Kush e sulmoi shkollën në Vushtrri?

Media në gjuhën serbe “Televizija M” më 21.05.2024 ka shpërndarë një lajm përmes të cilit pretendon se një grup shqiptarësh kanë sulmuar një shkollë ku mësojnë fëmijë serbë në rajonin e Vushtrrisë.

Ndërsa Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë shpërndau informacionin se askush nuk ka dhënë llogari për këtë ngjarje.

Lidhur me pretendimet, KALLXO.com kreu verifikime të fakteve në terren, duke konstatuar se raportimi se askush nuk dha përgjegjësi për ngjarjen ishte jo i saktë

Të dhënat tregojnë se shkolla ku mësojnë fëmijët serbë ishte sulmuar më 20.05.2024 dhe sulmi kishte ndodhur me gurë nga dy persona të dyshuar.

Televizioni në fjalë në lajmin që ka publikuar është mbështetur vetëm në deklaratën që është dhënë nga Zyra për Kosovën në Serbi, teksa nuk janë dhënë informacione shtesë.

KALLXO.com ka kërkuar të dhëna nga institucionet e Kosovës për të konfirmuar tërë rrjedhën e ngjarjes.

Drejtoria Rajonale e Mitrovicës e Policisë së Kosovës ka konfirmuar se sulmi ndaj shkollës është kryer nga dy persona të dyshuar.

Policia në komunikimin zyrtar me KALLXO.com ka konfirmuar se dy të dyshuarit janë shqiptarë dhe të njëjtit janë fëmijë nën moshën 14-vjeçare.

Sipas përgjigjes së Policisë, më 20.05.2024, stacioni policor në Vushtrri ka pranuar njoftimin se në fshatin Gojbulë të Vushtrrisë, në shkollën e atij fshati kishte ndodhur një rast, konkretisht disa persona te panjohur kishin thyer me gurë xhamin e një dritareje të shkollës.

Po ashtu, të miturit dyshohet si kishin dëmtuar kamerën e shkollës për të cilin rast është njoftuar prokurori kujdestar.

Tutje është thënë se më 24.05.2024, Njësia e Hetimeve të stacionit policor në Vushtrri  pas një pune hetimore ka arritur që të identifikojë dy të mitur, të cilët u tha se janë intervistuar në prani të prindit, avokatit mbrojtës dhe zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale.

Ndaj të njëjtëve është thënë se është iniciuar rasti  – asgjësim apo dëmtim i pasurisë, dhe të dyshuarit pas intervistimit, me urdhër të prokurorit për të mitur, janë liruar ndërsa rasti ka vazhduar tutje në procedurë të rregullt.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, e cila ka konfirmuar se dy të dyshuarit janë të mitur.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë kishte ngritur pretendime se të dyshuarit për ngjarjen nuk janë vendosur përballë përgjegjësisë.

Në komunikatën për media të kësaj Zyre thuhet “KFOR, EULEX dhe policia janë njoftuar për sulmet në shkollë e në kamerë janë parë se nga kush është bërë krimi, fajtorët nuk janë vënë kurrë para drejtësisë”.

Por kur KALLXO.com kërkoi të dhëna nga Policia ata konfirmuan se personat janë arrestuar dhe  procedura është iniciuar.

Përgjigje të njëjtë ka dhënë edhe Prokuroria e Mitrovicës, e cila ka konfirmuar inicimin e procedurave.

Ligji penal për të miturit në Kosovë i liron nga përgjegjësia penale fëmijët nën moshën 14-vjeçare. Në situata kur ata kryejnë veprime të tilla fëmijët nuk mund të arrestohen apo burgosen mirëpo me trajtimin e tyre merren qendrat për punë sociale dhe organi i kujdestarisë.