Donjeta Sahatçiu: Prej sot fillim i ri me ndërmarrjen 'Pastrimi'

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu ka reaguar lidhur me shkarkimin e kryeshefit të ndërmarrjes “Pastrimi”, Burim Kelmendi.

Përmes një shkrimi në rrjetin Facebook, Sahatçiu u shpreh se prej sot nis kapitull i ri me ndërmarrjen ‘Pastrimi’ si dhe menaxhimin e ndërmarrjeve publike në Prishtinë.

“Prej sot fillon kapitulli i ri për Prishtinën e pastër. Fillim i ri me KRM “Pastrimi”. Fillim i ri me menaxhim të ndërmarrjeve publike lokale në Prishtinë. Kështu politika bëhet shembull i mirë për të mirën e përbashkët, vlerën publike”, shkroi ajo.

Ajo theksoi se Prishtina nuk guxon të jetë në këtë gjendje me mbeturinat.

“Prishtina nuk guxon t’jetë në këtë gjendje me menaxhim të mbeturinave as edhe një ditë tjetër. Ecim tutje”, shtoi më tej Sahatçiu.

Bordi i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, sot ka shkarkuar nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv, Burim Kelmendin, me pretendimin se i njëjti ka keqmenaxhuar ndërmarrjen.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shkruar në Facebook se i njëjti është shkarkuar pasi nuk ka realizuar objektivat për rritjen e kapitalit të kompanisë.

Gjithashtu bëhet e ditur se të njëjtat janë gjetje edhe të Zyrës Kombëtare të Auditorit, e cila ka gjetur shumë shkelje të rënda për kompaninë, si pasojë e marrjes së vendimeve përtej kompetencave të Kryeshefit Ekzekutiv, pa aprovim nga Bordi i Drejtorëve.

Vendimi për shkarkimin nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv ka hyrë në fuqi sot.

Shkarkohet kryeshefi i kompanisë së mbeturinave ‘Pastrimi’