Banorët e lagjes ‘Kalabria’ protestojnë para MMPHI, kërkojnë mos-shfuqizimin e planit rregullues

Banorët e lagjes ‘Kalabria’ në Prishtinë kanë protestuar para Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për mos shfuqizim të planit të hollësishëm rregullues që u miratua në nëntor të vitit 2021 nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës.

Komuna e Prishtinës të premten më 18 mars në seancën e rregullt të Kuvendit Komunal ka futur si pikë të rendit të ditës, propozimvendimin për anulimin e vendimit për miratimin e planit rregullues të hollësishëm për lagjen “Kalabria”, që u miratua më 12.11 2021.

E gjitha kjo nën arsyetimin se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e kishte kthyer për rishikim në Kuvend Komunal pasi nuk përputhej me hartën zonale dhe Planin Zhvillimor Urban dhe komuna po ashtu e pa si të jashtligjshëm procedurën si u miratua plani.

Basri Krasniqi, banor i lagjes “Kalabria” kërkoi nga ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu që të pengojë anulimin e vendimit të ish qeverisjes në Prishtinë.

Sipas tij, kjo lagje ka 15 vite që po e priste miratimin e këtij plani.

“Ne si banorë të lagjes “Kalabria” jemi të pakënaqur me  shfuqizimin e planit rregullues të hollësishëm që po presim që 15 vite. Ky plan u miratua nga Shpend Ahmeti. Është në pyetje kolektori që duhet të mbulohet. Ne jemi të kënaqur me koeficientin 2.4 që është përcaktuar me këtë plan”, ka thënë Krasniqi

Ai tha se nuk kanë asgjë kundër kryetarit Përparim Rama, por e dinë që një plan i ri për lagjen do merr kohë edhe shumë vite.

“Kryetari na ka premtuar që deri në shtator ky projekt do kryhet, ne nuk e besojmë këtë pasi kemi pritur shumë vite”, ka thënë tutje Krasniqi.

Gani Kqiku po ashtu banor i kësaj lagjeje tha se anulimi i këtij vendimi po bëhet për interesa të disa personave.

“Qe disa vite ky plan nuk ka hyrë në fuqi, vitin e kaluar u votua nga 51 deputetë. Aty ka interesa të personave që kanë shumë para. Ne do protestojmë kështu edhe të premten tek komuna, pasi kjo pikë për anulim të vendimit është pikë e rendit të ditës”, shtoi Kqiku.

Me shumë pankarta në duar ku bëhej thirrje për problemet që ka kjo lagje, banorët deklaruan se Ministri, Liburn Aliu duhet të bëjë çmos që të mos shfuqizohet ky plan.

Ata thonë se janë të kënaqur me planin që u miratua në nëntor të vitit 2021 dhe nuk duan që të zbritet koeficienti i ndërtimit, nga 2.4 sa u miratua nga qeverisja e kaluar.

Izedin Bytyqi, sekretar në MMPHI priti në takim disa përfaqësues të kësaj lagjeje për të shpalosur problemet që kanë.

Pas takimit, Besim Krasniqi, përfaqësues i lagjes deklaroi se nga MMPHI topin e kanë hedhur tek komuna, pasi vetëm kjo e fundit mund ta largojë nga rendi i ditës anulimin e plotë të këtij plani.

Sipas tij, përgjigja nga MMPHI dhe MAPL për këtë vendim është kther me vonesë.

“Miratimi i këtij vendimi është dërguar në MAPL dhe MMPHI por përgjigja prej këtyre të fundit nuk është kthyer me afat, komuna pas 15 ditësh e ka futur në gazetë zyrtare dhe është bërë i ligjshëm ky vendim. Tani është në dorë të komunës çdo vendim që merret”, ka thënë Krasniqi.

“Edhe në MAPl kemi pas takim, na premtuan që nëse ka  vendim tjetër  do na kthejnë përgjigje me kohë”, shtoi tutje ai.

Në protestën e banorëve më 9 mars para komunës, kryetari Rama kishte pritur në takim disa prej tyre dhe deklaroi se komuna do punoj për të mirën e lagjes.

Sipas tij, aspekti procedural për miratim të këtij plani ka qenë i jashtëligjshëm prandaj edhe është anuluar. Ai tha se koeficienti nuk do shkojë më poshtë se 2.4, por nuk dihet nëse do jenë të gjithë njëjtë.

Punimet në panin rregullues për këtë lagje kanë nisur që nga viti 2015 nga Kuvendi Komunal si dhe ka kaluar të gjitha procedurat duke mbajtur edhe shqyrtimin publik.

Në vitin 2019 është bërë edhe një plan i hollësishëm brenda tij për segmentin e kolektorit të ujërave të zeza që ka mbetur i papërfunduar dhe projekti për rrugën A.

Si pjesë të këtij plani, ish kryetari Shpend Ahmeti vendosi që të ketë barazi në pronat ku ka ndërtim të lartë dhe banim, pra barazim në koeficient të ndërtimit.

“Të kemi barazi për të gjithë, pronat ku ka ndërtim me koeficient 1.8 të bëhen 2.4 pasi shumica e lagjes karakterizohet me ndërtim të lartë. Ankesat më të mëdha të kësaj lagjeje kanë qenë që tokat në afërsi me njëra-tjetrën janë me koeficiente të ndryshme, disa 1.8 e disa 2.4”, deklaroi atë kohë Ahmeti.

Komuna po ashtu vitin e kaluar vendosi që tek blloqet ku ka Tregti, Administratë dhe Hoteleri nga P+3 të bëhen në P+5 dhe të shtohej mundësia për banim në disa blloqe.

Pra, komuna kishte vendosur indeks të njëjtë të shfrytzueshmërisë, koeficientit dhe etazhitetit.

Banorët deklaruan se një protestë tjetër do mbahet më 18 mars para komunës, ku edhe pritet të mahet seanca që ka në rend dite anulimin e këtij vendimi.