A ishte i saktë Albin Kurti kur foli për telin, filterat dhe bojlerin e 'Kosova B'?

Për më shumë se një vit e gjysmë në pushtet, në mandate të ndara, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përdorur disa herë fjalor profesional e shumë teknikë në paraqitjet e tij publike.

“Ky tel që e kam në dorë e ka diametrin çerek milimetri. Prodhohet pra në këtë fabrikë, dhe më pas 45 fije të këtilla përdridhen bëhen bashkë dhe shndërrohen në një tel të bakrit i cili e ka prerjen tërthore me sipërfaqe 2.5 milimetra katror. Granulati si lëndë e parë që importohet, përpunohet në këtë fabrikë dhe shndërrohet në izolim të telit të bakrit, i cili i prodhuar në maqinat e Siemensit praktikisht nuk ngec asgjë prodhimeve të njëjta në Bashkimin Evropian”, kishte deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas një vizite që kishte në një fabrikë për prodhim të kabullave.

Fjalime teknike kishte mbajtur edhe në Kuvend, siç ishte rasti kur temë u bë avaria në njërin nga blloqet e termocentralit “Kosova B”.

“Lopatat e motorit të gjeneratorit në B2 janë copëtuar për shkak se shtypja e avullit në vend se të jetë 120 bar sipas specifikacionit, ka qenë 90 bar. Edhe avulli ka qenë me lagështi më të madhe dhe i ka copëtuar lopatat e vjetruara të cilat kanë rënë dhe e kanë dëmtu kondensatorin”, pati argumentuar ai në seancën e kuvendit më 20 janar 2022.

Në këtë seancë ai pati debatuar edhe për çështjen e mungesës së filterëve në tymtarët e termocentraleve.

Edhe në këtë rast, bashkë me tonin politik të debatit, u thellua në sqarime teknike.

“Duhet vendosur së pari bojlerat e masandej filterat.  Ju si keni ba as filterat as bojlerat. Nuk ka filtera pa bojlera. E ne tash do t’i vendosim bojlerat që t’i vendosim edhe filterat”,  u tha ai opozitarëve që më herët ishin në pushtet.

Në fakt, ky fjalor teknik i shefit të qeverisë, deri në një masë është i arsyeshëm për faktin se Kurti është i diplomuar në drejtimin e Telekomunikacionit me Kompjuterikë, në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës.

Dhe aty krahas lëndëve për elektronikën ka lëndë edhe për qarqet elektrike si edhe për elektro-energjetikën,  ku ligjërohet për fushën e energjetikës, që nga gjërat bazike deri te menaxhimi i projekteve të kësaj fushe.

E në rastin e sqarimeve për përbërjen e telit, përfaqësuesit e kompanisë “Proton Cable”, kanë konfirmuar saktësinë e fjalëve të shefit të qeverisë.

“Kryeministri Kurti gjatë vizitës në fabrikën tonë e vëzhgoi gjithë procesin e prodhimit të telit dhe kabllove. Pra, ne ju sigurojmë se në këtë video Kryeministri ka shpjeguar pikë për pikë gjithe procesin e prodhimit dhe fjalët e tij janë 100% të sakta”, tha Besim Dida, njëri nga menaxherët e “Proton Cable”

Ndërsa për avarinë në termocentralin Kosova B, Kurti del të jetë informuar në detaje edhe nga stafi i elektranës, gjatë vizitës së datës 16.12.2021.

“Menaxhmenti bëri të ditur se flatrat e turbinës së rotorit të gjeneratorit janë ato të cilat janë dëmtuar dhe kur kanë rënë poshtë e kanë dëmtuar edhe kondensatorin dhe asisoj e kanë kuptuar se bëhet fjalë për një defekt serioz dhe e kanë ndërprerë bllokun”, pati thënë shefi i qeverisë, pas vizitës në KEK.

KEK ndërkaq, as për më shumë se një muaj nuk ka kthyer përgjigje nëse është i saktë sqarimi teknik i kryeministrit, se filterët e tymtarëve nuk vendosen para bojlerëve.

Veçse në një komunikatë të mëhershme të Korporatës pas një vizite te Kurtit bëhej e ditur se është folur për filterët, si investim i BE-së, por aty nuk janë përmend fare bojlerët.

“Me këtë rast e falënderojmë edhe Bashkimin Evropian i cili qysh moti ka shprehur gatishmërinë për zbatimin e projektit të zëvendësimit të filtrave në mënyrë që të zvogëlohet ndotja dhe ne zotohemi që bashkë me direktivat e Bashkimit Evropian, me planet që ata kanë, të bëhemi pjesë e vendeve të zhvilluara të cilët e bëjnë dekarbonizimin si qëllim të tyre në mënyrë që të kemi energji, e një ditë edhe të mos kemi ndotje. Jemi të vetëdijshëm se kjo nuk bëhet përnjëherë mirëpo synimi ynë për këtë gjë është i palëkundur”, thuhej në komunikatën e KEK-ut të datës 18 gusht 2021.

Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi në një intervistë dhënë KALLXO.com ka konfirmuar një pjesë të deklaratës së dhënë nga Kurti, por me një gjuhë shumë ma pak teknike.

“Ajo çfarë e dimë është pjesa simptomika në një moment të caktuar është rrit temperatura dhe presioni dhe në kondensator nën turbin i cili është shenjë se diçka nuk ka qenë në rregull. Kjo janë rrit mbi vlerën normale të operimit atëherë është ndal blloku, atëherë ka ardh deri në një inspektim vizuel të parë pa e hap fare shtëpizën e rotorit edhe është parë që janë dëmtu disa nga loptat e rotorit”, ka thënë Krasniqi.

Por, se çfarë ka ndodh në të vërtetë, Krasniqi ka thënë se duhet të pritet raporti i ekspertëve që është duke e analizuar këtë avari.

“Pse ka ardh deri të ngritja e temperaturës dhe presionit, atë nuk e dimë. Nuk duhet t’a paragjykojmë një raport që do të vie”, ka thënë Krasniqi.

Autori është kryeredaktor i lajmeve në Klan Kosova.