Dëmtohen mbrojtëset e borës në Sallën e Edukatës fizike në Bresanë të Dragashit

Në redaksinë e KALLXO.com kanë ardhur disa fotografi të Sallës së Edukatës fizike në fshatin Bresanë të Dragashit.

Këto fotografi shpërfaqin mbrojtëset e borës të cilat janë dëmtuar.

Për të kuptuar se çfarë saktësisht ka ndodhur në çatinë e kësaj Salle, në të cilat janë të vendosura mbrojtëset e borës dhe se a ka pasur nxënës apo qytetarë të lënduar, KALLXO.com iu drejtua me pyetje Komunës së Dragashit.

Në një përgjigje me shkrim, kryetari i Komunës, Bexhet Xheladini ka thënë se nuk ka rrezik nga bora në afërsi të kësaj Salle për shkak se është vend i rrethuar, sepse aty afër po ndërtohet një Çerdhe.

Megjithatë ai pranon se mbrojtëset janë dëmtuar dhe shton se mbrojtëset në fotografitë e pranuara në KALLXO.com janë larguar.

“Kulmi i Sallës së Fiskulturës në fshatin Bresanë ka 185 metër gjatësi mbrojtëse të borës. Komuna do të shikojë mundësinë e vendosjes dhe të një rendi të mbrojtëseve në të dy anët e kulmit, si dhe do t’i sanojë të gjithë borëmbajtësit e dëmtuar nga Operatori Ekonomik, i cili i ka kryer punimet, pasi që ato kanë ende garancion. Pjesa e dëmtuar dhe vendosja e mbrojtëseve të reja nuk ka mundur të riparohet, sepse një ditë pasi ato janë dëmtuar ka rënë borë deri 50 centimetra. Dhe sot e kësaj dite vazhdon të bie.” – thuhet në përgjigjen me shkrim nga Bexhet Xheladini, Kryetar i Dragashit.

Tutje, Xheladini shton se pasi të shkrihet bora do të përgatitet paramasa dhe parallogaria e punimeve për të filluar procedurat e prokurimit.

Për telashet e kësaj Salle me mbrojtëset e borës ka reguar edhe asamblisti i PDK-së në Dragash, Driton Ademi.

Ademi në reagimin e tij, në të cilin ka bashkangjitur edhe një fjalim nga Kuvendi Komunal, thuhet se ky problem me mbrojtëset e borës ka ndodhur edhe më herët.

“Rreziku për nxënësit dhe banorët vazhdon të jetë i pranishëm deri në marrjen e masave të duhura. Ky është tashmë rasti i dytë që mbrojtëset e vendosura dështojnë në funksionin e tyre, për shkak të cilësisë së dobët dhe zbatimit të punës vetëm për sy e faqe.” – shkruan Ademi.

Për këtë Sallë është diskutuar edhe në emisionin ‘Debat Përnime’ në shtator të vitit 2024.

Në gusht të vitit 2024, kryetari i Komunës shkruante “Salla e Edukatës fizike në SH.F.M.U ’28 Nëntori’ në Bresanë” e gatshme me të gjitha pajisjet para fillimit të vitit të ri shkollor”.

Më 04.09.2024, pas fillimit të vitit shkollor, ekipi i KALLXO.com doli në terren për të parë punimet e kryera në këtë Sallë.

Salla nuk po përdorej nga nxënësit, pajisjet sportive mungonin, muret kishin marrë lagështi e po ashtu rridhte edhe uji.

Për gjetjet e KALLXO.com, kryetari Xheladini në “Jeta në Komunë” tha se punimet nuk kanë përfunduar ende.

“Është tash tenderi i fundit, kanë fillu punimet. Të gjitha punët e parkyera, kryhen brenda dy javësh.” – deklaroi Xheladini në ‘Jeta në Komunë’.

Si i shkuan Bexhet Xheladinit të Dragashit projektet që i promovoi në rrjete sociale?