E vërteta e kërcënimeve në seancën gjyqësore
Portali “Insajderi” (arkiva) më 30.10.2024 ka publikuar një lajm me titullin: “E pres këta jashtë.. nanën krejtve, vëllai jem po han dhe”, kërcënohet Andi Pajatizi në seancë gjyqësore”.
Ky lajm të cilin e ka publikuar portali “Insajderi” del të jetë i pavërtetë pasi familjari i palës së dëmtuar nuk ka komunikuar në seancë me Andi Pajazitin por i njëjti ka pasur përplasje verbale me avokatin Fanol Krasniqi, mbrojtës i të akuzuarit Andi Pajaziti.
Siç mund të shihet edhe në videon e KALLXO.com që ka monitoruar seancën për këtë rast, përplasja verbale fillimisht ka filluar mes avokatit Fanol Krasniqi dhe avokatit të familjes së të ndjerit, Flakron Sylejmani.
Pasi që gjyqtari nuk ka arritur t’i qetësojë palët, në ato momente (minuta 1:15) familjari i palës së dëmtuar ka reaguar duke iu drejtuar Krasniqit me fjalët: “Çka është tu t’dhimtë ty? Çka p’i dhem ktina?. Jo na familja po dalim krejt edhe ia lëmë drejtësisë se drejtësi kena lypë me pa diçka, po është e korruptume drejtësia, këtu te na, e nuk ka drejtësi te na, e pres këtë jashtë. Shihemi!”.
Ky rast ka ndodhur më 30.10.2024 në seancën ku dëshminë e tij ishte duke e dhënë eksperti i psikiatrisë forenzike, i cili kishte konstatuar se Andi Pajaziti në momentin kur e kishte kryer veprën penale kishte pasur tronditje të fortë mendore.
Pra, siç mund të shihet në video, familjari i palës së dëmtuar nuk ka pasur asnjë kontakt me të akuzuarin, por i njëjti ka pasur përplasje verbale me avokatin Krasniqi.
Hulumtuesit për të vërtetuar një gjë të tillë, kanë marrë një përgjigje nga avokati Fanol Krasniqi.
“Personi të cilit i jeni referuar ju nuk ka pasur kontakt verbal me të mbrojturin tim. Të gjitha reagimet që i njëjti i ka bërë kanë qenë në drejtim timin”- ka thënë Fanol Krasniqi më 14.11.2024.
Tutje hulumtuesit i kanë dërguar pyetje edhe Prokurorisë për të parë nëse rasti është duke u hetuar në drejtim të veprës penale të kanosjes dhe ndaj kujt është drejtuar kanosja.
“Policia e Kosovës me datë 30.10.2024 e ka njoftuar prokurorin kujdestar lidhur me sjelljen e palës së dëmtuar në një proces gjyqësor ku i njëjti ishte ngritur në këmbë dhe ju kishte drejtuar mbrojtësit të të pandehurit dhe gjykatës me fjalë fyese dhe ofenduese ku ndër të tjera kishte përmendur edhe fjalët “Shihemi jashtë”- ishte përgjigjja e Prokurorisë.
Pra, rasti, sipas Prokurorisë, ka ndodhur mes mbrojtësit Fanol Krasniqi që mbron të akuzuarin Andi Pajaziti dhe familjarit të viktimës.
Por, Prokuroria ka thënë se pas analizimit të çdo veprimi në seancë ka ardhur në përfundim që nuk kemi të bëjmë me elemente të veprës penale të kanosjes, duke mos e proceduar rastin tutje.
Si ishte kryer vrasja sipas Prokurorisë?
Sipas dosjes së Prokurorisë, rasti kishte ndodhur më 04.08.2023 rreth orës 23:17 ku paraprakisht ishin të ulur i pandehuri, i cili gjendet në arrati, Dukagjin Likaj, bashkë më tani të ndjerin K.R.
Dosja e përshkruan se Likaj ishte ai që e kishte ftuar të akuzuarin Pajaziti të ulet te tavolina e tyre.
Pas tensionimit të situatës, sipas Prokurorisë, ishte sigurimi Hisni Gecaj ai që ishte munduar ta qetësojë situatën, por nuk kishte arritur.
Dosja e Prokurorisë përshkruan se tashmë i ndjeri K.R. e kishte sulmuar me shishe dy herë në kokë të akuzuarin Pajaziti.
Pas këtij sulmi, i akuzuari e kishte nxjerrë armën nga brezi nga ana e djathtë, për shkak të tronditjes së fortë mendore, siç përshkruhet në aktakuzë “pa fajin e tij, pa menduar për pasojat”, shtien më armë zjarri me ç’rast e godet tashmë të ndjerin K.R.
Sipas dosjes së Prokurorisë, armën e kishte nxjerrë edhe Dukagjin Likaj, gjatë kësaj kohe ia kishte mbajtur dorën sigurimi Hisni Gecaj, kurse arma ishte e drejtuar në drejtim të të akuzuarit Pajaziti.
Dosja thotë se Dukagjin Likaj ka shtënë me armë në drejtim të të pandehurit Pajaziti me ç’rast e “ka lënduar në bërrylin e dorës së majtë” dhe si të tilla bëjnë pjesë në lëndime të rënda trupore me pasoja të përhershme shëndetësore.
Vdekja e të ndjerit, sipas Prokurorisë, ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme e cila ka çuar në shok hemorragjik, si pasojë e predhës së armës së zjarrit.
Arma e cila është përdorur, sipas Prokurorisë, është tip “Smith” e kalibrit 9mm.
Për të, i akuzuari përveç kryerjes së vrasjes, akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.
Pajaziti është duke qëndruar nën masën e paraburgimit. Pajazitit i ishte shqiptuar masa e paraburgimit më 7 gusht 2023, së bashku me të dyshuarit, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti.
Por Gecaj dhe Zakuti ishin liruar nga kjo masë pas kërkesës së Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë në këtë rast në rrezik ishin jetët edhe të personave të tjerë të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.
Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajaziti e Hisni Gecaj ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte K.R, i cili kishte vdekur në QKUK.
13 persona sipas Prokurorisë ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Të gjitha raportimet e tjera lidhur më këtë rast, mund t’i lexon në këtë LINK.