Komunat në sfidë me sistemin parashkollor, 22 çerdhe të reja planifikohen në vitin 2020

Përderisa përfshirja e fëmijëve të moshës 0-3 vjeç në sistemin parashkollor konsiderohet si shumë e rëndësishme nga ekspertë të fushës, në vend ende ka komuna që nuk kanë asnjë çerdhe të vetme publike.

43 është numri i përgjithshëm i çerdheve publike në vend ndërsa në Kosovë janë 38 komuna.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti , ditën kur mori mandatin qeverisës premtoi se 50 për qind do të jetë rritja e pjesëmarrjes në arsimin parashkollor deri në vitin 2022.

Por, në buxhetin e vitit 2020 të miratuar ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, Qeveria e tij ka paraparë ndërtimin e vetëm 22 instituticioneve parashkollore brenda këtij viti.

Prej tyre disa janë projekte të planifikuar nga niveli qendror kurse disa të tjera janë financimi i investimeve kapitale komunale.

Ndërtimi i çerdheve nga niveli qendror

Çerdhja e parë e paraparë të ndërtohet nga buxheti i vitit 2020 është në Komoran të Gllogocit.

Për të janë ndarë nga buxheti 62 mijë euro dhe sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit të vitit 2018/19, në këtë qytet janë dy çerdhe publike.

Komuna e Mitrovicës me mbështetjen e nivelit qendror do të bëhet më një çerdhe sipas buxhetit të vitit 2020.

Për të janë ndarë 100 mijë euro dhe sipas të dhënave të MAShTI-it , në këtë qytet është vetëm një çerdhe.

Dy çerdhe janë paraparë të ndërtohen në Prizren, si projekte nga buxheti i vitit 2020 të Qeverisë Kurti.

Për njërën çerdhe janë ndarë 280 mijë euro dhe për tjetrën 250 mijë euro që janë bartur nga buxheti i vitit 2019.

Në bazë të të dhënave të MAShTI për vitin 2018/19, në Prizren nuk është asnjë çerdhe publike.

Projekt tjetër kapital nga niveli qendror në buxhetin 2020 është planifikuar edhe ndërtimi i çerdhës në Lagjen Arbëria në Klinë.

Për të janë bartur 200 mijë euro nga buxheti i vitit paraprak dhe po ashtu në këtë qytet është vetëm një instituticion parashkollor publik sipas MAShTI.

Çerdhja tjetër e planifikuar nga buxheti i vitit 2020 nga Qeveria e Kosovës është në Suharekë.

Në këtë qytet është vetëm një çerdhe sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit. Kurse, për çerdhen e re të planifikuar nga Qeveria e Kosovës për vitin 2020, janë ndarë 100 mijë euro.

Ndërtimi i çerdheve në nivel komunal

Ndërtimi i çerdhes së fëmijve në fshatin Gadime e Ulët të Lipjanit është projekti tjetër në buxhetin e vitit 2020, ku për të janë bartur 100 mijë euro nga buxheti i vitit paraprak.

Sipas të dhënave të MAShTI për vitin 2018/19, në Lipjan është vetëm një çerdhe publike.

Edhe Komuna e Malishevës do të bëhet më dy çerdhe sipas buxhetit të vitit 2020.

Njëra është në Kijevë që janë ndarë 150 mijë euro dhe tjetra në qytet dhe për të janë ndarë po ashtu 150 mijë euro.

Edhe në këtë komunë sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit është vetëm një çerdhe publike.

Në nivelin komunal edhe Komuna e Mitrovicës është përkrahur për një çerdhe tjetër në buxhetin e vitit 2020.

Për këtë çerdhe janë ndarë 200 mijë euro dhe sic është cekur më lartë, kjo komunë ka vetëm një cerdhe publike.

Çerdhe e re në buxhetin e vitit 2020 është planifikuar edhe për komunën e Vushtrrisë.

Për të janë ndarë 100 mijë euro dhe sipas MAShTI në këtë komunë është vetëm një çerdhe.

Komuna e Novobërdës apo më saktë fshati Llabjan do të bëhet me çerdhe po ashtu, ku për të janë ndarë 35 mijë euro në buxhetin e vitit 2020.

Në këtë komunë nuk është asnjë çerdhe publike, sipas MAShTI.

Komuna e Rahovecit sipas të dhënave të ministrisë, ka një çerdhe, por ajo do të bëhet edhe me tri të reja.

Një çerdhe në fshatin Raktoc, një në fshatin Krushë të Madhe dhe një në fshatin Xërxë.

Për atë të Ratkocit dhe Krushë të Madhe janë ndarë nga 100 mijë euro në buxhetin e vitit 2020, kurse për atë në Xërxë 70 mijë euro.

Suhareka po ashtu që ka vetëm një çerdhe do të bëhet me një më shumë.

Shuma e ndarë për vitin 2020 për çerdhen e planifikuar në Samadraxhe është 38 mijë euro.

Ndërsa, për Prizrenin, e cila është komunë që s’ka asnjë cerdhe publike, në nivel komunal në buxhetin e vitit 2020 janë ndarë 93 mijë e 332 euro për ndërtimin e një çerdhe dhe renovim të një çerdhe ekzistuese.

Edhe disa fshatra të Gjakovës do të bëhen me çerdhe në bazë të buxhetit të vitit 2020, pasi ky qytet sipas MAShTI ka 5 cerdhe publike.

Nga buxheti i vitit 2020 janë ndarë 100 mijë euro për ndërtimin e çerdheve në rajonet Has, Reka e Mirë, Reka e Keqe, Dushkaj.

Për vetëm një çerdhe në Pejë janë planifikuar fonde në buxhetin e vitit 2020, që prek shumën e 240 mijë euro.

Ajo do të ndërtohet në fshatin Karagaç dhe në këtë qytet sipas MAShTI është vetëm një çerdhe.

Në anën tjetër, sipas të dhënave të MAShTI ka komuna të cilat nuk kanë asnjë çerdhe publike dhe nuk janë planifikuar të holla për ndërtimin e tyre në buxhetin e vitit 2020.

Komunat pa asnje çerdhe

Decani, Dragashi, Hani i Elezit, Juniku, Leposaviqi, Shtërpca, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi , Zubin Putoku e Zvecani janë komuna që nuk kanë asnjë instituticioni parashkollor publik.

KALLXO.com ka kontaktuar të gjitha këto komuna për të marrë një qëndrim për mos përfshirje të tyre në ndërtimin e çerdheve për vitin 2020 por të njëjtët nuk i janë përgjigjur interesimit.

Qehaja: Gjithëpërfshirja në arsimin parashkollor, rrugëtim i gjatë

Eksperti i fushës së srsimit, Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard thotë se gjithëpërfshirja e fëmijëve në arsimin parashkollor është rrugëtim i gjatë.

“Investimi në ndërtim të institucioneve parashkollore paraqet vendim të mirëseardhur. Rrugëtimi drejt gjithë përfshirjes në arsimin parashkollor është i gjatë, mirëpo iniciativa si kjo paraqesin indikator të mirë të vullnetit të mirë. Uroj që edhe përzgjidhja e rajoneve për ndërtim ka marr parasysh kërkesën e vërtetë të komunitetit dhe projeksionet e popullsisë për të ardhmen”, ka thënë Qehaja për KALLXO.com.

Ai ka shtuar se përveç çerdheve të reja, Qeveria duhet të fokusohet edhe në renovimin e çerdheve ekzistuese për shkak të kushteve të tyre.

“Në të njëjtën kohë, rikujtoj domosdoshmërinë në investime në rifreskim të institucioneve parashkollore që tashmë janë në shfrytëzim – shumë sosh mungojnë në ambiente dhe infrastrukturë të përshtatshme për edukim të hershem”, tha Qehaja.

“Me shume rëndësi po ashtu për shkollimin parashkollorë është të instaluarit e mekanizmave mbikëqyrës për sigurim të cilësisë në edukim të fëmijëve cofshin ato në institucione publike apo private”, ka shtuar ai për KALLXO.com.

Në total numri i çerdheve publike në Kosovë është 43 dhe kurse numri i nxënësve të përfshirë në nivelin parashkollor është 5 mijë e 205.

Kurse, rritje të pjesëmarrjes dhe qasjes në arsim parashkollor ka rekomanduar edhe Raporti i Progresit për Kosovën i vitit 2019.

Edhe në Planin Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017-2021 si politik kryesore është theksuar rritja e pjesëmarrjes së fëmijëve në edukimin parashkollor dhe si sfidë kryesore eështë përmendur ky problem.

“Ky segment i arsimit ka mungesë të investimeve, prandaj mungesa e infrastrukturës mbetet shkaktari kyç për përfshirjen e ulët të fëmijëve në këtë nivel. Vetëdijesimi i familjeve dhe politikëbërësve për rëndësinë e edukimit parashkollor është çështje që duhet adresuar edhe në të ardhmen”, thuhet në këtë plan të Qeverisë.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).