Jeta ne Komune - Kryetari i komunes se Kacanikut - Besim Ilazi - FOTO Fatrion Ibrahimi

Bërllogu e infrastruktura e shkollave, pasqyra e qeverisjes së Besim Ilazit 

Duke qenë në mesin e dhjetë komunave të para për performancë komunale, Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi tha se ndihet krenar për punën që ka bërë në komunë.

Megjithatë, hulumtimet në terren e opozita komunale e sfiduan kryetarin me problemet e qytetit të vogël dhe mosmbajtjen e premtimeve zgjedhore.

Në debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës ishte Ilazi ndërsa të ftuar ishin edhe asamblistët Adnan Reka nga Lëvizja Vetëvendosje, Albana Lika asambliste e pavarur, Selim Reka nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Bekim Koxha nga NISMA, Kjani Sallahu Kryetar i Forumit të OJQ-ve të Kaçanikut, Valon Raka nga OJQ Gjethi dhe Rabije Sallahu asambliste nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ilazi  u sfidua me premtimin kryesor të cilin e kishte dhënë në zgjedhjet e fundit lokale, atë të rregullimit të infrastrukturës shkollore për nxënësit të cilët vijojnë mësimin në komunën që Ilazi drejton tash e tetë vite.

Gjendja e mureve brenda dhe jashtë shkollës fillore në qendër të Kacanikut “Emin Duraku”, paralelet e ndara të shkollës “Emin Duraku” në Lagjen Dushkaja, tualeti jashtë oborrit në fshatin Gajre, dyshemeja e pa rregulluar në një shkollë në fshatin Dubravë janë vetëm disa nga temat të cilat u diskutuan në debat.

Besim Ilazi u përball edhe  me pyetjet për infrastrukturë të keqe të shkollave të Kaçanikut, nepotizmin në arsim, largimin e deponive ilegale, ujin e pijshëm, kanalizimin e të tjera.

Kaçaniku me shkolla pa tualete funksionale

Ndërtimi dhe rregullimi i problemeve të cilat i kanë shkollat e komunës që drejtohet nga Ilazi ishte një ndër premtimet kryesore të tij.

“Në fokus kemi përmbylljen e infrastrukturës shkollore” ishte një pjesë e deklaratës së Besim Ilazit në zgjedhjet e vitit 2017.

Komuna e Kaçanikut numëron 15 shkolla ndërsa disa prej tyre kanë edhe paralele të ndara nëpër fshatra si Gajre, Lagjja Dushkaja, e në Strazhë. Edhe pse pa numër të saktë Komuna e Kaçanikut i ka thënë KALLXO.com se ka shkolla që nuk kanë dalje emergjente e cila mund të përdoret në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore. 

KALLXO.com ka vërejtur se në tri raste, pra tri shkolla edhe pse janë renovuar ndërvite prapë kanë probleme infrastrukturore. Mure të prishura, fole të dallëndysheve të vendosura në cdo cep të shkollës, shkolla pa banjo funksionale janë hasur në terren gjatë hulumtimit në Komunën e Kaçanikut. 

Nxënësit e shkollës fillore në fshatin Gajre, përdorin si tualet një aneks i cili nuk mirëmbahet, nuk ka letër higjienike, as dyer, as sapun e madje as ujë.

Shqetësimin për këtë e ngriti edhe përgjegjësi i shkollës “Idriz Seferi”, Ekrem Spahiu.

“Ka qenë një grumbull i dheut që është rregullu para pak kohës. Është e vërtetë që jemi duke pasur telashe me prokurorim, ja ku i kam të dhënat, procedurat e prokurimit janë udhëheq me 18.06.2020 zyrtarisht dhe ende nuk kemi mujt me zgjedh kompaninë”, ishte arsyetimi i Ilazit përballë Jeta Xharrës në lidhje me tualetin e shkollës në Gajre.

“Çka ka punë me prokurim për ujë e sapun”, ishte pyetja e Xharrës drejtuar Ilazit i cili tha se nuk e besonte që mungonin mjetet higjienike nëpër shkolla.

“Të dhënat që i kemi është se të gjitha shkollat janë të furnizuara mirë, ndoshta ka qenë ndonjë neglizhencë e ndonjë zyrtari aty. Unë do të merrem personalisht me këtë rast që po thoni ju. Jam i bindur që të gjitha shkollat janë të pajisur me të gjitha pajisjet”, tha Ilazi.

Ilazi vazhdoi të arsyetonte mungesën e tualeteve brenda shkollës duke thënë se problemi qëndron te rrjeti i kanalizimit, ku nuk është e lidhur edhe shkolla në Gajre.

“Tualetet janë brenda por nuk janë të funksionalizuara për shkak të kanalizimit. Na duhet një 50 metra gjatësi ku futet në gropën skeptike dhe pikërisht kjo na ka blloku”, tha tutje Ilazi.

Kryetari vazhdoi të tregojë se problemet me infrastrukturën shkollore në Kaçanik kanë qenë vazhdimisht ndërsa shton se “tash ka fillu gjendja të përmirësohet”.

Gjendja e shkollës “Emin Duraku” në lagjen Dushkaja, Foto: Gentiana Ahmeti- KALLXO.com

Një gjendje jo e mirë me dyshemenë është hasur në një shkollë në fshatin Dubravë më saktësisht në lagjen “Suponicë”.

Insektet brenda shkollës në lagjen “Suponicë”, Foto: Gentiana Ahmeti-KALLXO.com

Kjo shkollë në të cilën nxënësit mësojnë në mënyrë të kombinuar, kanë probleme me dyshemenë e cila nuk është rregulluar dhe materiali i cili është i vendosur mbi dysheme mbledh lloje të ndryshme të insekteve të cilat shfaqen herë pas here brenda shkollës.

“Kjo është paralele e Dubravës, ku mësojnë nxënësit me mësim të kombinuar. Ka diku 24 nxënës. Vetëm dyshemeja është pa rregullu dhe ende nuk është përzgjedhur kompaninë fituese. Nuk e kam idenë se kur do të kryhet kjo, në momentin kur kthen përgjigje OSHP ne do të bëjmë nënshkrimin e kontratës për kompaninë”.

Kryetari Ilazi në debatin “Jeta në Komunë” u përball edhe me çështjen e nepotizmit në arsim.

Asamblistja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rabije Sallahu ngriti çështjen e punësimeve partiake në konkurset e hapura kohëve të fundit në arsim.

Asamblistja e AAK-së në Kaçanik, Rabije Sallahu

“Pika kryesore në arsim në Kaçanik është nepotizmi. Për të tretin mandat radhazi kryetari premton se nuk do të ketë nepotizëm. Kjo është vazhdimësi e punës së tij, në çdo konkurs që hapet nëpër shkolla duhet të jenë patjetër aktivist apo strukturë e PDK-së”, ishte problemi që ngriti Sallahu deri sa kërkonte nga kryetari të dijë se deri kur do të vazhdonte kështu.

“Jo Jeta, në fakt meqenëse Drejtori i Arsimit është apartiak, me i marr konkurset jam i bindur që mua militantët e partisë do të më akuzojnë”, tha Ilazi.

Ilazit iu disa nga drejtorët e shkollave në Kaçanik të cilët e kishin konfirmuar përmes telefonit se ishin simpatizantë të PDK-së.

“Në Kaçanik PDK e ka pushtetin që 21 vite, është e vërtetë ndoshta ka edhe që janë pranu që kanë qenë të PDK-së dhe kanë kalu në parti të tjera. Nuk do të thotë që ata janë në struktura udhëheqëse”, shtoi Ilazi.

Por debati nuk u ndal me kaq, Sallahu u përkujdes që t’i kujtonte kryetarit Ilazi se në një konkurs këtë muaj ishte punësuar gruaja e një personi i cili është në strukturë kryesore të PDK-së.

“Unë kam qenë aplikonte në atë konkurs dhe kam pyetur se cilat kritere duheshin për pjesëmarrje në atë konkurs. Mirëpo konkursi nuk ka shku as sipas udhëzimit administrativ dhe është marrë ajo që ka pasur vetëm bachelor i edukimit ndërsa ka pasur kolege të mia që kanë qenë të diplomuara me master”, tregoi për konkursin Sallahu.

Punësimin e simpatizantëve të PDK-së e arsyetoi Ilazi duke u përgjigjur se “mund të ndodh edhe kjo, unë njoh të PDK-së a duhet me i përjashtu unë të gjithë?”.

Mbeturinat që prishin pamjen e gjelbërimit në Kaçanik

Me premtimin se do të ketë ne fokus menaxhimin e mbeturinave duke hartuar një projekt për menaxhimin e tyre, Besim Ilazi kërkonte votat e qytetarëve të Kaçanikut në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në fund të vitit 2017.

Komuna e Kaçanikut ka thënë se në 10 fshatra nuk bëhet mbledhja e mbeturinave.

Në anën tjetër, kryetari Ilazi u ballafaqua me gjendjen në terren dhe deponitë e mbeturinave të cilat iu shfaqën gjatë debatit “Jeta në Komunë.

Në fshatrat Llanishtë, Nikaj, Ivajë por edhe në rrugën “Idriz Seferi” në qendër të Kaçanikut, janë identifikuar disa nga deponitë e mëdha të mbeturinave të cilat kundërmojnë dhe për banorët kundërmimi është i padurueshëm.

Deponia e mbeturinave në fshatin Llanishtë, Foto: KALLXO.com

“Këtu (fshati Llanishtë) kemi lejuar hedhjen e mbeturinave inerte, për shkak të lëvizjes së asaj pjese por njerëzit e pandërgjegjshëm shpesh herë e kanë keqpërdorur dhe mund të them se kemi diku 9 gjoba mandatarë sa janë dhënë dhe një e kemi për gjykatë dhe kemi disa vërejtje 11 vërejtje për qytetarë për hedhje të mbeturinave”, u përgjigj Ilazi.

Ilazi arsyetoi edhe mbledhjen e mbeturinave në fshatin Nikaj.

Deponia me mbeturina në fshatin Nikaj, Foto: Adelinë Ahmeti-KALLXO.com

“Në fakt nga inspektori që kam raporte, dalëngadalë janë duke u eliminuar mbeturinat, deponite dhe po shpresojmë që edhe kësaj deponie të i vije radha për të larguar. Kemi edhe në fshatra tjera deponi të mbeturinave sepse nuk e kemi mbulueshmërinë në të gjithë zonën”, vazhdoi tutje Ilazi.

Ndërtimet pa leje

Komuna e Kaçanikut që nga viti 2017 ka identifikuar 25 ndërtime pa leje ndërsa sipas një përgjigje nga ana e kësaj komune, për ndërtimet pa leje në vitin 2019 nuk është dhënë asnjë gjobë e në anën tjetër nuk janë dhënë shifrat e kërkuara nga KALLXO.com për gjobat e tjera për ndërtimet pa leje.

Çështja e ndërtimeve pa leje u ngrit nga ana e asamblistit të NISMA-s, Bekim Koxhës i cili përmendi edhe mbindërtimet.

Jeta ne Komune – Asamblistet e komunes se Kacanikut – Foto: Fatrion Ibrahimi

“Te ndërtimet pa leje, unë e di që ka plot që janë duke u ndërtuar. Pse ka mbindërtim dhe mbindërtimi është shkelje ligjore për të cilën ti nuk je kanë në gjendje me ndalë mbindërtimin”, ishte ankesa e Koxhës drejtuar Ilazit.

Indikatorët e performancës

Kaçaniku është radhitur e shtata sa i takon performancës komunale sipas Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Përqindja e Komunës së Kaçanikut është 71.74 për projekte komunale në fusha të ndryshme.

Kjo komunë hynë në mesin e 13 komunave që kanë treguar performancë dhe që ka kaluar përqindjen më të lartë se 66 deri në 80 për qind.

Në fushën e parë të cilën ka raportuar MAPL, atë të shërbimeve administrative Kaçaniku qëndron në vendin e 8 nga përqindja më e vogël, pra me gjithsej 65.78 për qind në fushën e operimit të shërbimeve administrative komunale

Në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, Kaçaniku është radhitur në vendin e 25 me gjithsej 62.1 përqind.

Duke pasur parasysh terrenin malor, Komuna e Kaçanikut ka probleme edhe me vërshime ku sipas të njëjtës komunë, vërshime kanë ndodhur në në vitin 1916, 1961, 1976, 1979, 2005, 2017 dhe në vitin 2018 ku ka pas dëme të konsiderueshme në të mira materiale dhe dëme në infrastrukturë.

Në menaxhimin e fatkeqësive natyrore, Komuna e Kaçanikut është radhitur e 24 në raportin e Ministrisë së Pushtetit Lokal me gjithsej 82.7 përqind.

Edhe për planifikimin hapësinor, Kaçaniku është radhitur në vendin e 15 me 50.9 përqind.

Komuna ku nuk funksionojnë Qendrat e Mjekësisë Familjare

Në QKMF në Kaçanik janë të punësuar katër mjekë familjarë, ndërsa sipas zëvendësdrejtorit të QKMF-së, Ekrem Dullovi, kjo Qendër ka nevojë edhe për 10 mjekë të tjerë familjarë.

Në anën tjetër përveç QKMF-së, mungesë të personelit është vërejtur edhe në AMF-të të cilat gjenden në fshatrat e komunës.

Ambulanca në fshatin Strazhë e mbyllur, Foto: KALLXO.com

Këto ambulanta mjekësore nuk funksionojnë ndërsa një gjë të tillë e ka konfirmuar në debatin Jeta në Komunë” edhe kryetari Besim Ilazi.

“Është e vërtet që në çdo fshat kemi AMF, sidomos në kohën e pandemisë por edhe më herët për shkak të mungesë së personelit të kualifikuar ne jemi munduar që përmes QKMF dhe QMF t’i dërgojmë mjekët në vizitë herë pas herë ndërsa ambullantat thuajse të gjitha janë pa mjek dhe rrallë najher që na jepet mundësia për me dërgu mjek për vizita. Në fakt ku do që ka nëpër fshatra që ka banorë shumë asnjë AMF nuk funksionon. Kur kemi pasur mundësi me dërgu mjek një herë në javë dy herë në javë varësisht kur kemi pasur mundësi”, ishte arsyetimi i Ilazit për mbylljen e ambulantave.

Ilazi dha përgjigje edhe për konkursin e anuluar për vozitës të autoambulancës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kaçanik.

“Kemi pasur 9 mjek familjar tash i kemi pesë. Konkursin për vozitës të autoambulancës është anuluar për shkak të parregullsive dhe e kemi anulu por shpresojmë që shumë shpjet të hapet jo vetëm për vozitës por edhe për motra medicinale”, tha Ilazi.