Komuna e Parteshit FOTO-KALLXO.com

Banorët e Parteshit me kërkesa për punë, arsimim e zhvillim

Mungesa e vendeve të punës, sigurisë ekonomike, kushteve të mira të jetesës, shkollimit dhe avancimit, po çon në largimin e të rinjve nga  Komuna e Parteshit. Numri është rritur në veçanti në tre vitet e fundit.

Komuna e vogël e Parteshit përbëhet nga tre fshatra dhe banorët flasin për shumë halle.

Megjithatë, qeverisja lokale me në krye Dragan Petkoviqin nga Lista Serbe nuk ka shprehur interesim për të folur rreth këtyre problemeve, duke thënë se po punojnë me staf të përgjysmuar për shkak të situatës me COVID-19.

Banorët e Parteshit kryesisht merren me bujqësi dhe jetojnë nga kultivimi i tokës. 

Në Komunën me tre fshatra nuk ekziston asnjë subjekt ekonomik që do të mund të punësonte njerëz. Për shkak të vendndodhjes dhe afërsisë së Gjilanit, deri në vitin 1999 shumica e njerëzve të këtyre tri fshatrave punonin në një nga fabrikat atje. Sot janë pa punë. Në hyrje të Budrigës së Poshtme, nga drejtimi i Pasjanit, gjendet një uzinë e madhe e ish- Fabrikës së Radiatorëve nga Gjilani “Jugoterm”.

 Sot, uzina është e zbrazët dhe e lënë pas dore. Qeverisja lokale nuk është përgjigjur në interesimin se çfarë janë planet për këtë ndërtesë.

Në fakt, askush nga autoritetet nuk kishte mundësinë të fliste lidhur me temat komunale. Ata thanë se për shkak të masave të veçanta anti-covid, puna e stafit komunal është përgjysmuar.

Uzina e ish-fabrikës “Jugoterm” Gjilan në Budrigë të Poshtme.
FOTO-Ivan Miljkoviq

Mungesa e punës po i largon të rinjtë nga Parteshi

Në kërkim të jetës më të mirë, të rinjtë e Parteshit, po synojnë largimin në  vendet e Evropës Perëndimore, kryesisht në Luksemburg, Zvicër, Gjermani dhe Holandë. 

Ata që nuk patën fatin të largohen, shpresojnë se diçka do të ndryshojë për të mirë këtu. 

“Fatkeqësisht, gjasat janë të vogla”, thotë Ivan Cvetkoviq nga Budriga e Poshtme, i cili para tre vitesh përfundoi studimet themelore akademike dhe pa sukses përpiqet të punësohet si ekonomist i diplomuar.

Vitin e kaluar, Komunikimi për Zhvillimin e Shoqërisë (CSD) nga Graçanica, në bashkëpunim me Fondacionin e Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), zhvilluan një hulumtim me temë “Migrimi i të rinjve nga Kosova”.

 Hulumtimi përfshiu përfaqësuesit e komunitetit serb nga gjashtë komuna me shumicë serbe në jug të Ibrit. 

“Pothuajse 70 përqind e të rinjve nga komuniteti serb që anketuam u përgjigjën se ata do të largoheshin nga Kosova ose do ta bëjnë këtë së shpejti. Arsyet që japin janë të ndryshme… Si arsye kryesore të gjithë përmendin situatën e sigurisë dhe pastaj cilësinë e jetës, pasigurinë ekonomike, papunësinë, kushtet më të mira për arsim dhe kështu me radhë”, thotë Ivan Nikolliq, drejtor i CSD.

Hulumtimi është bërë me një grup nxënësish të shkollës së mesme dhe studentësh në komunat e Shtërpcës, Graçanicës, Novobërdës, Ranillugut, Parteshit dhe Kllokotit, ndërsa rezultatet janë pothuajse identike kudo.

“Si arsye kryesore pse ata duan të largohen, të rinjtë përmendin edhe mungesën e cilësisë së jetës shoqërore, ofertës kulturore dhe sportive që kanë në dispozicion” thotë Nikolliq.

Ivan Cvetkoviq nga Budriga po ashtu konfirmon këtë. 

Ai tregon Shtëpinë e Kulturës në afërsi, të cilës i është vënë dryri. Objekti i cili do të duhej të ishte i hapur dhe t’iu shërbente të rinjve dhe të gjithë njerëzve krijues, është i mbyllur me vite.

Shtëpia e Kulturës në Budrigë të Poshtme e mbyllur FOTO- Ivan Miljkoviq

“Përveç disa kafeneve që punojnë, fshati nuk ofron ndonjë përmbajtje për të rinjtë” thotë Cvetkoviq.

Ai shton se para disa vitesh ai u përpoq të organizonte rininë dhe të fillonte një shoqëri kulturo-artistike, por iu desh të hiqte dorë nga ideja sepse askush, madje as në qeverinë komunale, nuk donte të mbështeste punën e tyre.

Edhe pse në fushatën parazgjedhore një nga premtimet kryesore të kryetarit aktual Dragan Petkoviq ishte se ai do t’u siguronte të rinjve kushte për jetë, punë dhe punësim, kjo nuk ndodhi. 

Ivan Cvetkoviq nga Budriga e Poshtme
FOTO-Ivan Miljkoviq

“Për fat të keq, askush nuk merret me të rinjtë dhe me këdo që kam biseduar, shumica duan të largohen këtu, kudo” thotë Ivan Cvetkoviq.

Zbrazja e banorëve vërehet edhe në numrin e nxënësve në shkolla si paralelja e ndarë e shkollës amë “Dositej Obradović” nga Parteshi në Budrigë të Poshtme e cila ka vetëm 40 nxënës në 8 klasa.

“Nuk ka të rinj në fshat se nuk ka punë, nuk ka kush t’i punësojë, as nuk ka ndonjë fabrikë, fëmijët nuk kanë ku të punojnë, prandaj largohen këtu” thotë një banore e moshuar, Stana Stojkoviq.

Shkolla në Budrigë të Poshtme FOTO-Ivan Miljkoviq

Zhivadinka Saviq është nga Koretisha. Edhe pse ky fshat i përket një komune tjetër, ajo dhe vajza e saj erdhën në Pasjan për të aplikuar për konkursin për pranimin e infermierëve dhe teknikëve në spitalin lokal. 

“Të rinjtë largohen për shkak të punësimit, ata nuk kanë punë. Tash është shpall ky konkurs për pranimin e punëtorëve shëndetësor dhe të gjithë shpresojnë se do të pranohen të rinjtë, vajza ime ka aplikuar dhe shpresoj se do të punësohet”, thotë Zhivadinka.

Qytetarët rikujtojnë se në tre vitet e fundit 310 vendas u larguan nga ky fshat, nga Budriga e Poshtme, siç konfirmojnë disa banorë, u larguan 84 persona, ndërsa për 11 vjet, sipas të dhënave jozyrtare, më shumë se 3,000 qytetarë u larguan nga e gjithë komuna.

Të gjitha përpjekjet tona për të marrë përgjigje në pyetje lidhur me jgendjen në komunë, dështuan.

Edhe pse premtoi përgjigje,  zyrtari i Departamentit për Rini, Kulturë dhe Sport në Komunën e Parteshit, Bozhidar Trajkoviq, nuk iu përgjigj interesimit.

COVID-19 në Komunën e Parteshit

Stafi i komunës thonë se po punojnë me staf të përgjysmuar për shkak të situatës me pandeminë.

Drejtori i Spitalit në Pasjan, brenda të cilit është një ambulancë-triazhë për kovidin dhe spitali për pranimin e pacientëve, hotë se Komuna e Pasjanit, sipas kategorizimit të numrit të pacientëve është në zonën e gjelbër dhe se situata po qetësohet krahasuar me periudhën e verës. 

Spitali për COVID-19 në Pasjan

“Gjatë ditës së djeshme (14 dhjetor), nga 25 të testuar me analizë serologjike, kemi pasur 8 pozitive, para dy ditësh ishin pesë, para një jave tre. Që nga shpërthimi i pandemisë në mars e deri më sot, për fat të mirë kemi pasur vetëm një rast vdekje nga koronavirusi”, konfirmoi mjeku Periq.

Megjithëkëtë, zyrtarët komunalë sërish refuzuan të japin përgjigje me arsyetimet se janë të zënë dhe po ua pamundëson gjendja me COVID-19

Fshatrat e Parteshit me sistem të ndarjes së mbeturinave por lum të ndotur

Tri fshatrat e Parteshit në përgjithësi shihen të rregulluara mirë dhe me infrastrukturë rrugore.

Fshati Pasjan në Partesh

Ajo që e veçon këtë komunë nga të tjerat janë kontejnerët e veçantë për ambalazhin plastik i cili ndahet siç duhet. Megjithatë, vetëm disa kilometra më larg, pranë shtratit të lumit Morava e Binçës hasim në një pamje tjetër. Mbeturina, bërllok, ambalazhe plastike, qese, sanitari të vjetërsuara ishin hedh poshtë urës, në brigjet e lumit dhe në shtratin e lumit. 

Mbeturinat te lumi Morava e Binçës
Lumi i ndotur “Morava e Binçës”

Rrugët lokale që lidhin këto tri fshatra me njëra-tjetrën, por edhe me magjistralen kryesore Viti-Gjilan, janë në gjendje të mirë, përveç një pjese më të vogël në dalje nga Pasjan drejt Budrigës, ku ka gropa.

Rruga me gropa në dalje të Pasjanit

Budriga e Poshtme ka rrjet të mirë të kanalizimit. Punimet janë finalizuar para pak kohësh. Sidoqoftë, lumi i fshatit është i ndotur dhe gjatë verës kutërbon erë të keqe

Damjan Rishtiq, banor  në Budrigë të Poshtme ankohet për këtë kutërbim dhe thotë se nuk sheh asnjë herë zyrtarë komunalë që vizitojnë fshatin

“Duhet me ardh ai, me kqyrë si kryetar i komunës, me kqyrë e me vetë njerëzit a keni naj problem a jo, jo vec me nejtë në zyre. Hala se kam pa atë kryetar të komunës”

Në këtë fshat, banorët nuk kanë as ujë të pijshëm dhe ujin e pijes duhet ta blejnë.

 Projekti i ujësjellësit i nisur më herët ende nuk ka përfunduar

Lumi në Budrigën e Poshtme. Mbetje organike dhe joorganike zakonisht përfundojnë në lum

Gjetjet e Auditorit për Parteshin

Qeverisja komunale e Parteshit dështoi të ofroj shërbimet publike ndërsa raportet e monitorimit e nxorën me nivel të dobët të performancës e me shumë mangësi në menaxhim.

Me një buxhet prej pak më shumë se 1 milion euro, Komuna e Parteshit është ndër komunat me buxhetin më të varfër në vend.

Sipas raportit të Auditorit, gjatë vitit 2019 komuna pati keqklasifikim të shpenzimeve pasi kishte bërë pagesa nga kategoria e investimeve duke shfrytëzuar fondet nga mallrat dhe shërbimet.

Gjetjet treguan se kjo komunë pati probleme edhe në ndarjen e fondeve për OJQ-të.

Komuna kishte lidhur një memorandum me një OJQ por jo edhe kontratë. Sipas Auditorit, kjo kishte ndodh për shkak të mos përvojës.

Komuna çalon edhe sa i përket respektimit të barazisë gjinore pasi nga gjashtë drejtoritë e komunës, asnjëra prej tyre nuk udhëhiqet nga gratë.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).