"Balldëzka" dhe kunata - A ka në Ferizaj punësime familjare?

Asamblistja e LDK-së, Verona Isaki, në debatin “Jeta në Komunë” thotë se kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, si dhe drejtoresha e Kulturës, kanë punësuar familjarë të tyre.

‘Qysh është e mundur që balldëzka e Agim Aliut prej kontratës me Caritas ka kalu në kontratë të rregullt në çerdhe, pa konkurs? Në Komunën e Ferizajt është punësu kunata e drejtoreshës së Kulturës, zonjës Xhemile Murati-Shabani, e cila njëkohësisht është edhe asistente në Drejtorinë e Bujqësisë’ – deklaroi Isaki.

Për punësimin e baxhanakeshës së kryetarit, drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani, thotë se ka pasur konkurs.

‘Nuk është vetëm një person që është punësu por edhe të tjera. Edukatore janë 13-14 që janë punësu. Në bazë të mundësisë nga Ministria e Arsimit. Për këtë rast ka pasur konkurs që kanë apliku edhe shumë edukatore të tjera’ – deklaroi Llabjani.

Xhemile Murati-Shabani për punësimin e kunatës së saj thotë se edhe ajo është qytetare si të tjerët.

‘Ajo ka punuar tek Qendra për Punë Sociale në vitin 2016, ka punuar te çerdhja ‘Ardhmëria Jonë’ në vitin 2015, ka punuar te Gjendja Civile në vitin 2012, te Zyra e Tatimit në Pronë, te Drejtoria e Bujqësisë si dhe te Zyra e Prokurimit. Për momentin është te Zyra e Tatimit në Pronë, nëse nuk gaboj anketuese në terren. Paska aplikuar kunata në konkurs dhe ka të drejtë të konkurrojë dhe ende nuk është pranuar në punë’ – deklaroi Murati-Shabani.

www.kallxo.com