Besim Ilazi sfidohet me projektet që i ka promovuar
Në emisionin “Jeta në Komunë” monitorohen edhe punët e kryera nga kryetarët e komunave të Kosovës.
Projektet e promovuara nga ta në rrjetet sociale, verifikohen në terren nga hulumtuesit e KALLXO.com, nëse janë kryer ashtu siç edhe janë promovuar.
Edhe Besim Ilazi i Kaçanikut, ngjashëm si kryetarët tjerë, u përballë me gjendjen e projekteve që i ka promovuar.
“Jeta në Komunë” gjeti se projekti i sheshit të qytetit që u promovua prej tij, kishte mungesë të shportave të mbeturinave, kishte pak gjelbërim, mungonte ndriçimi publik, si dhe një pjesë e tij ishte e mbushur me bërllok.
Valon Raka, nga OJQ ‘Gjethi’ në këtë komunë tha se mungesa e gjelbërimit në shesh është problematike edhe për qytetarët.
“Me sa dimë ne, për këtë shesh nuk ka pasur as dëgjim publik’ – deklaroi Raka.
Ilazi në anën tjetër tha se ndoshta edhe ka qenë më mirë të bëjnë dëgjim publik për sheshin.
“E pranoj fajin kësaj radhe sepse na ka ik. Kur është faji im nuk kam çka e diskutoj” – deklaroi Ilazi.
Në terren u kontrolluan edhe sallat e sporteve të shkollës “Vëllezërit Çaka dhe Feriz Guri”, si dhe të shkollës në fshatin Begracë.
Këto salla u gjet se janë të ngushta, me shtylla të betonta- gati ngjitur me fushën dhe me dysheme jo adekuate.
Salla e shkollës në Begracë kishte edhe mungesë të ujit e ajo e shkollës “Vëllezrit Çaka dhe Feriz Guri’ kishte marr lagështi.
Për sallën e shkollës “Vëllezërit Çaka dhe Feriz Guri”, kryetari i Kaçanikut tha se ishte projekt i Ministrise, ndonëse vet e promovoi në rrjetet sociale. Kurse për atë të shkollës në Begracë tha se e merr përgjegjësinë nëse ka diçka që nuk shkon me të.
“Projektet tash nuk po bëhen me laminat por me këtë materialin e ri. Uji qe problemi” – tha Ilazi.
Projekt tjetër i promovuar nga ana e tij ishte edhe salla e leximit në ‘Shtëpinë e Kulturës’. Aty u gjet se në tavan ka lagështi.
Lagështi kishte edhe në murin e muzeut i cili ende nuk është funksionalizuar në Kaçanik.
Për këto dy projekte, që gjenden në të njëjtin objekt, Ilazi thotë se kanë probleme me kulmin e objektit.
‘Para nja 6-7 vjetësh nga Komisioni Europian u financua kulmi i Shtëpisë së Kulturës. Kemi dërguar vërejtje, por po pikë ende. Kulmi është ai që është, ne i kemi pjesën brenda. Vjet e kemi rregullu por tash po pikë diku tjetër’ – deklaroi Ilazi.
Qendra e Mjekësisë Familjare në Doganaj ishte promovuar në prill të vitit 2024, por që ekipi i KALLXO.com gjeti se në objekt ka çarje të mureve, ka lagështi në mure dhe se radiatorët kanë krijuar korozion.
Për këtë, Ilazi thotë se ka garanci dhe se do të rregullohet.
‘Duke qenë se është pranu para pak muajve, e ka garancionin 1 vjeçar, kompania do ta rregulloj’ – shtoi ai.
Projekt tjetër i promovuar nga qeverisja komunale ishte edhe rruga ‘Idriz Seferi’.
Në këtë rrugë u gjet se pusetat kanë hyrë nën nivelin e rrugës, trotuari nuk ishte përfunduar dhe se disa anësore ishin dëmtuar.
Ky projekt, sipas Ilazit ende nuk ka përfunduar.
‘Kjo rrugë ka filluar në vitin 2016. Për shkak të punimeve të tunelit nga Infrakosi në magjistrale kanë kërku që me e shtru sa më shpejtë. Nuk ka përfundu ende’, tha Ilazi.