Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Matja e përmbushjes së premtimeve të qeverisjes së Ramiz Lladrovcit në siguri

Ramiz Lladrovci në kohën kur po rikandidonte për një mandant tjetër për të parin e Drenasit, në vitin 2021 ishte pyetur në “DebatPernime” në lidhje me planin e veprimit emergjent në komunë. 

Lladrovci kishte thënë se e kanë të miratuar planin e veprimit emergjent, por kishte shtuar se janë duke punuar në plotësimin e tij për shkak të ndryshimeve të legjislacionit në fuqi.

“Komuna e Drenasit e ka të miratuar planin e veprimit emergjent, mirëpo për shkak të ndryshimit të legjislacionit në fuqi, unë kam formuar grupin formues i cili është duke punuar në plotësimin e tij dhe finalizimin do ta çojmë në Kuvend” – kishte thënë mes tjerash Lladrovci. 

Asokohe, Lladrovci kishte treguar për testimet e sigurisë që i kanë kryer gjatë qeverisjes së tij. 

Sa i përket radikalizmit, ai kishte thënë se përmes Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi dhe Këshillit Lokal trajtohen këto tema.

“Ne kemi pasur qendren operative dhe nën-shtabe të tjera, planin e reagimit të shpejtë në vitin 2017 në bashkëpunim me KFOR-in, FSK-në, Komunën, Policinë dhe akterë të tjerë. Kemi testu tërmetin, na e kemi provu edhe gjatë vërshimeve, ne sa i përket radikalizimit funksionojmë KKSB dhe Këshilit Lokal ku trajtohen këto tema” –  kishte deklaruar kryetari Lladrovci. 

Nëntë muaj pas, KALLXO.com ka kërkuar raportin nga kryetari Lladrovci.

Për planin e veprimit emergjent ka thënë se ende nuk ka shkuar në Kuvend pasi sipas tij, është duke u plotësuar.

Sipas tij, kanë qenë në përfundim e sipër dhe kanë pritur rekomandimet e Agjencisë për Menaxhimin Emergjent, por shton se ky institucion i ka informuar se ka ndryshuar edhe ligji përkatës.

“Para një muaj kemi mbajtur seminarin dy ditor me grupin punues dhe pjesë e takimit  kanë qene edhe ekspertet e AME. Ata tashmë janë duke punuar për plotësim ndryshimin e këtij dokumenti, por  kjo sigurisht që merr kohë duke qenë se është një dokument i rëndësishëm” – ka thënë Lladrovci.

Lidhur me këtë, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent (AME) e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Nehat Koçinaj, përgjegjës për çështje ligjore, marrëdhënie me publikun dhe ndërkombëtare në AME, ka konfirmuar se me datat 29 dhe 30 qershor 2022 është mbajtur punëtoria e organizuar për vlerësimin e rrezikut  në Komunën e Drenasit.

Ai tha se pjesë e mbështetjes ishin edhe tre zyrtarë të lartë nga Departamenti përkatës i Agjencise Menaxhimit Emergjent AME –  MPB.

Më tej njoftoi se puna në grupin punues për vlerësim të rrezikut me planin e veprimit për Komunën e Drenasit është në proces.

“Puna në GP për vlersim të rrezikut me planin e veprimit nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera për Komunë të Drenasit është në proces” – tha Koçinaj për KALLXO.com.

Në anën tjetër, Lladrovci në muajin gusht në raportin për KALLXO.com, deklaroi në rast se kanë ndonjë në bazë të planit operativ emergjent formohet shtabi emergjent dhe veprohet sipas planifikimit operativ. 

“Shtabi përfshinë të gjithë aktorët relevant si AME-në, Policinë, Kryqin e Kuq, FSK-në, shoqërinë civile” – thotë ai. 

I pari i Komunës së Drenasit tha se nuk ka asnjë rast të personave nga kjo komunë që iu janë bashkuar luftrave të huaja, dhe shton se e kanë Zyrën për Komunitete që merret me “çështje të mundshme të natyrës së tillë”.

“Ne e kemi Zyrën për Komunitete e cila merret me çështje të mundshme të natyrës së tillë, por siç ju shkruam më lartë nuk kemi pasur raste të tilla. Kjo zyrë ka bashkëpunim me organizata të ndryshme  që në fokus të veprimtarisë së tyre mund ta kenë edhe radikalizmin” – deklaroi Lladrovci. 

faqen zyrtare të Komunës së Drenasit janë publike procesverbalet e katër mbledhjeve të mbajtura “sipas planit të paraparë të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB)”.