Banorët e “Bregut të Diellit” ankohen për zhurmë që u vjen nga kafiteria

Banorë të lagjes “Bregu i Diellit” i janë drejtuar zyrtarëve komunal të Prishtinës të brengosur për siç thonë “abuzimin të pronës publike dhe zhurmën që u bëhet nga lokali ‘Nido’”.

Banorët e rrethinës në këtë lagje, bregën e tyre e kanë drejtuar në Inspekcionin e Komunës, duke deklaruar se po përballen me zhurmë të vazhdueshme, sidomos në mbrëmje.

Në kërkesë ata kanë shkruar se, për lokalin “Nido”, para dy vitesh kanë dhënë pëlqim që bodrumi të shndërrohet në lokal familjar e jo të tipit të klubeve të natës, duke shtuar se nuk mund të shfrytëzojnë as hapësirën e përbashkët publike.

“Banorët e ndërtesës ku vepron lokali ‘Nido’ kemi dhënë pëlqimin para 2 vitesh që bodrumi i fqinjit të shndërrohet në lokal me kusht që të hapet ndonjë lokal i vogël pune që punon deri në mbrëmje, por asnjëherë nuk jemi pajtuar dhe nuk pajtohemi që të veproj aty lokali i tipit të klubit të natës dhe që banorëve pothuajse t’u pamundësohet përdorimi i hapësirës së përbashkët”, thuhet në shkresën e banorëve.

Gjatë kohës sa masat antiCOVID-19, kanë qenë të liruara, banorët thonë se nuk kanë mundur të hapin as dritaret për shkak të zhurmës.

Ata kanë thënë se zona ku gjendet lokali është kryesisht e qetë, prandaj kërkojnë që të mos ketë muzikë me zë më të lartë.

“Meqë kjo zonë e kryeqytetit është me banim të dendur dhe pa lokale, në përputhje me vendin dhe lejet përkatëse, ne kërkojmë që këto lokale mos të lëshojnë muzikë më shumë se lokalet e tipit familjar që gjenden në pjesët tjera të ‘Bregut të Diellit’, të punohet sipas orarit dhe ligjeve e rregulloreve tjera në fuqi, e t’i kthehet qetësia lagjes dhe normaliteti i jetës”, thuhet në kërkesën e dërguar në Drejtori të Inspekcionit.

Banorët kanë potencuar se nëse nuk merren masa, do vazhdojnë me padi ndaj të gjitha institucioneve përgjegjëse për mosveprim.

“Në rast se kjo gjendje vazhdon dhe nuk ndërmerren veprime të menjëhershme, do të detyrohemi të ngrisim padi ndaj të gjitha institucioneve dhe akterëve përgjegjës për mosveprim në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre dhe për çrregullimin e jetës, qetësisë dhe mirëqenies së banorëve të kësaj lagje”, thuhet nga banorët.

Të gjitha këto ankesa, ata thonë se i kanë adresuar edhe në Polici, por që ka vazhduar i njëjti ritëm.

Në një përgjigje për KALLXO.com nga lokali “Nido” thuhet se, për hapësirën publike kanë larguar disa shtylla të hekurit dhe material të llamarinës.

Sipas tyre, banorët kanë dhënë nënshkrime për këto punime dhe nuk e dinë përse janë duke u ankuar tash.

“Kemi qenë në Komunë te shërbimet për hapësira publike, kemi larguar nga lokali disa shtylla të hekurit dhe material të llamarinës. Domethënë nuk e di pse ankohen banorët e lagjes kur kanë dhënë nënshkrimet për të punuar”, thuhet në përgjigjen  tyre.

Sa i përket pjesës së gjelbërimit, nga “Nido” është thënë se kanë tentuar ta shtojnë atë më shumë se që kanë pasur plan me buxhet.

“Për pjesën e gjelbërimit ne kemi marr si iniciativë për të shtuar gjelbërimin më shumë se që ka qenë e rregulluar me buxhet tonin”, potencohet nga ana e tyre.

Përfaqësues të lokalit “Nido” kanë theksuar se dikush ka probleme personale me ta.

“Kemi informata se dikush e ka marr personale me neve. Mund t’ju them se jemi ndoshta lokali që i ka mbajtur më së shumti rregullat që 2 vjet të pandemisë”, është thënë nga përgjegjës të lokalit.

KALLXO.com ka pyetur edhe komunarët përgjegjës në lidhje me kërkesën e banorëve dhe për të mësuar nëse është marr ndonjë masë, por deri në momentin e publikimit të shkrimit, nga ta nuk është dhënë përgjigje.