Ilustrim

Mësimi online dhe sfidat e komunave

Nevoja për organizim të mësimit nga distanca përveçse kapacitetin e nivelit qëndror, ka shpërfaqur edhe nivelin e përgatitjes së komunave për tu përballur me sfidat në arsimin parauniversitar, që sipas ligjit e udhëheqin.

Situata e pandemisë së coronavirusit në Kosovë, si në shumë vende të ndryshme të botës, bëri që institucionet arsimore të të gjitha niveleve të mbyllen dhe që nxënësit e Kosovës të mos mund të vizitojnë shkollat.

Por, në mënyrë që të mos humben orët mësimore, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit organizoi mësim nga distanca për nxënësit. Ky mësim u organizua për filloristët, përkatësisht nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.

Kurse, për nivelin e shkollimit të mesëm të lartë,  MAShTI-i ia la në duar komunave organizimin e mësimit nga distanca  duke i kërkuar atyre që të ju përmbahen rekomandimeve të Ministrisë.

Analiza nga të dhënat e marrë nga komunat e Kosovës tregon që nuk ka uniformitet në nivel vendi sa i përket mënyrës së organizimit të mësimit nga distanca. Shkolla të ndryshme kanë nisur mbajtjen e këtij mësimi me iniciativa vetanake, ndërsa disa komuna kanë zhvilluar platforma të veçanta për mësimin online.

Sfidat më të mëdha sipas Drejtorëve Komunalë të Arsimit janë telashet me teknologjinë, përfshirjen e komuniteteve në organizimin e mësimit në distancë si dhe forma e vlerësimit të nxënësve.

Qeverisja lokale ka në masë të madhe rol vendimtar për  zbatimin e rregullative për arsimin parauniversitar sipas Ligjit për Arsimin Parauniversitar dhe Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.

Sipas njohësve të fushës së arsimit, puna e bërë nga institucionet qendrore dhe lokale lidhur me mësimin nga distanca është për tu përshëndetur meqenëse është zhvilluar në kohë të shpejt dhe të jashtëzakonshme.

Dukaxhin Pupovci, ekspert i arsimit, ka përmendur disa prej sfidave që mund të paraqiten duke pasur parasysh rrethanat e krijuara.

“Gjithnjë duhet ta kemi parasysh se mësimi në distancë po zhvillohet në kushte të pandemisë, kur mundësia për t’i mbështetur dhe mbikëqyrur shkollat është më se e kufizuar. Në këto kushte, nuk përjashtohet mundësia të ketë shkolla ku procesi ngecë ose nuk zhvillohet si duhet”, tha ai.

Ai shtoi se duhet të ketë pritje se nxënësit mund të kenë rezultate më të dobëta në këtë kohë.

“Vet natyra e mësimit në distancë dallon nga mësimi në klasë dhe kërkon një pavarësi më të madhe nga nxënësi dhe mbikëqyrtje të shtuar nga prindi, që nuk ndodhë gjithnjë. Prandaj, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se edhe mund të ketë rënie të rezultateve të nxënësve në raport me vitet e kaluara, kur është punuar në kushte normale”, tha Pupovci.

Në anën tjetër, Rinor Qehaja nga Instituti “Ed Guard”  e konsideron paradoks faktin që përdorimi i teknologjisë po shihet si sfidë nga mësimdhënësit, pasi shumë para janë dhënë paraprakisht për trajnimin e mësimdhënësve në fushën e informatikës.

Ai po ashtu ka theksuar nevojën për monitorim të organizimit të mësimit online nga DKA-të.

“Suksesi i mësimit online varet nga mbikëqyrja, dhe këtu, vihet në pah problemi nga paaftësia profesionale e individëve pjesë e sistemit të punësuar pa meritorkaci, që në një moment duhet të vëzhgojnë punën shume komplekse të mësimdhënies. Në mungesë të kësaj, atëherë në shumë nga raportimet nga DKA e drejtor shkollash do të kemi statistika të fryra të pjesëmarrjes në mësimin online, pra, numra për paraqitje të mirë, mirëpo jo numra si dëshmi për mësimdhënie të mirë”, theksoi Qehaja.

Si po zhvillohet eMësimi në komunat e Kosovës?

KALLXO.com ka kontaktuar pothuajse të gjitha komunat e Kosovës për t’i pyetur për mënyrën e mbajtjes së mësimit online apo të njohur si mësimi nga distanca.

Nxënësit e Komunës së Hanit të Elezit kanë qenë mjaft aktiv, ku rreth 95% të tyre janë angazhuar në mësimin online.

Kjo është bërë e ditur nga drejtori i Arsimit në këtë komunë, Menduh Vlashi, i cili ka treguar edhe si është zhvilluar mësimi në këtë komunë.

Në Komunën e Hanit të Elezit mësimi në distancë ka filluar me vendimin e MASHTI-it. Në fillim kemi fillua nga klasa e I-III përmes RTK dhe mësimdhënësit në forma të ndryshme përmes platformës ZOOM, Viber apo edhe forma tjera kanë kontaktuar me nxënës dhe prind”, tha ai.

“Ndërsa nga klasa e IV deri ne klasën e XII mësimi është zhvillua përmes platformës ZOOM, dhe brenda dy ditëve janë kyç të gjithë mësimdhënësit dhe mbi 90% e nxënësve”, shtoi Vlashi.

Sipas tij, me këtë formë të mësimit kanë qenë të kënaqur edhe mësimdhënësit nxënësit dhe prindërit.

Edhe në komunën e Vushtrrisë mësimi është zhvilluar me sukses online dhe sipas drejtorit të Arsimit në këtë komunë, Afrim Namani 93% të nxënësve të kësaj komune janë qasur në mësim.

“Sipas vlerësimeve tona, bazuar në informata/raportet e marra nga drejtorët e shkollave të shoqëruara edhe me foto e video, në javën që lam pas kanë qenë të përfshirë 93% e nxënësve të arsimit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë. Kurse më 15 prill ka filluar edhe mësimi për nivelin parafillor për grup moshat 0-6 vjeç edhe pse fëmijët e moshës 5-6 vjeç që janë në klasat parafillore nëpër shkolla e kanë filluar më heret”, tha Namani për KALLXO.com.

Ndërsa, Remzi Bytyqi, drejtor i Arsimit në Suharekë përveç që tregoi se mësimi është duke u zhvilluar online, ai tha se janë shfaqur disa vështirësi në këtë komunë për këtë mënyrë të mësimit për një komunitet.

“Gjatë kësaj periudhe të organizimit të mësimit në distancë vështirësi  për angazhimin e nxënësve kishin disa mësimdhënës me nxënësit e komunitete ashkali. DKA në bashkëpunim me drejtorë të shkollave është duke bërë përpjekje për ofrimin e modaliteteve më të përshtatshme për përfshirjen edhe te këtyre nxënësve mësimin online. Vlen të theksohet se në disa shkolla edhe mësimdhënësit e fushave /lëndëve të cilat nuk prezantohen ne TV  me vetë iniciativë janë angazhuar  për organizimin e mësimit në distancë në klasat  I-IX-të”, ka shtuar Bytyqi.

Edhe Drejtorja e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Xhemili Vezgishi ka treguar për ecurinë e mësimit online në shkollat e kësaj komune.

“Krahas zhvillimit të mësimit online të organizuar nga MAShT-i, sipas  kërkesës së DKA-së që mësimi online individual të zhvillohet nga të gjithë mësimdhënësit, shkollat e Komunës së Prizrenit janë angazhuar maksimalisht për të realizuar këtë nismë”, tha ajo.

“Pothuajse të gjitha shkollat dërgojnë raporte të detajuara, ku zbatimi i procesit të mësimit në distancë është shumë i madh. Në raportet e dërguara nga shkollat bëhet e ditur: numri i klasave online, orët mësimore të mbajtura nga mësimdhënësit, numri i nxënësve pjesëmarrës, njësitë mësimore të zhvilluara, vërejtjet dhe rekomandimet e hasura gjatë procesit”, tha Vezgishi për KALLXO.com.

Sipas saj në këtë komunë është zhvilluar mësim online edhe në plaftorma të tjera, përveç leksioneve të ofruara nga MAShTI që janë duke u transmetuar në RTK.

“ Për mësimin online individual në komunën e Prizrenit, 90 për qind e tyre kanë hapur klasa virtuale përmes platformave: Google classroom, Viber, ËhatsApp, Zoom, Facebook dhe rrjeteve të tjera sociale. Disa nga shkollat kanë krijuar video leksione, të cilat i kanë përcjellur njësitë mësimore nxënësit online, ose përmes prezantimit të video animacioneve me titra në gjuhën shqipe, (me ç’rast prindërit kanë qenë të njoftuar mirë për këtë formë të komunikimit)”, tha ajo.

Drejtorja e Arsimit në Prizren po ashtu bëri të ditur edhe për formën e mësimit online për shkollat e mesme të larta.

“Por, për disa prej shkollave të arsimit të mesëm të lartë dhe atyre profesionale tanimë është java e tretë, që kanë filluar mbajtjen e mësimit online, duke e veçuar me këtë rast Gjimnazin ”Gjon Buzuku” që prin në këtë drejtim dhe shërben si shembull për t’u ndjekur nga shkollat tjera… mund të veçojmë edhe shfmu”Emin Duraku” që shërben si shembull i mirë për t’u ndjekur nga shkollat fillore të mesme të ulëta në komunën e Prizrenit. Shkollë kjo ku po realizohen me sukses të gjitha video xhirimet për mësimin online për komunitetin boshnjak dhe turk”, shtoi më tej.

Drejtorja e Arsimit në Prizren po ashtu njoftoi se mësimi online është duke u zhvilluar edhe tek të gjitha komunitetet atje, si turke dhe boshnjake.

“Janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura, kemi caktuar edhe koordinatorët për gjuhë boshnjake dhe atë turke, të cilët tanimë po merren me organizmin dhe mbarëvajtjen e mësimit online dhe njëkohësisht kemi siguruar shkollën ‘’Emin Duraku” ku po bëhen regjistrimet e materialeve të mësimit online”, tha ajo në fund.

Komuna e Rahovecit mësimin nga distanca po ashtu është duke e zhvilluar sipas rekomandimeve të MAShTI-it.

“Të gjitha shkollave ju kemi përcjellë të gjitha rekomandimet dhe u kemi bërë thirrje të gjithë drejtorëve të shkollave, edukatoreve, mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve për angazhim maksimal, qoftë për t`i përcjelluar programet e e-mësimit, qoftë për t`i zbatuar platformat online të përdorshme për këtë qëllim”, ka bërë të ditur drejtori i Arsimit në këtë komunë, Avni Morina,

Sipas tij, sfidë për DKA-në dhe për institucionet arsimore do të jetë procesi i vlerësimit të njohurive të nxënësve.

Morina megjithatë drejtoi kritika edhe ndaj formës së organizuar të mësimit online nga MAShTI.

“Për programet e e-mësimit në RTK kemi patur vërejtje nga nxënësit dhe mësimdhënësit që njësitë mësimore të realizuara përmes transmetimeve televizive janë prapa në krahasim me planprogramin mësimor të realizuar deri më 10 mars 2020, dmth, shumica e njësive mësimore janë ato, të cilat nxënësit i kanë mësuar në muajt e mëparshëm”, tha ai.

“Poashtu, kemi vërejtje për mënyrën e transmetimit, ku në disa xhirime televizive, ekrani apo tabela ku shkruhen shkronjat dhe formulat janë shumë të vogla, mezi shihen apo nuk shihen fare. Nxënësit kanë nevojë të shohin atë që shkruhet në tabelë e jo mësuesin apo mësuesen që prezanton”, shtoi më tej Morina për KALLXO.com.

Komuna e Fushë Kosovës po ashtu është duke përdorur platforma online në mënyrë që nxënësit e kësaj komune të angazhohen sa më shumë.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Arsimit në këtë komunë, Islam Shabani.

“Të gjithë mësimdhënësitë klasor dhe ata lëndor kanë formuar grupet sipas klasave dhe po punojnë në distancë duke përdorur platformat e – mesimi dhe format tjera të komunikimi: Viber , Zoom , Skype , Google classroom etj “, tha Shabani për KALLXO.com.

Sipas tij, drejtorët e shkollave po monitorojnë punën e mësimdhënësve , prej të cilëve marrin raporte javore të punës .

Në këtë komunë megjithatë ka edhe telashe për zhvillimin e mësimit.

“Ka ngapak telashe me teknikat e komunikimit , mungesë rrjeti të internetit apo edhe mungesë të energjisë elektrike nëpër disa fshatra , por shpresojmë se ato janë të përkohshme dhe tejkalohen lehtë”, tha Shabani në fund.

Enver Gashi drejtori i Arsimit në Klinë po ashtu tha se të gjitha shkollat e Komunës së Klinës janë duke respektuar vendimin e MASHT-it për mësimin online, kush më shumë e kush më pak, varësisht nga shtrirja gjeografike dhe kushtet tyre.

“…parafillorët dhe çerdhja filluan të punojnë  në mënyrë të pavarur nga MASHT-i. Fillimisht vetëm për nivelin 1-5 dhe me vetëm dy lëndë mësimore:gjuhë shqipe dhe matematikë. Kurse nga data 6 prill filluan të transmetohen edhe për klasat 6-9 dhe lëndët tjera të nivelit 1-5”, thaai.

Sipas tij, DKA-ja ka kontakte të vazhdueshme edhe me mësimdhënës të niveleve të ndryshme përmes rrjeteve sociale dhe ka krijuar grupe të ndryshme kontakteve.

“Shkollat vazhdimisht dorëzojnë raportet e tyre në DKA të dëshmuara edhe me foto dhe video. Sipas drejtorëve dhe raporteve të tyre gjendja është më e mirë se sa është pritur. Duke pasur parasysh që është një mënyrë e re e mësimit dhe në kushte emergjente, një shumicë e mirë e mësimdhënësve janë qasur në mësimin online”, tha Gashi.

Po ashtu sipas tij, Drejtoria e Arsimit ka krijuar një grup me mësimdhënësish mbështetës dhe asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta.

Kurse, Zahir Doda drejtor i Arsimit në Komunën e Kaçanikut ka thënë se në këtë komunë, mësimi në distancë për klasat 1-5, në të gjitha SHFMU-të, ka filluar nga data 23 mars , dhe po vazhdon sipas rekomandimeve të MASHTI-t.

“Shkolla e Mesme Profesionale “Feriz Guri dhe Vëllezërit. Çaka”, mësimin në distancë e ka filluar më datë 23.03.2020 dhe për të realizuar programin mësimor, përdorë platformën elektronike  Google Classroom, dhe vazhdon mësimin sipas rekomandimeve të MAShTI-t. Gjimnnazi “Skënderbeu” përgatitjet për fillimin e mësimit në distancë i ka filluar nga 30.03.2020 deri më datë 03.04.2020, ndërsa me orar të plotë mësimor, kanë filluar nga data 06.04.2020, përveç lëndëve të shkathtësive. Kryesisht mësimdhënësit po e përdorin platformën Google Classroom dhe janë të kyqur mbi 90% e nxënësve”, tha në fund ai për KALLXO.com.

Hajrush Shoshi po ashtu drejtor në komunën e Istogut tha se në këtë komunë mësimi nga distanca është duke u mbajtur të gjitha nivelet.

“Sipas  kërkesës dhe udhëzimeve nga DKA-Istog, Shkollat Fillore, te Mesme të Ulëta dhe te Mesme të Larta kanë formuar ekipet udhëheqëse nëpër shkolla  të cilat  me aktivitetet profesionale si dhe me mësimdhënësit lëndor kanë filluar  zbatimin e mësimit në distancë  duke shfrytëzuar aplikacionin Zoom, Facebook, Viber apo dhe aplikacione tjera”, tha Shoshi.

“Mësuesit e klasave si dhe mësuesit lëndor kanë formuar grupe përmes platformave digjitale të lartcekura dhe sipas informatave tona përfshirja dhe interesimi i nxënësve për të mësuar në këtë formë është në nivel të mirë”, shtoi në fund ai.

Drejtoria Komunale e Arsimit në Drenas po ashtu ka bërë të ditur se se është duke realizuar takime virtuale të vazhdueshme me të gjithë drejtorët e shkollave në Komunën e Drenasit dhe është duke monitoruar nga afër mbarëvajtjen e mësimit në distancë.

“Për klasat nga 1-9 mësimi është duke u përcjell nga transmetuesi publik dhe nëpërmjet platformës emesimi.rks-gov.net që shfaqet në  kanalin you-Tube. Të gjithë mësimdhënësit i kanë formuar grupet e komunikimit dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me prindërit dhe nxënësit duke e përcjell angazhimin e nxënësve dhe kryerjen e detyrave”,  ka bërë të ditur për KALLXO.com drejtori Muhamet Gjoka.

Kurse, për shkollat e mesme të larta ai tha se janë duke përdorur forma të tjera për mësim online.

“Në nivelin e tretë të shkollimit, klasat 10-12 të arsimit të mesëm të lartë në Gjimnazin dhe në shkollën profesionale, në Komunën e Drenasit kemi filluar mbajtjen e mësimit nga distanca nga data 23.03.2020 ( në ketë datë ju kemi dërguar kërkesë për konfirmim edhe MAShTI-të) dhe tashme i kemi përfshire pothuajse te gjitha lendet profesionale permes platformës “zoom”. Si DKA, nga 07.04.2020 kemi startuar me mësimin e rregullt online sipas orarit zyrtar në shkollë për të dy shkollat tona të mesme( duke filluar nga ora 08:00- 18:25)”, tha ai.

Ndërsa, Drejtori i Arsimit në Gjakovë Bernard Frrokaj, nuk ka dhënë shumë detaje për procesin e mësimit online në këtë komunë.

Ai tha se në këtë komunë mësimi nga distanca është i nivelit të mirë.

“Ju njoftojmë se nga ana e menaxhmenteve të shkollave të Komunës së Gjakovës mësimi në distancë është duke u zhvilluar në nivel shumë të mirë. Raportet javore së bashku me faktet përcjellëse dërgohen çdo javë në Drejtorinë e Arsimit të cilat edhe NE i përcjellim për raport edhe në MASHTI”, tha Frrokaj

Afrim Llabjani drejtor i Arsimit në Ferizaj po ashtu tha se kanë pasur pak vështirësi për organizimin e mësimit online, por tashmë janë tejkaluar.

“Mësimi është duke u zhvilluar në të dy nivelet e arsmimit parauniversitar dhe, nga raportet javore që marrim nga shkollat mund të themi se mësimi online është duke shkuar mirë.

Në bazë të raporteve, vijueshmëria e nxënësve në nivelin 1-9 është 88.7%, kurse në nivelin 10-12 afër 90%”, tha Llabjani për KALLXO.com.

“Mësimi është duke u ndjekur përmes RTK –së dhe e plotësuar me platforma tjera si dhe përmes rrjeteve sociale”, shtoi ai.

Komuna e Gjilanit  ka bërë të ditur se kanë krijuar një plaftormë për mësim online për të gjitha nivelet, përvec mësimeve që nxënësit po i ndjekin në RTK.

“Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan, nga data: 16 Mars, ka filluar me filluar mësimin nga distanca në të gjitha nivelet (nga 1-12) dhe të gjitha lëndet përfshirë edhe shkollat e mesme profesionale dhe mesimin në gjuhen turke përmes platformes të realizuar nga DKA-Gjilan mesojmengashtepia.com, ku deri tani kemi rreth 30.000( tridhjetëmijë) aktivitete të mësimdhënësve përmes kësaj platform/ Gjithashtu mësimdhësit dhe nxênësit po shfrytëzojnë edhe platformen e MASHT (përmes RTK) dhe platforma tjera”, bëri të ditur drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazmi Gagica.

“Gjithashtu DKA-Gjilan, pas kërkesave të prindërve dhe vlerësimit të DKA-së për domosdoshmërinë e  përfshirjes edhe të fëmijëve parashkollorë, nga data 06 Prill, kemi ofruar mësim online edhe për klasët përgaditore për moshën 5-6 vjeç, në të gjitha shkollat dhe Institucionet Parashkollore në komunën e Gjilanit”, shtoi në fund ai.

Ndërsa, komuna e Kamenicës ka pasur pak probleme mësimin online në një fshat.

“Mësimi online në komunën tonë është duke u zhvilluar normalisht, përpos 92 nxënësve që jetojnë në fshatrat e Malësisë e në rrethinë. Ne kemi qenë përfitues të një projekti nga Banka Botërore për shtrirjen e rrjetit në fshatrat e Malësisë dhe fatmirësisht pothuajse të gjithë fshatrat kanë qasje në internet, përpos disa familjeve në zona më të thella”, ka bërë të ditur zëdhënsja për media e kësaj komune, Margarita Rashiti.

Sipas saj, Komuna është duke bashkëpunuar me Operatorët Ekonomik që t’u sigurojmë të gjithëve rrjetin kabllor dhe Internetin, në mënyrë që sipas saj, këta nxënës të mund ta ndjekin procesin mësimor nga distanca shumë shpejt.

Kurse, drejtori i Arsimit në Skenderaj, Bekim Latifi ka treguar shkurt për KALLXO.com, se mësimi në këtë komunë po zhvillohet me rregull dhe se mësimi për shkollat e mesme po zhvillohet po ashtu online përmes një platforme të krijuar nga kjo komunë.

KALLXO.com po ashtu ka kontaktuar edhe komunat e tjera të Kosovës por  deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.

Historiku

Më 11 mars , Qeveria e Kosovës mori vendim që t’i mbyllë shkollat deri me datën 27 mars për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit COVID-19.

Pas kësaj, 12 ditë pasi u mbyllën shkollat, më 23 mars filloi mësimi online apo mësimi nga distanca.

KALLXO.com ka asistuar në mënyrë vullnetare lidhur me realizimin e mësimit nga distanca dhe mësimi po transmetohet në mediumin publik, RTK, në kanalin RTK1 dhe RTK4 si dhe në uebfaqen emesimi.rks-gov.net.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka pranuar se sfidë do të mbetet vlerësimi i nxënësve.

“Jemi duke punuar për vlerësimet online, por nuk kemi ardhur deri te pika ku duhet të vendosim për diçka të tillë sepse, sinqerisht, po presim që vlerësimi të mund të bëhet në shkolla”, kishte thënë ajo.

Ndërkaq, niveli universitar në vend është duke zhvilluar mësim po ashtu online në baza vullnetare.

Më 20 ligjëratat online filluan në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në palformën si “Google Meet”, duke u praktikuar më pas edhe Universiteti i Mitrovicës, Univeristeti i Pejës, Univeristeti i Gjilanit dhe Universiteti i Ferizajt si dhe në instuticione të tjera të larta të arsimit privat.

Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë ende datë të caktuar se deri kur pritet të zgjasë mësimi në këtë formë, duke u varur plotësisht nga mënyra se si do të kalojë kriza me COVID-19.
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).