Digjitalizimi la pa frekuenca numerike mediat lokale dhe uli cilësinë e transmetimit

Shkruar nga Ardian Hoti

Digjitalizimi në Shqipëri ka përfunduar më 30 dhjetor të vitit 2020, duke mbyllur kështu transmetimet analoge në të gjithë vendin, nuk e arriti qëllimin për të cilën u bë kjo reformë.

Në një hulumtim të bërë sa i përket gjendjes së Televizioneve lokale në Shqipëri si dhe duke analizuar dosjet e këtij procesi rezulton që digjitalizimi e dëmtoi median lokale në disa drejtime, sic është mungesa e pavarësisë në transmetim dhe programacion, cilësia e dobët e transmetimit, tarifa të papërballueshme të transmetimit si dhe pamundësi për mbulimin e gjithë territorit me sinjal.

Vendosja e frekuencave numerike lokale ka qenë e planifikuar në Projekt strategjinë e Republikës së Shqipërisë, hartuar nga KKRT, për kalimin nga transmetimi analog në ato numerike bazuar në direktivat e BE-së.

Por, në Shqipëri mediat lokale përfunduan duke mos pas frekuenca të veta, sic thuhet në Ligji 97/2013 për Mediat Audio Vizive.

Zgjidhja për mediat lokale të Shqipërisë mbetet vetëm përdorimi i mjeteve të infrastrukturës të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) për shpërndarjen e sinjalit. Aktualisht gjithë sinjalet e televizoneve lokale mblidhen në qendrat e RTSH në rrethe e më pas shpërndahen në platformën digjitale të RTSH –së në platformën digjitale DVB-T2.

Tashmë të gjitha mediat lokale të vendit janë në varësi transmetimi nga media kombëtare publike që është RTSH.

Ligji 97/2013 për Mediat Audio Vizive, neni 70, pika e pare, parashikon që çdo operator lokal mund të marrë licensë lokale për transmetim numerik. Sipas Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), për momentin, teknikishtë është e pamundur që t’i ofrojë frekuenca numerike çdo operatori lokal.

Për Shoqatën e Mediave Lokale në Shqipëri digjitalizimi prishi peisazhin e tregut mediatik lokal, në vend që ta rregullont atë, pasi mediat lokale janë të varuara nga media kombëtare publike.

Kryetari i kësaj Shoqate, Edmond Isaku mendon se dixhitalizimi e dëmtoi median lokale pasi ju hoqën frekuencat duke i detyruar të hyjnë nëpër platforma të tjera, ku nuk garantohet siguria e transmetimit dhe duke i përballë me tarifa të pa përballueshme.

Cështja e frekuencave të pavarura nga TVSH-ja ishte ngritur shumë kohë me parë nga mediat lokale. Nëpër dosjet e hulumtuara, del që problemi është ngritur me 27 korrik 2018, në një takim të mbajtur mes drejtuesve të medias lokale, Shoqatës së Transmetuesve Radiotelevizivë Kabllorë – Valorë RRTL dhe AMA-s në Komisionin parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Në këtë takim, Arqile Gorea nga TV Adria e Durrësit citohet të ketë thënë se mediat lokale që nga viti 2013 kanë kërkuar frekuencat e veta, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ai ka thënë se shtetet fqinje, por edhe vendet e BE-së sic është Spanja ju kanë mundësuar televizioneve lokale që të kenë frekuencat e tyre.

“Secili nga ne ose një grup nga ne mund të jetë në gjendje ta ngrejë platformën dhe nuk ka pse të futemi ndërmjet RTSH-së, AMA-s dhe cilido tjetër. Secili mban përgjegjësitë e veta, sipas aftësive, sipas mundësive që ka. Kjo është drejtpërdrejt heqje e të drejtës së mbijetesës. Pra, që këtu fillon prishja e konkurrencës”, ka thënë Gorea.

Në atë kohë, kjo kërkesë ishte refuzuar. Kryetari i atëhershëm AMA-së, Gentian Sala kishte thënë se është e pamundur të realizohet kërkesa që secili nga operatorët të ketë frekuencën e tij.

“Secili më vete është e pamundur me këtë teknologji që kemi, ndërsa të gjithë bashkë të keni një frekuencë është gjë tjetër. Grup operatorësh është tjetër, alokment i një zone është tjetër. Ka alokmente që janë të lira, por ka të tjera që nuk janë të lira, megjithatë, thelbi, për mendimin tim, është frekuenca e RTSH-së që është aty”, kishte thënë ai.

Por, faktet tregojnë se televizioneve lokale nuk iu është mundësuar që të bashkohen për të formuar një grup në mënyrë që të pajisjen me frekuencë të tyre.

“Pavarësia”

Autoritetit të Mediave Audiovizive ka sugjeruar që televizionet lokale të përfshihen në frekuencën e RTSH-së. 

Mediat lokale nuk kishin zgjidhje tjetër dhe kishin nënshkruar kontratë me RTSH për tu bërë pjesë e platformës digjitale. RTSH-së, si institucion i pavarur ju ka bërë të qartë mediave lokale kushtet e kontratës të cilën mund ta firmosin ato nëse dëshirojnë të të bëhet pjesë e platformës. Por, nënshkrimi i kësja kontrate në kushtet kur nuk kishte zgjidhje tjetër  dhe në kushtet kur AMA nuk u krijo mundësi që secili të ketë frekuenca numerike solli disa problematika tek mediat lokale.

Ne kemi arritur të sigurojmë një kontratë të lidhur në mes të RTSH-së dhe një televizioni lokal për detyrimet dhe te drejtat e palëve. Në këtë kontratë, televizioneve lokale ju pamundësohet ndryshimi i programeve.

“Subjekti “TV X” nuk ka të drejtë të shtojë numrin e sherbimeve, programeve të transmetimit audio ose audiovizive pas lidhjes së kësaj kontrate, pa marrë më parë pëlqimin me shkrim të RTSH-së. Në rast se nga subjekti “TVX” do të ketë ndonjë kërkesë të tillë palët duhet të bien dakord që kjo kontratë të rishikohet tërësisht”, thuhet në nenin 7 të kontratës.

Pra, televizonet lokale nuk kanë të drejtë të shtojnë asnjë shërbim apo program pa lejen e RTSH-së.

Cilësi e transmetimit

Digjitalizimi u reklamua si një proces që do të rrisë cilësinë e transmetimit, por në fakt transmetimit nga HD kaloi në SD. Kjo cështje është ngritur kohë më parë, por se nuk është marrë parasysh.  

“Po ju flas për vete dhe për investimet që kam bërë. Pra, pas thirrjes që u bë nga qeveria dhe nga AMA për kalimin e frekuencave dixhitale, i jam përgjigjur thirrjes së digjitalizimit dhe kam bërë të gjitha investimet full HD, por në momentin që kërkoj ta dërgoj sinjalin tek RTSH-ja, kjo e fundit më thotë se duhet të ma sjellësh sinjalin SD. Atëherë, pse unë duhet të kthehem mbrapa dhe të më prishet sinjali?”, ka thënë drejtuesi i Tv Apollon, Artur Rustemitakimin e mbajtur mes drejtuesve të medias lokale dhe AMA-s në Komisionin parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, më 27 korrik 2018.

Në këtë takim është ngritur shqetësimi që RTSH-ja, në kundërshtim me kontratën, nuk e ruan standardin e transmetimit në HD për televizionet lokale. Përkundër faktit që televizionet lokale ofrohet sinjal HD, RTSH-ja e konverton në SD, në sinjal më të dobët, megjithëse në bazë të kontratës duhet të ruajë standardin dhe cilësinë e transmetimit.

Digjitalizimi solli ulje të cilësisë së transmetimit për mediat lokale ku dhe sot janë në transmetim SD kur në një kohë pa u futur në procesin e digjitalizimit ishin në HD .

Tarifat

Televizionet lokale janë obliguar që të paguajnë një tarifë tek RTSH-ja si e vetmja mënyrë e mbetur për të dalë në transmetim digjital nga transmetimi analog. Pagesat janë përcaktuar në varësi të allotomentit sipas numrit të popullsisë së bashkive.

Sipas deklarimeve të vetë operatorëve lokal mësohet se shpenzimi për transmetimin analog shkon deri në 400 euro , ndërsa ato sot duhet të paguajnë dyfishin në disa raste edhe më shumë.

Duke ditur burimet e pakta të financimit që ka media lokale, vështirësitë financiare, sidomos  në kushtet e pandemisë, shifrat që duhet të paguajnë televizonet lokale për RTSH-në e shtojnë krizën e medias lokale.

Madje ka media që janë mbyllur për shkak të këtyre tarifave, siç është rasti i TV Saranda, e cila sot nuk gjendet në asnjë platformë digjitale.

Po kështu kemi dhe disa televizone të tjera lokale që janë mbyllur plotesisht si televizioni lokal Antena Nord në Shkodër, ose janë duke u transmetuar duke u mbeshtetur në rrjetin kabllorë si Tv Puka.

Zona mbulimit

Kalimi nga transmetimi analog në atë digjital nuk e ka zgjidhur problemin e mbulueshmërisë së gjithë terrirorit të Shqipërisë me sinjal të transmetimit. Kjo dëshkohet në raportin e vitit 2020 të AMA-së.

Konkretisht zonat pa mbulim me sinjal televiziv sipas AMA-s janë: në Berat tre njësi administrative, në Korçë katër njësi administrative, në Durrës pesë njësi adminsitraive, në Elbasan tre njësi adminstraive, në Vlorë tre njësi administrative, në Shkodër pjesërisht tre njësi adminstraive, në Lezhë dy njësi administrative pjesërisht, në Gjirokastër gjashtë njësi administrative, në Dibër dy njësi adminstrative, në Kukës një njësi administrative.

“Nga monitorimet e kryera konstatojmë se, në zona të caktuara të këtyre qarqeve, ka mungesë sinjali numerik. Zonat, të cilat i kemi listuar më sipër, janë zona pa shërbim sinjali TV. Këto zona ua kemi përcjellë dhe në raportimet e mëparshme, por sikurse dhe pasqyrohet dhe më sipër, nga ana e RTSH-së nuk është marrë ende asnjë masë për mbulimin me sinjal të tyre”, thuhet në raportin e AMA-së.