Foto:Facebook/MPJD

Marrëveshjes Shqipëri- Kosovë: Dy marrëveshjet që gjetën zbatim

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë që nga viti 2014 kur kanë filluar të mbajnë mbledhje të përbashkëta kanë nënshkruar gjithsej 116 marrëveshje. Vetëm në nëntor të vitit 2021, janë nënshkruar 13 marrëveshjet Shqipëri-Kosovë prej të cilave 4 kanë nisur të zbatohen plotësisht.

Marrëveshjet mbulojnë fusha të ndryshme, që prekin direkt jetën e qytetarëve të dy vendeve.

Në mbledhjen e fundit të mbajtur me 26 nëntor 2021, mes marrëveshjeve që u firmosën ishte edhe pakti për njehsimin e diplomave mes dy vendeve. Kjo marrëveshje, sipas përgjigjeve të pranuara nga ministrit e Arsimit të dy vendeve, ka nisur të zbatohet.

Ministria e Arsimit në Shqipëri, përmes një përgjigje zyrtare, konfirmoi se pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, në Qendra e Shërbimeve Arsimore janë depozituar 10 kërkesa për njohjen e diplomave të nivelit 5-7 dhe asnjë kërkesë për njohjen e gradave shkencore dhe titujve akademikë.

Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit në Kosovë, ka konfirmuar se prej arritjes së marrëveshjes janë pranuar 63 aplikime, 10 prej tyre për grada shkencore PhD.

“Prej arritjes së marrëveshjes, ju njoftojmë se deri më tani kemi pranuar 63 aplikime/kërkesa, prej të cilave 10 janë për grada shkencore PhD”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së Arsimit të Kosovës.

Nga 13 marrëveshjet Shqipëri-Kosovë të nënshkruara në nëntor, rezulton se vetëm 4 prej tyre kanë nisur të zbatohen plotësisht.

Më konkretisht, ka nisur zbatimi i marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave, Marrëveshja për lehtësimin e procedurave dhe kushteve për marrjen e lejeqëndrimit të përkohshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë është funksionale; Marrëveshja për sigurime shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës ka filluar dhe tashmë është e zbatueshme dhe marrëveshja për bashkëpunimit në fushën e bujqësisë – po zbatohen modelet për certifikatat e sigurisë së ushqimeve që lëshohen nga Autoriteti Kombëtar I Ushqimit.

Në mes të dy qeverive janë nënshkruar një sër marrëveshje sa i përket fushës së energjisë. Shumë prej këtyre marrëveshje janë nënshkruar pas ndërtimit të linjës së interkoneksionit prej 400 kilovatëve e cila është funksionalizuar vetëm në dhjetor të vitit 2020. Funksionalizimi i saj ishte bërë plotë 4 vite pas finalizimit të saj për shkak të u bllokadave të vendosura nga Serbia.

Rrjedhja e energjisë nëpër këtë linjë i ka hapur rrugë unifikimit të energjetikës mes dy vendeve. Linja e përbashkët e transmetimit, sipas kryeministrit të Shqipërisë, jepte mundësinë për krijimin e një tregu rajonal, që në të ardhmen e afërt do të jetë edhe pjesë e tregut evropian. 

Linja ka kushtuar 75.5 milionë euro, mbi 33 milionë euro u financuan nga Kosova, ndërsa 42 milionë të tjera nga Shqipëria. Linja ka një shtrirje në një gjatësi totale prej 241.1 kilometra, nga të cilat 151.1 kilometra shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 kilometra në territorin e Kosovës.

Linja e interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës synonte njëkohësisht rritjen e sigurisë energjetike të Shqipërisë dhe krijimin e kushteve për optimizimin e operimit të sistemeve energjetike të Shqipërisë dhe Kosovës. Në muajt dhjetor dhe janar, Kosova u përball me krizë të rëndë energjitike, që u shoqërua me rritje të tarifave, pavarësisht protestave.  Qeveria shqiptare, u ofrua të ndihmonte Kosovën në këtë situatë dhe i dha 7,680 megavat orë energji.

KOSTT konfirmon se në periudhën nëntor 2021- janar 2022, për të përballuar krizën energjitike, Kosova ka përfituar nga Shqipëria, 55,580 MËh.

“Sa i përket energjisë së prokuruar nga ana e KOSTT nga Shqipëria për qëllime të balancimit të sistemit aFRR (Automatic Frequency Restauration Reserve) dhe mFRR (Manual Frequency Restauration Reserve), sasia e përgjithshme në periudhën nëntor 2021-janar 2022 ka qenë 55580 MËh”, thotë në përgjigjen e KOSTT. 

KOSTT saktëson se rritja e kapaciteteve ndërkufitare e ul koston e alokimit të kapaciteteve e cila në fund reflektohet te konsumatori. Me linjën 400 kV Shqipëri-Kosovë është rritur kapaciteti neto i transferit (NTC) për 500 MË duke mundësuar kështu tregtim shumë më të lehtë në mes të Shqipërisë, Kosovës dhe rajoni.

Por, nga OST dhe KESH thonë se linja nuk ka punuar për 4 muaj, nga janari deri në maj të vitit 2021.

”Linja 400kV Koman-Kosova B, është vendosur në operim në datë 14 Dhjetor 2020. Si pasojë e kushteve atmosferike të rënduara, në datë 10 Janar 2021 kjo linjë doli jashtë pune. Në linjë u identifikuan shtylla të rrëzuara për shkak të ngarkesës së lartë të akullit në përcjellës dhe në shtylla. Pas riparimeve linja u vendos në pune në datë 12 Maj 2021”, thuhet në përgjigjen zyrtare drejtuar Kallxo.com.

Sikurse edhe KOSTT, edhe KESH dhe OST në Shqipëri  sqaron se linja 400kV Koman-Kosova B, shfrytëzohet për shkëmbimin e energjisë me vendet fqinje, për qëllime të furnizimit ose tregtimit të energjisë elektrike, sipas kontratave të pjesëmarrësve në tregun e energjisë elektrike të brendshëm ose rajonal.

Pas ndërtimit të linjës së interkoneksionit, Qeveritë e të dy vendeve kanë nënshkruar edhe marrëveshjen për krjimin e bursës energjetike, që pritet të funksionalizuohet në fund të vitit 2022. Krijimi i bursës energjetike është thënë se do të qojë në bashkimin e dy tregjeve energjetike, që poashtu është pjesë e planit të dy qeverive.

Që nga funksionalizimi i saj, kjo linjë vetëm tre herë ka qenë jashtë funksioni. Herën e parë, kjo linjë doli jashtë funksioni për shkak të kushteve të renda atmosferike.

“Dalja nga puna e linjës 400 kV Shqipëri-Kosovë një muaj pas funksionalizimit të saj, nuk ka shkaktuar ndonjë kufizim në sasinë e shkëmbimeve të energjisë elektrike të nevojshme për nevojat e konsumit në Kosovë pasi që ka pasur kapacitete të tjera të mjaftueshme në dispozicion në këtë periudhë kohore”, thuhet në përgjigje e KOSTT.

Përvec kësaj, zëdhënësja e KOSTT-it, Zana Bajrami Shala thotë se linja është dal nga funksioni edhe dy herë të tjera për shkak të nevojës për intervenime teknike. Ajo ka thënë se situata të tilla janë të zakonshme pasi është e nevojshme që të ndalet transmetimi për disa orë për t’i lënë mundësi ekspertëve të bëjë ndërhyrje teknike.