Topografi nga Mitrovica e Veriut. 09.06.15, Mitrovica. Photo: Atdhe Mulla

Mitrovicë e Veriut, qytetarët vuajnë nga bërlloku, mungesa e ujit e parkingjeve

Problemet në Mitrovicën e Veriut, komunën e vogël pa fshatra, nuk ndryshojnë shumë nga problemet e qytetarëve në komunat tjera në rrethinë.

Furnizimi me ujë është një nga problemet kryesore, pastaj vijnë deponitë ilegale, numri i pamjaftueshëm i vend-parkingjeve, gropat e mëdha në disa rrugë, si dhe problemi i madh i papunësisë së të rinjve, duke marrë parasysh që Mitrovica e Veriut konsiderohet si një qytet studentor. 

Përpos mungesës së transparencës nga qeverisja lokale, edhe qytetarët e kësaj ane hezitojnë të flasin publikisht për hallet për të cilat presin zgjidhje nga komuna.

Në zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut të mbajtura më 29 nëntor, kandidati partisë Lista Serbe, Milan Radojeviq, ka fituar bindshëm me afro 90% të votave duke e zëvendësuar ish-kryetarin Goran Rakiq, po ashtu nga Lista Serbe.

Furnizimi me ujë 

Qytetarët e Mitrovicës së Veriut përballen me ndërprerjet e shpeshta të ujit.

 Kompania e ujësjellësit rajonal “Mitrovica” shpesh ndërpret furnizimin me ujë të pijshëm në Mitrovicën e Veriut për shkak të borxhit të qytetarëve.

“Uji është një nga problemet kryesore për neve, nëse jo edhe problemi kryesor. Pak e pak dhe nuk kemi ujë. Unë dua të paguaj faturat e ujit, por dua të kem gjithmonë ujë e jo të më ndalet me ditë siç ka ndodhur”, theksoi një qytetar i Mitrovicës së Veriut. 

Në një prononcim për “Veçernje Novosti”, Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut kujton se qytetarët nuk kishin mundësi t’i shlyenin borxhet për ujin e konsumuar sepse ata nuk kanë pranuar fatura për më shumë se dy dekada.

 “As qytetarët e as vetëqeverisja lokale nuk kanë një pasqyrë të borxheve për ujë në periudhën e kaluar, prandaj konsiderojmë se problemi duhet të zgjidhet në nivel politik”, thotë Milan Radojeviq.

 Megjithatë ai thekson se në një përpjekje për të zgjidhur problemin, janë të gatshëm të  ndajnë 44.500 euro nga buxheti i Komunës për shlyerjen e borxhit të akumuluar për institucionet publike në komunë.

Deponitë ilegale

Problemi i deponive ilegale, hedhja e mbeturinave jashtë vendeve të destinuara, për nga pesha mund të jetë problem po aq sa furnizimi me ujë. Sipas informatave në dispozicion, në vitet e fundit në Komunën e Mitrovicës së Veriut kanë qenë 38 deponi ilegale. Deponitë ilegale ose jo-sanitare janë një problem shumëvjeçar, jo vetëm për komunat në veri dhe në Mitrovicë, por në të gjithë Kosovën.

Deponia e egër afër urës kryesore mbi Ibër
FOTO- Filip Radojeviq/KALLXO.com

Gazetarja Jellena Simiq, e cila jeton në Mitrovicën e Veriut, ka trajtuar çështjen e deponive ilegale dhe të grumbullimit të mbeturinave në veri të Kosovës.

 “Ajo që është karakteristike për këto deponi është se ato janë të vendosura në buzë të lumit, ndërsa në ato deponi shpesh ka vetë-ndezje dhe kur ka zjarr paraqitet emetimi i materieve ndotëse, të cilat paraqesin rrezik potencial për shëndetin e njeriut. Gjatë vitit të kaluar (2019), vetëm në veri të Kosovës këto deponi ilegale ishin në zjarr disa herë dhe shkaku ishte gjithmonë faktori njeri”, thekson Simiq.

Në territorin e Komunës së Mitrovicës së Veriut ekziston një sistem për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave, i cili ofrohet nga Ndërmarrja Publike Komunale Standardi. 

“Ajo që ka të bëjë me hedhjen e mbeturinave është se qytetarët janë të pandërgjegjshëm, kështu që në qendër të qytetit shpesh mund të shohim skena ku mbeturinat janë lënë skaj kontejnerëve, e jo brenda.  Gjithashtu, vetëdija jo e zhvilluar ekologjike por edhe mungesa e kulturës së banimit sigurisht që ndikojnë në shfaqjen e deponive. Natyrisht se gjendja në mjedisin fizik rrënohet me hedhjen jo të duhur të mbeturinave për shkak të aktivitetit njerëzor, gjë që sot në botën bashkëkohore konsiderohet – e papranueshme”, theksoi Simiq.

Mbeturinat në afërsi të qendrës së studentëve
FOTO-Filip Radojeviq/KALLXO.com

Qytetarët theksojnë se punëtorët e ndërmarrjes komunale kryejnë punën e tyre, por problemi është në kulturën e atyre që hedhin mbeturina në vende që nuk janë të destinuara për këtë. 

“Nuk ka rrugë në qytet ku nuk do të gjeni të paktën një grumbull të vogël mbeturinash. I lënë mbeturinat në hyrje të ndërtesave, ata nga katet më të larta hedhin qeset nga ballkoni, si të ja merr mendja secilit. Sikur të mos ishte i joni ky qytet. Ndonjëherë më vjen turp”, tha një zonjë e cila dëshironte të mbetej anonime.

Mbeturina të shpërndara në Mitrovicë të Veriut
FOTO-Filip Radojeviq/KALLXO.com

Mbetjet mjekësore dhe farmakologjike shpesh mund të gjenden së bashku me mbetjet tjera në këto deponi ilegale më të vogla nëpër qytet. Mbetje të ndryshme të pajisjeve mjekësore të përdorura mund të gjenden nëpër kontejnerë sepse mbetjet mjekësore hidhen në të njëjtët kontejnerë si ato të mbeturinave tjera.

“Për të ju dhënë një përgjigje si është menaxhimi i mbeturinave mjekësore, ai menaxhim duhet të ekzistojë. Meqenëse menaxhimi nuk ekziston këtu, vështirë se mund të jepet vlerësimi i kësaj. Sistemi i menaxhimit të mbetjeve mjekësore në Kosovë është në përgjithësi i dobët, shumë pak i zhvilluar në zonat shqiptare, ndërsa ne kemi këmbëngulur për më shumë se 10 vjet për të filluar zbatimin e këtij sistemi edhe në zonat serbe në Kosovë, e jo vetëm në veri”, tha dr. Aleksandër Qorac, i cili është profesor në Fakultetin e Mjekësisë.

Mbetjet mjekësore paraqesin një rrezik të madh për shëndetin e njeriut dhe sipas Profesorit numri më i madh i hepatitit është në mesin e stafit të spitalit.

“Jo në mesin e stafit shëndetësor, por në mesin e pastrueseve. Stafi mjekësor hedh shiringat pa hequr gjilpërën dhe ato punëtore shpojnë veten kur marrin mbeturinat. Ato do të ishin pjesëtare të shëndetshme të kësaj shoqërie po të ishte i vendosur sistemi”, sqaroi profesori Qorac. 

Për të zgjidhur problemin me deponimin e mbeturinave komunale Bashkimi Evropian ka ndarë 5.5 milion euro për ndërtimin e Deponisë Rajonale “Savina Stena” në vendin e quajtur Sërbovc në Komunën e Zveçanit.   Ishte e paraparë që projekti të përfundonte në nëntor të vitit 2018, megjithatë, kompania që kryente punimet i ndali punimet sepse nuk kishin kapacitete për të përfunduar këtë projekt. Data e re për fillimin e punës së deponisë ishte prilli i vitit 2020, por kjo nuk ndodhi.

Mbeturinat në parking në Mitrovicën e Veriut
FOTO-Filip Radojeviq/KALLXO.com

Numri i pamjaftueshëm i vend-parkingjeve

Një problem tjetër i veçuar nga qytetarët është problemi i vend-parkingjeve. Në qytet janë dy garazhe publike dhe për të zgjidhur kolapsin e qarkullimit rrugor në qytet dhe problemin e parkimit, autoritetet komunale kanë rregulluar një hapësirë për parkim publik në afërsi të Shkollës Teknike, e cila u vu në punë në shkurt të këtij viti. 

Megjithatë, automjetet e parkuara në mënyrë ilegale në të dy anët e rrugës e vështirësojnë funksionimin e qarkullimit rrugor, kështu që në këtë qytet mund të ketë tollovi të madhe në orët e pikut, ndërsa është pothuajse e pamundur të gjeni parking.

Sidoqoftë, tollovia më e madhe në qarkullimin rrugor ndodh në Lagjen e Boshnjakëve, ku ndodhet edhe ndërtesa e Prokurorisë, si dhe një numër i madh dyqanesh. 

Tollovia në qarkullimin rrugor në Lagjen e Boshnjakëve
FOTO-Filip Radojeviq/KALLXO.com

Për këtë problem u diskutua në seancën e Asamblesë Komunale të Mitrovicës së Veriut të mbajtur në mes të këtij muaji. Nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Adriana Hoxhiq, tha se në periudhën e ardhshme shërbimet profesionale do të hartojnë një plan jo vetëm për atë pjesë të komunës, por edhe për gjithë Mitrovicën e Veriut. 

“Duam të riorganizojmë qarkullimin rrugor në qytetin tonë dhe që ajo rrugë të bëhet njëkahëshe”, tha Hoxhiq.

Gropat e mëdha në rrugë

Gropat e mëdha janë po ashtu një dukuri e zakonshme në rrugët e Mitrovicës së Veriut. Autoritetet punuan vitin e kaluar në asfaltimin e gropave të mëdha në rrugën Sutjeska dhe rrugën Vllade Çetkoviq, të cilat çojnë në Qendrën Spitalore Klinike. Megjithatë, ka shumë gropa të mëdha në rrugët që shkojnë në drejtim të stacionit të autobusëve, Lagjes  së Boshnjakëve, kishës së Shën Dhimitrit, si dhe para Shkollës Teknike. Problemi bëhet më i madh sidomos kur bie shi dhe këto gropa bëhen më pak të dukshme për ngasësit. 

Gropa në Mitrovicën e Veriut
FOTO- Filip Radojeviq/KALLXO.com
Gropa afër Stacionit të Autobusëve në Mitrovicën e Veriut
FOTO-Filip Radojeviq/KALLXO.com

Papunësia e të rinjve

Ashtu si në shumicën e komunave në Kosovë, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, ndër të tjera, shqetësohen nga një pyetje – si të gjejnë punë. 

Ivan Mitiq, gazetar nga Mitrovica e Veriut, thekson se për dallim nga ata që punojnë në institucione – të Kosovës ose Serbisë, një numër i madh i qytetarëve, kryesisht të rinj, në një qytet studentor siç është Mitrovica e Veriut, për vite me radhë punojnë në njërën nga kafiteritë e shumta në qytet. 

Me mëditje rreth 8 euro, të paregjistruar, puna e kamerierit iu ka mbetur opsioni i vetëm për ekzistencën e tyre dhe të familjes së tyre. 

Kjo madje u vështirësua nga marsi, kur të gjitha objektet e hotelerisë u mbyllën me shfaqjen e rasteve të para të infeksionit me COVID-19 në Kosovë.

“Nga ana tjetër, gjithashtu për shkak të pandemisë dhe të numrit të shtuar të të infektuarve, u krijuan vende të reja pune – në shëndetësi, kështu që iu ofrua mundësia dhjetëra mjekëve dhe teknikëve të rinj në këtë qytet për të nis marrëdhënien e punës. Edhe pse ka të tillë të cilët kanë gjetur përgjigjen në pyetjen se si të gjejnë një punë në Mitrovicën e Kosovës, ka shumë që nuk ja dalin në këtë, dhe, njëjtë si në qytetet tjera në Kosovë, vendosin ta gjejnë këtë përgjigje më në veri të Jarinjes – me nga 100, 200, 500 dhe madje mijëra kilometra”, theksoi Mitiq.

 

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).