Dollap per nxenes

Çantat e rënda - Nis furnizimi me dollape për nxënësit e ciklit të ulët në shkollat e Prishtinës

Komuna e Prishtinës ka nisur furnizimin me dollape të fëmijëve për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën.

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati bëri të ditur se kanë marrë shumë ankesa nga prindërit për peshën e rëndë të çantave.

“Mëngjes tejet i lumtur sepse sot po fillojmë furnizimin me dollape të fëmijëve për klasët e para deri në klasët e pesta. Në çdo takim me prindërit e fëmijëve të kësaj grupmoshe kam marrë ankesa për peshën e rëndë të çantave”-  ka shkruar Murati.

Musmurati tutje shtoi se sipas një hulumtimi, nxënësi i klasës së parë bart çantë mbi 4 kilogramë, gjë që është në kundërshtim me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Sipas një hulumtimi të bërë nga një shkollë fillore e Prishtinës, nxënësi i klasës së parë, që ka peshë trupore rreth 23 kilogramë, e bart çantën mesatarisht 4 kilogramë e 170 gramë. Ndërsa, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pesha fizike që bartin fëmijët nuk duhet të jetë mbi 10 përqindëshin e peshës trupore të fëmijëve, pra 2.3 kilogramë”- theksoi Musmurati.

Drejtoresha e Arsimit bëri të ditur se dollapët janë prej metali dhe të përshtatshëm për fëmijë. Projekti do nis me shkollat ‘Hasan Prishtina’, ‘Ismail Qemali’ dhe ‘Naim Frashëri’ për të vazhduar me të gjitha shkollat.

“Pasojat në shëndet prej çantave të rënda janë të mëdha, prandaj edhe kemi reaguar që të ruajmë shëndetin e fëmijëve. Kemi blerë dollapë metalik që i rezistojnë kohës dhe që janë tejet të përshtatshëm për fëmijë. Po fillojmë me shkollat Hasan Prishtina, Ismail Qemaili dhe Naim Frashëri që të vazhdojmë në të gjitha shkollat e Prishtinës”- njoftoi Musmurati.