Ëndrrat për Malishevën

Latif Hoti nga Carralluka e ka një ëndërr. Dëshiron ta shoh të mbyllur gropën e kanalizimit ku djali i tij ishte në rrezik të mbytej.

Djali i tij po luante pranë lumit, i cili është shndërruar në një gropë të kanalizimit, kur u zhyt në ujërat e ndotura. Fati deshi që një kalimtar arriti ta ndihmojë djalin të dalë nga gropa e kanalizimit. 

“Kërkojmë që të largohet kjo sa më shpejtë sepse është rrezik për të gjithë banorët, më shumë se një vit ballafaqohemi dhe është një farë ere që s’durohet”, thotë Latif Hoti nga fshati Carrallukë. 

Ky lum i kthyer në kolektor të ujërave të zeza përveç rrezikut për jetën e fëmijëve prodhon edhe erë të padurueshme për banorët e zonës.

Me 43 fshatra dhe një qytezë me pak ndërtime të larta, Malisheva synon të jetë vendi ku realizohen ëndrrat e rreth 65 mijë banorëve të zonës, e cila përveç problemeve të zakonshme është e njohur si zonë endemike e përhapjes së etheve hemoragjike krime kongo apo siç njihen në zonë sëmundja e rriqrave.

Për vite me radhë banorët e Malishevës dëgjojnë premtime për qytetin dhe fshatrat ku jeta e tyre do i ngjante normalitetit por premtimet e dhëna në fushatë elektorale  vazhdojnë të mbesin ëndërr dhe mundësi për të konstatuar se politikanët nuk i mbajnë fjalët.

Malisheva do dukej më bukur nëse në hyrje të qytetit do realizohej premtimi për zonën ekonomike.

Në lagjen ‘Hoti’ ku ishte planifikuar kjo zonë sot qëndron një deponi ilegale e mbeturinave, ku kompania që mirëmban bërllokun e qytetit, e ka caktuar si ‘destinacion’ të zbrazë, mbeturinat e gjithë qytetit.

Sipas të dhënave të komunës, janë mbi 130 deponi ilegale të mbeturinave të cilat janë ende të pa trajtuara.

Fushata zgjedhore gjatë 2017-tës u shoqëruar me debatin për Malishevën vend turistik. Njëra nga bukuritë e vendit Ujëvara e Mirushës është në territorin e komunës, mirëpo për vizitorët nuk ka rrugë të asfaltuar deri tek ujëvara.

Kryetari, Ragip Begaj, para se të fitonte mandatin e dytë për kryetar, kishte premtuar se do ta zgjidhë këtë problem për gjashtë muaj por edhe pas tre vitesh rruga është e pakalueshme.

Gjatë zgjedhjeve Begaj nuk u kishte treguar që kjo rrugë duhet rregulluar në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe për këtë ajo ende nuk është rregulluar.

Më 9 shtator 2018 Begaj kishte thënë se kjo rrugë është në dorë të Ministrisë së Infrastrukturës.

Kontrata për ndërtimin e kësaj rruge është nënshkruar më 10 tetor 2017. Kompania fituese për ndërtimin e kësaj rruge ka qenë “Shkoza07”. Vlera e këtij projekti ka qenë 185,713 mijë euro.

Komuna e Malishevës është shprehur se kontrata me kompaninë “Shkoza07” është shkëputur më 20 shkurt 2019, pasi kjo kompani nuk ka përmbushur kërkesat e kontratës. 

Kjo komunë kishte thënë për KALLXO.com më 29.06.2019 se përgjegjëse për këtë rrugë është Ministria e Infrastrukturës.

Ndërsa, në anën tjetër, Ministria e Infrastrukturës kishte thënë për Kallxo.com se nuk është përgjegjëse për këtë projekt pasi ajo vetëm ka qenë bashkë financuese.

Ujësjellësi dhe kanalizimi

Dhjetë fshatra të Komunës së Malishevës nuk janë të lidhur në rrjetin e ujësjellësit. Të dhënat e komunës thonë se fshatrat: Seniku, Kieva, Llozica, Mleqani, Plloqica, Balinca, Shakarashniku, Janqisti, Shkoza dhe Panorci nuk janë të kyqura në ujësjells, në kohën kur të gjitha mesazhet janë që qytetarët të mbajnë pastërtinë në kohën e pandemisë.

Gjendja nuk është e mirë as në kanalizim ku 20% e fshatrave nuk kanë kanalizime.

Ragip Begaj erdhi në pushtet me premtim që të gjitha fshatrat do kenë rrjetin e kanalizimit.

“Mandatin e kaluar kemi bërë 130 km kanalizim, edhe këtë mandat synojmë të rregullojmë edhe 130 km kanalizim dhe të gjitha fshatrat do t’i rregullojmë më këtë çështje, dhe vitin e dytë të mandatit do të kryhet dhe funksionalizohet”, kishte thënë Begaj në “Jeta në Kosovë”, në debatin për balotazh.

Sipas të dhënave të Komunës, mbi 80% e territorit të fshatrave të Komunës së Malishevës kanë kanalizim, ku një pjesë e këtyre fshatrave janë në fazën e lidhjes në vijën e kolektorit kryesor, por shkarkimi bëhet edhe më tutje në lum.

Por, gjatë një vizite në fshatin Carallukë, kemi gjetur se ky fshat dhe banorët janë duke vajtuar nga kuturbimi i ujërave të zeza.

Por, që nga fillimi i mandatit i Begajt deri më tani, sipas të dhënave të Komunës së Malishevës janë ndërtuar 56 kilometra rrjet i kanalizimit. Ndërsa, Begaj kishte premtuar 130 kilometra kanalizim.

Shëndetësia e ‘infektuar’ 

Malisheva ishte ndër komunat e para të goditura nga Coronavirus dhe në ditët e para dolën në pah problemet me mungesë furnizimesh.

Në kohën e pandemisë, të dhënat nga terreni tregojnë se gjendja e banjave të QKMF-së është e mjerueshme. Aty nuk ka as sapun dhe as peceta higjienike.


Ndërsa, gjatë kohës së pandemisë, pavarësisht se ishte paguar për një tunel dezinefektues, ai nuk ka qenë funksional.

Malisheva është komuna më e prekur nga infektimi që vije nga pickimi i ‘rriqrave’. Vetëm këtë vit sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në këtë qytet janë raportuar 837 raste të pickimit nga rriqrat.

IKShPK ka theksuar se kjo komunë madje ka bërë dezinsektim ‘selektiv’.

“Komuna e Malishevës ka bërë dezinsektim selektiv në asgjësimin e rriqrave. Komunat tjera endemike po përgatiten dhe besojmë së shpejti do të fillojnë me dezinsektim selektiv”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, më 6 korrik është shënuar viktima e parë nga pickimi i rriqrave në këtë qytet, pas 6 vitesh.

Komuna ka thënë se që pacienti nuk është trajtuar në Klinikën Infektive, por në një klinikë tjetër dhe ka pasur nevojë për oksigjeno-terapi.

“Bazuar në të dhënat e deritanishme, tashmë i ndjeri, edhe pse i prekur me EHKK, nuk është trajtuar në Klinikën Infektive, por në një klinikë tjetër dhe në momentet e fundit të jetës, ka pasur nevojë edhe për terapi me oksigjen. Lidhur me rastin sot është mbajtur një takim urgjent i shtabit komunal për EHKK, si dhe çështja është trajtuar edhe në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve”, thotë Komuna e Malishevës.

Kurse, në vitin e kaluar në periudhën e njëjtë në këtë komunë ishin shënuar 969 raste me pickim të rriqrave dhe asnjë viktimë.

Komuna pa parking 

Vizitorët e Malishevës duhet të djersiten deri sa të gjejnë një parking në zonën e pikut të qytetit. Gjatë zgjedhjeve qytetarët morën premtim se komuna do ndërtoj një parking 

“Ne synojmë ta bëjmë afër komunës një parking. Një nëse mundem me bë”, kishte thënë Begaj në debatin e Jeta në Kosovë për balotazh.

Por, pavarësisht kësaj ende nuk është ndërtuar një parking i tillë. Këtë e kanë konfirmuar edhe zyra për media e kësaj komune.

“Ende nuk është ndërtuar ndonjë parking në afërsi të komunës dhe nuk është iniciuar ndonjë procedurë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në emisionin ‘Debat Pernime’ për balotazhin në Malishevë, kryetari Ragip Begaj kishte deklaruar që fshati Astrazub i komunës së Malishevës do të bëhej me ndriçim deri në gjysmën e vitit 2018.

“Në Astrazub e kemi synim me bo vitin e ardhshëm ndriçimin”, kishte deklaruar Begaj në debat.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, e ka mbajtur premtimin e dhënë pasi projekti për ndriçimin e fshatit Astrazub kishte përfunduar para afatit të premtuar.

“Ndriçimi në Astrazup, ka së paku tre muaj që ka përfunduar, dhe ka qenë projekt i përbashkët në disa fshatra, pra Astrazub, Dragobil, Marali, një pjesë e Banjës dhe një pjesë e Kijevës”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Malishevës.

Plani i ‘dështuar’ i zonës ekonomike në fshatin e Fatmir Limajt

Në vitin 2018, kur në krye të Qeverisë ishte Ramush Haradinaj nga AAK dhe ishte në koalicion me Nismën Socialdemokrate dhe me Partinë Demokratike të Kosovës, ish-zëvëndëskryeministri, Fatmir Limaj kishte një synim për qytetin e tij, Malishevën.

Ai, një pjesë të fshatit Banjë të Komunës së Malishevës, prej ku vjen Limaj, kishte planifikuar që ta shpronësojë nga Qeveria e Kosovës për themelimin e një zone të veçantë ekonomike. Përveç Banjës, ky shpronësim do të prekte edhe fshatin Bellanicë e Senik.

Propozimin e kishte bërë në mbledhjen e Qeverisë, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe aso kohe, ministri i Drejtësisë, Ableard Tahiri, e kishte kundërshtuar në një far forme, pasi sipas tij, kjo do të kishte kosto të madhe.

Zona ekonomike përfshinte privatizimin e 50 hektarëve tokë, por me ardhjen e Albin Kurtit në krye të Qeverisë, ky vendim për themelimin e zonës ekonomike në Malishevë, u anulua.

Kurti më 24 mars anuloi edhe procedurat për shpronësimin e tokave të Banjës, Bellanicës dhe Senikut.

“Urbanizimi”

Malisheva mundë të quhet njëra nga komunat pa plan të Kosovës. Të dhënat tregojnë se vetëm 4.63% e territorit të komunës kanë plan urbanistik.

Komuna që udhëhiqet nga Begaj i Nismës Socialdemokrate, megjithatë nuk ka të dhëna se sa ndërtime pa leje janë bërë në këtë qytet.

“Malisheva ka tri plane ka tri plane rregulluese (qendrën e qytetit, lagjen Gërmiza dhe lagjen e Goleshit ). Në përqindje i bie 4.63 që ka plane rregulluese, ndërsa Planin zhvillimor Komunal e ka të miratuar nga viti i kaluar nga Ministria e Planifikimit Hapësinor, ndërsa për harta zonale kemi nënshkruar marrëveshjen me GIZ-in Gjerman për hartimin e tyre”, është thënë në përgjigjen e zyrës për media për KALLXO.com.

Inspektorati i kësaj komune për tri vite ka hasur në vetëm 11 ndërtime pa leje, prej të cilave 5 janë pajisur me leje ndërtimor pas inicimit të procedurave nga Inspektorati ndërsa kjo komunë nuk ka as operator që do të bënte rrënimet për objektet që janë pa leje.

Mungesa e një operatori për rrënimet e objekteve pa leje ka bërë që kjo komunë të mos mund të rrënojë as furrat e gëlqeres, që KALLXO.com kishte raportuar.

Banorë të fshatit Bardh (ish-Lladroviq) të Malishevës ishin ankuar për ndotjen e ajrit dhe të ambientit që, sipas tyre, po ndodh nga djegia e gomave dhe qymyrit në një furrë qereçi nga një bashkëfshatar i tyre.

Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Malishevës, Dibran Kastrati, kishte thënë se për këto raste kanë shqiptuar gjoba, kanë iniciuar lëndën në Gjykatë, por problemi është se nuk kanë operator që do t’i rrënonte furrat e gëlqeres.

“Drejtoria e Inspektoratit, drejtorët për mbrojtjen e mjedisit, kanë vepruar dhe i kanë ndaluar. Ne kemi si drejtori edhe gjoba mandatore të shqiptuara për ata të cilët e kanë shkelur ligjin, kemi edhe lëndë të iniciuara në gjykatë por ende nuk kemi ardhur deri te finalizimi i kontratës të një operatori për rrënimin e tyre. Deri sa të kontraktojmë një operator për rrënimin e tyre gjendja është kjo që është tash”, kishte thënë ai.

Prokurimi në kohë pandemie 

Që nga fillimi i vitit 2020 deri më tani Malisheva ka dhënë 13 kontrata për shërbime të ndryshme.

Më 20 mars, kjo komuna ka dhënë tender për furnizim me material higjenik për nevojat e shkollave fillore dhe të mesme.

Kjo kontratë i është dhënë kompanisë “Bimi” dhe ka shumën prej 5,982 euro.

Komuna po ashtu ka dhënë tender edhe për dezinsektim dhe dezinfektim dhe për këtë ka shpërblyer kompaninë ‘Fauna’ nga Gjilani. Ky tender ka shumën prej 18,174 euro.

Më 17 maj, Malisheva ka dhënë kontratë për furnizim me pako ushqimore për familjet në nevojë në shumë prej 19,980 euro dhe këtë tender e ka fituar kompania “Pajtimi” nga Malisheva.

Edhe dixhitalizimi i institucioneve arsimore ka bërë që kjo komunë të japë tender prej 38,052 euro. Me këtë tender e ka shpërblyer kompaninë “Ilyrian Sh.p.K” nga Prishtina.

Dezinfektimi i hapësirave ku ndodhen të infektuarit me COVID-19 është kontrata tjetër e dhënë nga Malishveva për kompaninë “Zona Park”. 14,942 euro është shuma e këtij tenderi.

Por, kjo nuk është e vetmja kontratë që komuna ka me kompaninë “Zona Park”. Edhe kabina dezinfektuese në hyrje të QKMF-së është nga kjo kompani, që tenderi i këtij shërbimi ka kushtuar 4,750 euro.

Më 1 prill, Malisheva kishte dhënë tender për furnizim me shujta ushqimore për nxënësit e kësaj komune. Këtë tender e ka fituar kompania “Meli -Ek ” me seli ni Malishevë dhe vlera e kësaj kontrate është 49,894 euro.

Tenderi tjetër gjatë pandemisë që është dhënë nga kjo komunë, është për furnizim me barëra për rastet sociale dhe familjet e infektuara me COVID-19. Kjo kontratë ka vlerën 19,996 euro.

Liqeni Artificial dhe Problemi me gurëthyesit

Qyteti i Malishevës, më konkretisht fshati Astrazubë njihet si fshat që operojnë shumë gurëthyes disa prej të cilëve të lidhur me krerët e partive politike.

E qytetarët e kësaj ane thonë se këta gurëthyes po i shkaktojnë probleme si me ndotjen e ajrit, por edhe me furnizimin me ujë.

“Përkundër faktit që në shikim të parë është gjelbërim, kemi problem të madhe me ajrin sepse është koha e qetë dhe s’ka lëvizje të makinave, atëherë vërehet pluhur i madh”, thotë Leotrim Morina banor i fshatit Astrazub.

Ai thotë se disa shtëpi kanë plasaritje për shkak të minimit që janë bërë pikërisht nga gurthyesit. Banorët pretendojnë se shpërthimet kanë demtuar rrjedhat e ujërave nëntokësore dhe ata po duhet të blejnë ujë pasi puseve të tyre u vie erë.

“Kur ata po thejnë gurë, në ujin tonë po vjenë aroma e rëndë, gati si helm. Askush nuk merr masa, askujt nuk i intereson për neve. Ne ujë po blejmë, na nuk jemi aq të pasur sa të blejmë gjithmonë, ne jemi pa rroga. 62 vjet askund nuk punojnë”, shton ai.

Sipas të dhënave të Komunës së Malishevës, në këtë qytet janë 7 gurëthyes që operojnë, të cilët janë të pajisur me licencë nga organi përkatës në ministrinë përkatëse.

“1 gurthyes operon në afërsi Astrazupit, 3 në Banjë dhe 3 në vargmalet e Berishës”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media për KALLXO.com

Problemi me gurëthyes është edhe në fshatin Kërvasari, ku një gurëthyes është duke punuar në afërsi të rezervarit të ujësjellësit dhe se ky gurëthyes ka filluar punën pa e pasur pëlqimin e banorëve të këtij fshati.

Komuna ka një liqe artificial diga e të cilit është e qarë dhe ka potencial për avari. Disa minuta në debatin zgjedhor ishin harxhuar për të marrë premtimet për këtë digë, që paraqet edhe rrezik për banorët e rrethinës.

“Vitin e ardhshëm sigurisht do të rregullohet por megjithatë është një projekt pa leje. Në vitin 2018 do të ndajmë mjete tona”, kishte premtuar kryetari Begaj.

Fotografitë gjatë 2020-tës janë të ngjashme me ato të 2017-tës diga është e pa-meremetuar dhe paraqet rrezik. Ndërkohë, Begaj në përgjigjet e dhëna më vonë për këtë digë i ka bërë fajtorë ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë.

Një premtim tjetër i Begaj po ashtu në debatin për balotazh dhe në debatin me të gjithë kandidatët për kryetar komunë gjatë zgjedhjeve, kishte premtuar se nuk do të lejohet as derdhja e ujërave të zeza në këtë liqen artificial por gjendja në terren tregon që kanalizimi vazhdon të derdhet në liqe.

Arsimi e Sporti

Nga 40 shkollat që i ka komuna e Malishevës, vetëm 19 prej tyre kanë dalje emergjente. Në mungesë të hapësirave në 17 shkolla punohet në dy ndërrime.

Para qytetarëve, Ragip Begaj kishte premtuar që të ndërtoi një çerdhe deri në vitin 2019. Premtimi është në rrugë të mirë për tu jetësuar, pasi çerdhja ka nisur të ndërtohet mirëpo ende nuk është finalizuar e tëra.

Malisheva njihet si njëra nga komunat që ka arritur të mobilizoj komunitetin për t’ju ndihmuar të varfërve. Në debate zgjedhore Ragip Begaj kishte premtuar ndërtimin e 20 shtëpive me ndihmën e donatorëve. Ky premtim është mbajtur.

“Në dy vitet e fundit, bashkë edhe me donatorë janë ndërtuar 20 shtëpi për familjet në nevojë, e gjithashtu edhe Ministria e Mirëqenies Sociale, ka ndërtuar edhe Qendrën e Banimit Social, me mbi 40 banesa, por e cila pritet të lëshohet në funksion gjatë këtij viti”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media për KALLXO.com.

Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj e ka mbajtur premtimin për ndërtimit e stadimit të Malishevës, por se këtë e ka realizuar me vonesë.

“Stadiumi ka me u kry në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm (2018)”, kishte thënë ai në debat.

Por, ky premtim nuk ishte realizuar në kohën e premtuar nga kryetari Begaj. Në maj të vitit 2018, në përfundim të gjysmës së parë të vitit, Kallxo.com i kishte dërguar pyetje në Komunën e Malishevës për t’i pyetur nëse kanë përfunduar punët në stadiumin e qytetit dhe ata kishin deklaruar se ende ka punë.

Por, stadiumi ishte përuruar me 8 dhjetor të vitit 2018, në fund të vitit.

Kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj ka mbështetur edhe organizatat jo-qeveritare e klubet sportive në këtë qytet.

Gjatë vitit 2018 nga buxheti i kësaj komune janë ndarë për sportin dhe OJQ-të 65,500 euro, në vitin 2019, 51,500 euro dhe 2020 janë planifikuar 75.000 euro.

Shkelja e fjalës për gratë

Ragip Begaj erdhi në pushtet duke premtuar se të paktën tri drejtori do udhëhiqeshin nga gratë.

Por krypometri ka gjetur se fjala e “burrit” nga Malisheva është thyer dhe nga 11 drejtori vetëm njëra udhëhiqet nga gratë.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).