Foto: REL / Shutterstock

Mediat nuk tregojnë se disa lajme që i publikojnë janë të sponsorizuara

Shkruah nga Salih Bytyqi

Në lajme mund të shihni përurimin e ndonjë rruge apo shkolle të re, mirëpo as media e as komuna nuk tregojnë që në fakt lajmi që po transmetohet është paguar nga komuna. Kjo ndodh pasi disa komuna lidhin kontrata me media që nuk janë vetëm për publikim të konkurseve apo shpalljeve, mirëpo për mbulimin e aktiviteteve të tyre. Më pas, mediat i publikojnë ato materiale, mirëpo nuk tregojnë që i njëjti është i sponzorizuar.

Shumat e shpenzuara të parasë publike përmes kontratave për publikim dhe reklamim në media në të shkuarën nuk kanë qenë transparente për publikun. Një pjesë e madhe e ministrive apo komunave nuk i kanë bërë publike shumat e shpenzuara për reklama, as nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërguara rreth kësaj teme.

Madje nuk kanë shpalosur as informata nëse për shërbime të tilla ka pasur kontrata, e as nevojat për lidhjen e kontratave të kësaj natyre.

Raportet e organizatave të shoqërisë civile në vitet e shkuara kanë vënë në dukje faktin se një numër i madh i mediave kanë lidhur kontrata marketingu me institucionet publike, me ç’rast një pjesë e tyre nuk kanë qenë as të rregulluara me kontrata përkatëse. Për më tepër, nuk ka pasur as rregulla të përcaktuara se për çfarë shërbime institucionet mund të lidhin një kontratë marketingu me një gazetë apo portal.

Në publikimin “Media dhe Tenderët” të vitit 2019 nga Organizata Jo-Qeveritare “Democracy Plus” është konstatuar se një numër i institucioneve publike kanë kontrata me portale online në mënyrë që të marrin hapësirë për komunikatat e tyre, të cilat në raste normale nuk do të publikoheshin, pasi nuk përbëjnë lajm për publikun.

Raporti thotë se nëpërmjet këtyre komunikatave, mund të lexohen lajme për takime protokollare të krerëve të këtyre institucioneve apo edhe suksese të caktuara të cilat kanë për qëllim përmirësimin e imazhit të institucionit reklamues, derisa në anën tjetër, kjo u kthehet me favore nga portalet apo gazetat, të cilat nuk hulumtojnë për parregullsitë e këtyre institucioneve dhe nuk publikojnë artikuj që kanë qasje kritike ndaj institucionit përkatës.

Sipas vlerësimit të kësaj organizate, bazuar në hulumtimin e mësipërm, klientelizmi dhe politizimi i mediave çon kah nënshtrimi i mediave, të cilat në parim duhet të jenë të pavarura.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) vjet në rastin e Komunës së Junikut ka gjetur se kjo komunë në vitin 2020 kishte paguar 13 pagesa në vlerë 2,600 euro për “shërbime të marketingut” të cilat janë bërë sipas marrëveshjes së bashkëpunimit me një operator ekonomik për afishimin e logos së komunës dhe shfrytëzimin e hapësirës së caktuar emetuese, informuese dhe reklamuese për aktivitetet e komunës në ueb portal.

“Marrëveshja ishte lidhur në kohëzgjatje prej 24 muajve, përgjatë periudhës 2019-2021, me çmim të përgjithshëm në vlerë 4,800 euro dhe me çmim mujor në vlerë 200 euro”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së pagesa përmes një marrëveshje e cila nuk kishte procedurë tenderuese për përzgjedhjen e operatorit ekonomik është në kundërshtim me kornizën ligjore dhe ndikon për të keq në menaxhimin e parasë publike.

Ndërkaq në Raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Prishtinës për vitin 2021 është gjetur mosrespektimi i rregullave për mbështetje financiare për tre përfitues të subvencioneve dedikuar mediave.

“Te procesi i vlerësimit të kërkesave për subvencionim “Përkrahje për media”, dy anëtarë të komisionit për vlerësim të kërkesave ishin nga stafi politik. Pagesat për tre përfitues në vlerë totale 10,350 euro ishin pa kërkesë të arsyetuar, pa marrëveshje, nuk është caktuar zyrtari për monitorim dhe nuk janë dorëzuar raporte kthyese nga përfituesit”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Nga disa institucione qeveritare janë kërkuar përgjigje lidhur me kontratat e tyre me mediat për shërbime të marketingut, dhe sqarime nëse janë ndjekur procedurat e prokurimit publik për të lidhur kontrata të tilla. Të dhënat e prezantuara prej disa ministrive tregojnë për ulje të shpenzimeve në shërbimet e marketingut viteve të fundit.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka shpalosur të dhënat për shpenzimet për publikime të ndryshme, si konkurse, shpallje apo njoftime për vitin 2020, 2021 dhe 2022.

Ndërsa sipas njoftimit të marrë nga Zyra e Prokurimit, kjo ministri ka theksuar se nuk ka kontratë për shërbimet e marketingut.

MINT deri në prill të këtij viti ka shpenzuar 360 euro për shpalljet e reklamave dhe konkurseve në media. Në vitin 2021 kjo ministri ka shpenzuar 2,495 euro për reklama dhe konkurse. Ndërsa në vitin 2020, MINT për reklama e konkurse kishte shpenzuar 2,988 euro.

Ndërsa Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka bërë të ditur se nuk ka asnjë kontratë valide me mediat. Kjo ministri në përgjigjen e ofruar ka theksuar se publikimet dhe shpalljet i publikon në kanalet e veta zyrtare dhe përmes rrjeteve sociale.

Sipas informatave të ofruara, del se për vitin 2020, MKRS ka shpenzuar për shërbime të marketingut 117,659 euro, ndërsa që nga marrja e mandatit të ministrit Hajrulla Çeku, për vitin 2021 nuk ka pasur fare shërbime të kontraktuara me asnjë operator ekonomik  përkatësisht media.

“MKRS nuk ka nënshkruar asnjë kontratë për shërbime të kontaktuara mediale për vitin 2022, kësisoj ka pasur zero euro shpenzime për marketing”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

MKRS gjithashtu ka thënë se mediat i konsideron një partner jashtëzakonisht të rëndësishëm për të dhe se ka një bashkëpunim konstruktiv, ngase ato përpos që monitorojnë punën e ministrisë, njëherësh i përcjellin të gjitha ngjarjet që organizon MKRS-ja dhe institucionet e saj vartëse.

“Konsiderojmë se mediat janë një prej faktorëve kyç në promovimin e punës tonë si ministri”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

Për dallim prej MKRS-së, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se ka kontratë kornizë me Agjencitë e Lajmeve “Kosovapress” dhe “Ekonomia Online”, si dhe me dy gazeta që botohen në PDF, “Epoka e Re” dhe “Bota Sot e re”.

“Të gjitha këto kontrata janë lidhur me vetëm një procedurë”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t, duke shtuar se për lidhjen e këtyre kontratave janë ndjekur të gjitha procedurat e prokurimit.

Kjo ministri ka sqaruar se si realizohen shërbimet e informimit përmes kontratave kornizë.

“MASHTI realizon shërbimet e nevojshme të informimit (transmetime live, publikimet e konkurseve, shpalljeve, njoftimeve, video vetëdijesuese, etj.), përmes kërkesave që bëhen nga Divizioni për Komunikim Publik, si njësia që e menaxhon kontratën. Pra, cilido shërbim që vlerësohet nga departamentet e MAShTI-t si i nevojshëm për komunikim me publikun, e që është si njësi e përcaktuar brenda kontratës, Divizioni  i drejtohet mediumit me një email zyrtar ku e kërkon shërbimin e caktuar”.

MASHTI ka njoftuar se në tre muaj e parë të këtij viti për këto shërbime janë shpenzuar rreth 4 mijë euro, derisa gjatë vitit 2021 për shërbime të informimit janë shpenzuar rreth 14 mijë euro dhe në vitin 2020 gjithsejtë 23,500 euro.

Marketingu përmes mediave është vlerësuar si i nevojshëm nga ky institucion.

“Roli i mediave është shumë i rëndësishëm sa i përket komunikimit të institucionit me publikun, sidomos kur bëhet fjalë për një dikaster si MASHTI, i cili ka mbulueshmëri të madhe të shërbimeve për grupmosha dhe kategori të ndryshme në fushën e arsimit, shkencës, teknologjisë dhe inovacionit. Prandaj, është vlerësuar se nuk mjafton vetëm ueb faqja zyrtare për të komunikuar me publikun. Në këtë drejtim, Ministria ka shfrytëzuar shërbime të nevojshme nga kontratat, veçanërisht me dy agjencitë e lajmeve, të cilat mbulojnë një numër të madh të mediave me shërbimet e tyre. Pra, Ministria ka shfrytëzuar shërbime shumë të nevojshme për informim të publikut, sidomos në këtë periudhë të ndryshimeve dhe vështirësive të mëdha për shkak të pandemisë, në mënyrë që informatat të arrijnë te sa më shumë qytetarë”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t.

Aty gjithashtu theksohet se marrë parasysh nevojat për shërbime të shumta në këtë periudhë, një pjesë e madhe e videove vetëdijesuese dhe materialeve të tjera informuese janë mbuluar nga donatorët, si UNICEF, Save the Children, etj.

Ndërkaq një hulumtim i BIRN-it i publikuar në fillim të vitit 2020 pati gjetur se ish-Qeveria e Kosovës, nën drejtimin e Ramush Haradinajt, ka shumëfishuar buxhetin për marketing në media online, me numër të madh të kontratave të nënshkruara në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

Artikulli “Reklamimi i punës së qeverisë në mediat online” zbuloi se 16 nga 21 ministri të ish përbërjes qeveritare, kanë shpenzuar së paku gjysmë milioni euro për të bërë marketing në mediat online.

Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i verifikimit të fakteve për të luftuar lajmet e rreme dhe dezinformatat në Kosovë”. Programi realizohet nga BIRN me mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Mendimet, gjetjet dhe konkluzionet e paraqitura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish ato të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.