu.

Ai ka kërkuar nga qeveritë e të dy vendeve, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që të jetësojnë projektin e autostradës që lidhë Prizrenin me Tetovën.

“Të fillojnë zhvillimet për ndërtimin e kësaj rruge dhe që të mos përdoret kjo vetëm në fushata zgjedhore për të marrë votën e qytetarëve”, ka theksuar ai.

Ekspertët parashohin edhe të mira ekonomike nga ndërtimi i autostradës. Eksperti i makro-ekonomisë, Muhamet Krasniqi, ka thënë se ky projekt e avancon biznesin ndërkombëtar.

“Të gjitha këto forma mund të konkretizohen për shkak se vet projekti do të ndikojë në rritjen e qarkullimit para se gjithash ekonomik të këtyre dy komunave dhe me joshjen e interesimit të investitorëve të huaj, sepse çmimet e transportit do të ulen, do të bëhet lidhja më e shkurtër e lëvizjes në mes këtyre dy komunave, dhe me të do ta nxit interesimin jo vetëm për këto dy komuna por për mbarë regjionin e Evropës Jugore dhe më gjerë të Ballkanit”, ka theksuar ai.

Qytetarët në të dyja anët e kufirit po e mirëpresin fillimin e ndërtimit të autostradës që parashihet të jetë rruga më e shkurtër e më ekonomike.

“Për autostradën Prizren – Tetovë flitet vetëm nëpër kafene dhe flitet nëpër fushata zgjedhore. Autostrada Prizren – Tetovë, pra këtë projekt së pari e ka përmend profesori i respektuar i mirënjohur i gjeografisë, z. Elez Dukagjini, në librin e tij para 70 viteve. Është ideja e tij, gjithë të tjerët e kanë marrë prej tij”, ka thënë Myzafer Muharremi, qytetar nga Prizreni.

Ndërsa, Ismail Berisha ka thënë se “çka të ndërtohet për bashkimin e trojeve mirë është”.

A rrezikohet Parku Nacional “Sharri”?

Traseja e autostradës planifikohet të kalojë nëpër terren shumë të ashpër përmes Maleve të Sharrit. Se do të ketë vështirësi në realizimin e këtij projekti të madh e ka thënë edhe ministri i Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe infrastrukturës, Liburn Aliu.

“Tuneli do të jetë 6.4 kilometra, ku diku mbi 2 kilometra do të jenë në anën e Kosovës. Ky projekt do të realizohet me komisione të përbashkëta, mbase do të kemi kompaninë e njëjtë që do të bëjë dizajnimin dhe realizimin e tunelit. Pastaj pjesët e rrugëve që lidhen deri në tunel, mund të bëhen nga të dyja vendet veç e veç“, theksoi ai.

Aktivisti për mbrojtjen e mjedisit, Osman Krasniqi, ka thënë se autostrada do të ketë ura kalimi të vazhdimit të biodiversitetit të specieve dhe gjallesave.

“Do të mundësojë sigurisht një zhvillim të turizmit të fshatit i cili turizëm i fshatit vetvetiu do ta mbrojë natyrën e Parkut Kombëtarë të Sharrit”, ka thënë Krasniqi.

Të mirat e kësaj autostrade i ka përmendur edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Ai ka thënë se autostrada Prizren – Tetovë krijon mundësi të zhvillimit ekonomik për zonën që është në të dy anët e Parkut Nacional ku zhvillimi ekonomik në fushën e turizmit dimër dhe malor veror do të mund të bënte lidhje.

Po ashtu, ai ka përmendur edhe lidhjen e Rrugës së Kombit, autostradën “Ibrahim Rugova” që e lidh Prishtinën me Tiranën, e lidh me korridorin 8.

“Pra përpos një pjesë e madhe e qytetarëve që jetojnë në pjesën jugore të Kosovës do të mund të lidhen me Shkupin përmes Tetovës në mënyrë shumë më të shpejtë, po ashtu një pjesë e madhe e udhëtarëve apo transportit nga Republika e Shqipërisë, pjesa veriore e saj me Shkupin”, ka përfunduar ministri Aliu.

Ku ka arritur projekti i autostradës?

Projekti për ndërtimin e rrugës që lidhë Prizrenin me Tetovën është paraparë të fillojë në vitin 2023.

Zv.ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka thënë se projekti ende është në fazë të hershme, madje ai ka deklaruar se viti 2022 do të shkojë vetëm me fazën e projektimit.

“Për pjesën e Kosovës i kemi dy opsione, njëri që del në Reçan dhe pastaj në Prizren dhe tjetri që del në daljen jug të autostradës “Ibrahim Rugova” dhe kjo është shumë e rëndësishme. Keni parasysh, kjo nuk është autostradë, është rrugë gjashtë metra gjerësia e rrugës, nuk është autostradë”, deklaroi Hysen Durmishi

Në tetor të vitit 2021, Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për formimin e Komisionit për vlerësimin e fizibilitetit për autostradën Prizren-Tetovë, për të cilën Qeveria e Kosovës kishte lidhur marrëveshje me qeverinë e Maqedonisë së Veriut, më 16 shtator të këtij viti.

Propozimin për ta formuar këtë komision e bëri ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

“Varianti i tunelit është ai që do ta përcaktonte vlerën kryesore, por projekti do të kalojë vlerën mbi 150 milionë euro, por mund të shkoj edhe më lartë, tuneli bashkë me lidhjen jugore për Prizren”, tha Aliu.

Aliu ka thënë se në bazë të studimit të parafizibilitetit janë 3 variante të projektit dhe në tri prej tyre ka tunele të ndryshme në bazë të lartësisë mbidetare dhe kushteve në terren.

Ministri ka treguar se varianti më i përshtatshëm është ai që e ka tunelit 6.4 km, mbi fshatin Manastiric nga ana e Kosovës dhe kalon afër fshatit Bozovc në Maqedoninë e Veriut dhe ku pastaj përmes Brudesit lidhet me Tetovën.

Në shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut kanë mbajtur mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.

Kryeministrat e të dy qeverive dhe ministrat dikasterial, patën nënshkruar Memorandumet për Mirëkuptim mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për përcaktimin e fushëveprimit të përgjithshëm të bashkëpunimit lidhur me studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren – Tetovë.