Foto: Bletë, Komuna e Prishtinës

Bletarët lënë disa fshatra të Prishtinës pa dezinsektim hapësinor

Komuna e Prishtinës javën e kaluar ka filluar dezinsektimin hapësinor të zonave urbane dhe rurale.

Dezinsektimi është bërë për disa ditë radhazi, duke u nisur nga lagjet Pejton, Aktash, Parku i qytetit, Qendra e qytetit, Vellushë, Tophane, Lagjja e Muhaxherëve dhe tek Vneshtat.

Procesi ka vazhduar edhe me lagjet tjera dhe disa fshtara të Prishtinës.

Mirëpo, jo të gjitha zonat rurale janë përfshirë në procesin e dezinsektimit.

Edhe pse komuna ka kapacitet për të gjitha fshatrat, disa prej tyre për shkak që kanë shumë bletë nuk kanë pranuar dezinsektimin.

Kështu deklaroi për KALLXO.com Bujar Gashi, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës.

“Dezinsektimi hapsinor është projekt për kryeqytetin dhe fshatrat përrreth, ka kapacitet për të gjitha fshatrat, mirëpo disa prej tyre për shkak se kanë shumë bletë nuk pranojnë që të bëhet dezinsektimi në fshatrat e tyre”, tha Gashi.

“Përtej kësaj, ne kemi biseduar me disa prej tyre dhe jemi afër mirëkuptimit që edhe këto të përfshihen në dezinsektim”, shtoi tutje Gashi.

Kurse, sa i përket dezinsektimit nga ajri, Gashi ka thënë se nuk është në plan një mënyrë e tillë për tani.

Më poshtë gjeni zonat urbane dhe rurale që kanë qenë pjesë e dezinsektimit.