Ilustrim

Gjilani dhe realizimi i planit për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni në kohën kur po garonte për të parin e kësaj Komune në vitin 2021, ishte pyetur në DebatPernime lidhur me parandalimin e radikalizimit, ekstremizmit dhe trajtimin e personave që janë kthyer nga luftërat e huaja dhe dukurive të tjera negative.

Në luftën kundër këtyre dukurive, Hyseni ishte zotuar se do të thellojë bashkëpunimin me institucionet e sigurisë; Policinë e Kosovës, Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), zjarrfikësit.

“Është e rëndësishme që Komuna bashkë me organet dhe me trupat  përreth që I ka përbrenda për çështje të sigurisë të thellojë bashkëpunimin me institucionet e ndryshme siç janë Policia, FSK, zjarrfikësit e kështu me radhë. Po ashtu me organizatat joqeveritare përmes të cilave mund të bëhen ligjëratat publike ose fushata sensibilizim”, ka thënë ai.

Tetë muaj pas këtij premtimi KALLXO.com ka kërkuar të marrë raportin se çka ka avancuar në bashkëpunimin në mes komunës dhe insitucioneve të sigurisë.

Kryetari Hyseni ka deklaruar se drejtoria e Shpëtimit dhe Mbrojtjes dhe në këtë rast,  Drejtori si koordinator i Mekanizmit Referues (MR) i emëruar nga Kryetari ka realizuar 5 takime me Zyrtarin Policor i cili është edhe anëtarë dhe Zv.Koordinator i MR. Gjithashtu thotë se së bashku me KOM e NJPZSH kanë mbajtur dy takime me KOM Stacionin Policor në Gjilan.

“Pas disa jave në (MR) është mbajtur një punëtori (dy ditë) me përfaqësues të BE nga Britania e Madhe. Gjithashtu kanë marrë pjesë në një punëtori tjetër njëditore me temën “Parandalimi i përhapjes së ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit në Kosovë” të organizuar nga KALLXO.com në Gjilan.”, tha ai.

Në aktivitetet e tjera Komuna thotë se ka nisur plane në hartimin e planit dhe vlerësimet e rreziqeve.

“Në ditët në vijim e kemi planifikuar që ta realizojmë edhe një punëtori rreth Vlerësimit të Rreziqeve ( VRR) e cila do të realizohet nga Instruktorët e Agjencionit të Menaxhimit të Emergjencave (AME) ku do të identifikohen rreziqet nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera (FNFT) në mënyrë që pastaj të nxjerrim dokumentet rreth Menaxhimit të Rreziqeve për Komunën tonë”, tha Hyseni.

E në mesin e premtimeve të Hysenit ishte edhe emërimi i personave kompetent në fushat që kanë të bëjnë me sigurinë dhe çështje të tjera që ndikojnë në sigurinë e qytetit. 

Në këtë pikë, kryetari Hyseni thotë se fllimisht e ka emëruar koordinator të MR – Drejtorin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bejtullah Osmanin, e pastaj thotë se kanë arritur që ta funksionalizojnë këtë mekanizëm dhe është emëruar Mekanizmi Referues në përbërje të 15 anëtarëve.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin për Shpëtim dhe Mbrojtje, Bejtullah Osmani i cili deklaroi se janë mbajtur takime për çështje të sigurisë (aksidente, zjarre etj.) dhe katër të tjera janë vetëm për koordinimin e funksionalizimit të mekanizmit për parandalimin e ekstremizimit të dhunshëm.

Punëtoria dyditore lidhur me parandalimin e ekstremizimit që janë mbajtur më 14-15 prill, Osmani thotë se pjesë janë një grup i emëruar nga kryetari, në të cilën bënë pjesë ai, një pjesëtar i Policisë, një nga FSK, kryqit të kuq, psikolog, mjekë, drejtori të arsimit.

Osmani njoftoi se sot është mbajtur edhe një takim ku kanë marrë pjesë vec anëtarët e Mekanizimin Referues që ka të bëjë për parandalimin dhe identifikimin e rasteve të ekstremit të dhunshëm.

“Kemi takime edhe me policinë, dy takime i kemi mbajtë me komandatin e stacionit, ne si drejtori. Më së paku pesë takime i kemi mbajtë me një toger që është përgjegjegj dhe pjesë e Mekanizimit Referues të ekstremizimit të dhunshëm. Në dy takimet që i kemi mbajtë me komandatin kam qenë unë, komandanti i stacionti dhe i njësisë së zjarfikësve. Tema ka qenë bashkëpunimi mes drejtorsë dhe këtyre dy institucioneve tjera. Takimet janë që janë mbajtur me zyrtarë që janë pjesë e Mekanizimit Referues për parandalimin e ekstremizimit të dhunshëm. Këtu me vendim të kryetarit është një grup që është themelu prej 15 anëtarëve jemi, një punëtori dy ditore para një muaji e gjysëm e kemi mbajtë me të BE-së edhe sot e kemi mbajtë takimin tjetër”, ka bërë të ditur Osmani.

Në anën tjetër kryetari Hyseni ka deklaruar se janë mbajtur edhe dy takime me Kryetarët e Këshillave të Fshatrave ku thotë se kanë kërkuar që të bashkëpunojnë rreth shume çështjeve por edhe rreth zjarreve fushore dhe malore me të cilat përballet kjo Komunë.

Sipas tij, në takimin e parë me Kryetarët e Këshillave të Fshatrave kanë marre pjesë më tepër se gjysma ( rreth 60%) ndërsa herën e dytë kanë qenë në numër më të vogël (rreth 40%).

KALLXO.com ka kontaktuar me përfaqësues të fshatrave Pogragje, Malishevë e Poshtme, Cërnicë, Livoç i Ultë, Llashticë, Velekincë, Dobërqan, Ponesh, Bresalc dhe Bilinicë dhe Përlepnicë.  

Kryetarët e këtyre fshatrave kanë konfirmuar se kanë mbajtur një takim me nënkryetaren e Komunës së Gjilanit e cila është zhvilluar në sallën e Kuvendit Komunal. 

Sipas tyre, tema ka qenë për mbrojtjen e mjedisit dhe kujdesi nga zjarret.  

Në anën tjetër, teksa po fliste për sigurinë, kryetari Hyseni në DebatPernime kishte thënë se do të investojë në shtrimin e rrjetit të ndricimit sepse sipas tij, pa ndriçim hapësirat publike shndërrohen në zona të rrezikshme. 

“Mirëmbajtja e hapësirës publike ka rol kyç në çështje të sigurisë. Hapësira publike që janë pa ndriçim publik dhe pa mirëmbajtje shndërrohen shumë shpesh në hapësirë ku buron kriminaliteti dhe dukuritë e tjera negative që e dëmtojnë shoqërinë”, kishte thënë Hyseni. 

Sot, Hyseni në një prononcim për KALLXO.com ka treguar se totali i zgjerimit të rrjetit të ndiçimit publik në mandatin e tij është 3,574 m’ (metër gjatësi)

“Zgjerimi i rrjetit në qytet dhe fshatra është bëre prej – 1889 metra gjatësi në Qytet , është bër zgjerim i rrjetit : Rr.” Medlin Olbrait ” 175 m’, rr.”28 Nëntori” 260 m’ , lagjja “Zabel” 62 m’, Te Sheshi në qendër 230 m’ , rr.”Uskana” 263 m’, rr. “Murat Kelmendi” 175 m’, , rr”28 Nëntori ” rruga Lidhëse , 180 m’, rr.”Kalaja” 182 m’, rruga e Prishtinës(përballë Meridianit) 80 m’, rruga e Pishtinës te tunelli 50m’, rr.”Mustaf Kokaj” 42m’,  rr.”Murat Kryeziu “, 110 m’ dhe te Kodra e Dëshmorëve 80 m’. – në fshatra janë bërë zgjerim i rrejtit 1685 metra gjatësi  : fshatrat  Malishevë, Llashticë, LLadovë, Bresalc, Zhegër, Stublinë,Mireshë, Livoç i Ulët, Përlepnicë, Muhaxherët e Malishevës, Uglar”, ka bërë të ditur kryetari Hyseni.