Foto: KALLXO.com

Banorët në lagjen "Kalabria" në Prishtinë në hall me ujërat e zeza (VIDEO)

Banorë të lagjes “Kalabria” në Prishtinë në ndërtesat e njohura si “Kullat e arabëve” për shumë vite kanë problem me ujërat e zeza që u depërtojnë në bodrume.

Gjendja më e rëndë është në bodrumin e’ Kullës së gjashtë’, ku mblidhen ujërat e zeza të disa banesave tjera.

Sipas tyre, këtu duhet të bëhet rrjet i ri kanalizimit dhe pusetave.

Komuna në këtë zonë para dy vitesh kishte hapur një pusetë, por nuk kishte bërë ndërhyrje në gypat e kanalizimit.

Për të hyrë në bodrum të kësaj ndërtese duhet të përdoren çizme.

Banorë e kësaj ndërtese thonë se mjetet që u ndanë për këtë problem janë shpenzuar në pjesë tjera të lagjes.

Rrezik tjetër për këta banorë është edhe rrejti i Termokos-it që gjendet në bodrum të ndërtesës.

Shaban Rexhepi, banorë i kësaj ndërtese tha se, problem kryesor e kanë bllokimin e kanalizimeve që sipas tij ka qenë kështu që prej kur ai banon aty.

“Problemi kryesor këtu është bllokimi i kanalizimeve dhe mbushja e bodrumit me ujëra të zeza. Ka shumë vite që përballemi me këtë problem, unë kam 6 vite që jetoj këtu dhe kjo ka qenë gjendja”, tha ai.

Rexhepi tutje tha se nuk mund ta shfrytëzojnë garazhin dhe i mundon era e rëndë edhe në brendësi të banesës.

“Kjo është shumë problem për ne, pasi si fillim nuk shfrytëzohen këto garazhe, pastaj ka njerëz që kanë investime të mëdha dhe era e rëndë që depërton edhe në brendësi të banesës”, shtoi tutje ai.

Rexhep Zota i cili ka depo në këtë ndërtese tha se, vazhdimisht ka blerë pompa për ta larguar ujin.

“Unë jam që nga fillimi i objekteve, kam pasur lokale, kurse tani vetëm depo. Ky problem është që shumë vite, që të mos them që nga fillimi. Në vazhdimësi unë kam blerë pompa dhe çizme për ta mirëmbajtur këtë ambient, por është e pamundur. Jam dëmtuar shumë herë. Kërkesa kemi pasur shume, por nuk janë bërë punime”, tha ai.

Zota tutje tha se këtë ndërtesë e ka punuar një investitor i Egjiptit por që pas vdekjes se tij punët nuk janë përfunduar.

Ai tutje shtoi se, nga komuna i kanë thënë se do bëhen ndërhyrje dhe janë ndarë mjetet, por deri tani nuk ka diçka në teren.

“Këtu ka qenë investitor një kompani e Egjiptit, pronari vdiq dhe investimi ka mbetur në gjysmë. Janë bërë ndoshta tre vite që i jam drejtuar komunës me shkresë të cilët më kanë thënë se do ndajnë mjete. Me ekipin e inxhinierëve në komunë i kemi bërë disa paramasa për rrjet të ri të kanalizimit dhe pusetat të rregullohen, mjetet janë ndarë dhe sipas gjasave edhe tender është shpallur, por ne nuk i kemi parë ato investime”, tha ai.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga Drejtoria e investimeve kapitale dhe menaxhimit të kontratave në komunë lidhur me këtë problem, por nuk është dhënë ndonjë detaj deri në publikim të lajmit.

Në ndërkohë, problem i kamotshëm i kësaj lagjeje është edhe kolektori i ujërave të zeza.

Kallxo.com ka raportuar edhe më herët për punët e lëna në gjysmë për ndërtimin e tij, pasi komuna ka problem me pronarin e tokës.

Ndërsa, në projektbuxhetin e këtij viti është në plan që të fillojnë punimet në këtë kolektor i cili lidhet nga lagjja “Mati 1”.

Ndërtimi i kolektorit pritet të nis me projektin për “Rrugën A”.