Bali Muharremaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bali Muharremaj përballë problemeve e vonesave në projektet e Suharekës

Shkolla me kabinete, infrastrukturë të rregulluar në zonën industriale e buxhet pa suficit [tepricë]ishin disa premtime me të cilat erdhi në pushtet Bali Muharremaj  në krye të Suharekës

I ftuar përballë Jeta Xharrës në ‘Jeta në Komunë’ Muharremaj u sfidua me gjendjen në terren në këtë komunë dhe premtimet që i mbajti e nuk i mbajti.

Jeta në Komunë, Suharekë. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Muharremaj u pyet për tenderët që komuna i dha  për bashëpartiakin e tij, punësimet ‘me të njofshëm’, vonimet e punimeve në sheshin e Suharekës e për Shtëpinë e Kulturës ‘Ukë Bytyqi’.

Debati nisi me punët që i ka përfunduar kryetari Muharremaj dhe ai tha që ndjehet krenar për donacionet që komuna ka përfituar, që sipas tij, ishin mbi 6 milionë euro nga donatorë të ndryshëm .

Ai tha se ka ndërtuar shtëpi për skamnorët, shtëpinë e pleqve si dhe banesa për familjarë të dëshmorëve. Muharremaj tha se ndihet krenar edhe që arriti numrin e nënshkrimeve për ndaljen e funksionimit të kazinove.

Ai tha se ndihet krenar se në Komunën e Suharekës do të ketë investime deri në 40 milionë euro, që sipas tij, nuk mbahen në mend.

Në fillim të debatit, Bali Muharremaj u sfidua me pyetjen për tenderin që e ka fituar kompania e  bashkëpartiakut të tij nga AAK-ja, Blerim Kuçi.

Në rend të parë unë s`ia kam dhanë tenderin Blerim Kuçit, ia ka nda Ligji që është në fuqi. Planifikimi ka qenë dy milionë euro, mirëpo kompania e cila ka bërë projektimin ka harru me qitë kanalizimin…Besoj që nëse nuk kalon më shumë se 1.9 milionë, atëherë ka me qenë një shesh me standarde evropiane, me infrastrukturë nëntokësore me ndriqim e me çdo sen”, tha ai.

Tutje, Muharremaj u pyet edhe për punësimin e vëllait  të ish- Drejtorit të Arsimit në Suharekë, si drejtor shkolle. Ai u përgjigj duke thënë se për atë pozitë dy herë ka pasur konkurs dhe se në fund sipas tij, Ligji e ka zgjedhur.

Më tutje, në debat u përmend edhe Raporti i Auditorit, i cili ka gjetur disa shkelje në Komunën e Suharekës, si ajo e vonimit të punimeve.

“Është e vërtetë që diku ka pengesa, ne kemi probleme edhe të pronat, ka mundësi që me u vonu. Auditimin e kemi shumë më mirë se më herët, ka ndryshime. Kështu që nuk ka mundësi prej klasës së parë me kalu në të tretën menjëherë”, tha Muharremaj.

Të parit të Suharekës iu prezantuan edhe hulumtimet mbi premtimet që i kishte dhënë e që u matën nga KRYPOMETRI. 

Në lidhje me premtimin e rregullimin e infrastrukturës në Zonën Industriale, Muharremaj tha se është duke u punuar aty dhe është në fazën përfundimtare.

Kurse me premtimin se nuk do të shkojë buxheti në suficit, e që Auditori e ka gjetur se për dy vite buxheti i Suharkës ka shkuar në suficit, Muharremaj tha se nuk është e vërtetë.

“Nuk është e vërtetë, jo 1 milion po as 100 mijë nuk janë në suficit. Unë po them që në aspektin praktik nuk ka”, tha ai.

Kurse për publikimin e listës së shfrytëzuesve të pronave komunale, që komuna i ka të publikuara pa emër e mbiemër, Muharremaj tha se Ligji nuk e lejon që të publikohen me emra dhe mbiemra.

Asamblisti nga radhët e PDK-së, Jeton Rrakaqi, ia kujtoi kryetarit të Suharekës, Bali Muharremaj, premtimet lidhur me punësimet që do të bëhen në Suharekë në mandatin e tij.

Jeton Rrakaqi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rrakaqi tregoi edhe letrën me premtimet e kryetarit për punësimet.

“E maj një letër në xhep që tri vjet, kryetari i komunës edhe shkruan ju betohem, ndryshimi ka filluar. Thotë ju betohem 500 vende pune – ekonomi biznesi, 400 vende pune – shëndetësi shërbime sociale, 300 vende pune – bujqësi dhe pylltari, 100 vende pune – arsim, 100 vende pune – administratë. Mbaje në xhep për katër vjet. A me mbajt hala në xhep a jo?”, pyet Rrakaqi.

Kësaj iu përgjigj Muharremaj duke thënë se prej marrjes së mandatit deri më tash janë bërë mbi 1000 vende pune.

“Kan hyrë mbi 1,150 vende pune, janë hap 535 biznese, kam marrë informata të sakta nga ATK, deri tash, deri në këtë moment janë punësuar 1,115”, tha Muharremaj.

Më tutje, kryetari Muharremaj u pyet edhe për parkingjet, ku  Raporti i Performancës e ka radhitur Suharekën në vendin e 24-të.

“Është dhënë një informatë gabim. Mundeni me dal në teren me e pa. Kom premtu 200, sot i kemi 430 parkingje”, tha ai.

Temë tjetër që u shtrua në këtë debat është ndërtimi i shtëpisë së kulturës, “Ukë Bytyqi”, në Suharekë. Për këtë çështje në debat u tha se kryetari Muharremaj kontraktoi kompaninë më të shtrenjtë.

Foto te shtepise se kultures

Në anën tjerë, Muharremaj tregoi pse pati vonesa.

“Në rend të parë, kur e kam marr detyrën kompania u kanë e kontraktuar, për ndërtimin e shtëpisë së kulturës, e shtëpia e kulturës ka filluar në shtator të vitit 2017, me nja tri dërrasa”, tha kreu i komunës Muharremaj.

Shtëpia e Kulturës në Suharekë – FOTO: KALLXO.com

Muharremaj tutje tha se kompania është paditur dhe i është marrë puna ndërsa është kontraktuar një kompani tjetër.

Ndërsa asamblisti Dukagjin Palushi e pyeti Muharremajn se pse kompanisë me çmimin më të lirë nuk i është dhënë kontrata.

Dukagjin Palushi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

 

“Unë nuk ia kam dhënë kompanisë më të shtrejntë, ia ka dhënë komisioni. Unë nuk e kam bo projektin”, u përgjigj Muharremaj.

Më tutje, Muharremaj u ballafaqua me gjetjet e ekipeve të KALLXO.com për nivelin e papastërtisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Në kohën e COVID-19, kjo Qendër e Mjekësisë Familjare, shihet se ka edhe mungesë të sapunëve dhe  dezinfektuesve për duar

QKMF në Suharekë – FOTO KALLXO.com

 

Lidhur më këtë çështje , Muharremaj ndjeu keqardhje dhe tha se është e pa pranueshme kjo gjendje.

“Mua më vije keq, është e pa pranueshme për mua. Përgjegjësinë e marr, edhe pse kemi pasë donacione dezinfektues, mjete higjienike mjaftë shumë me të vërtetë është e papranueshme kjo gjendje, edhe pse e kemi bërë renovimin e QMF-ve, kjo gjendje nuk pranohet”, tha Muharremaj.

Qytetarët janë ankuar edhe për rrugën dhe urën në fshatin Gelancë të Suharekës. Kalimi mbi këtë urë paraqet rrezik për banorët e fshatit e sidomos për fëmijët.

Përballë Jeta Xharrës, Muharremaj tregoi se kur pritet të rregullohen urat.

“Momentalisht deri tash i kemi kryer trembëdhjetë ura, i kem në projekt edhe katër. Nëqoftëse është rrethoja, deri në vitin e ardhshëm kur të vijmë në fushatë i ke 20 ura komplet me infrastrukturë që duhet me qenë”, tha Muharremaj.

Në debat u shtrua edhe çështja e Qendrës Zejtare tek Stacioni i Autobusëve. Pamjet nga kjo qendër tregojnë për gjendjen jo të mirë të saj.

Qendra e Zejtarëve në Suharekë – FOTO: KALLXO.com

Kreu i Suharekës Bali Muharremaj tha se pritet të dërgohet në asamble kjo çështje pasi ka dalë që nuk është pronë e komunës.

“Këtu e kemi pas një projekt këtë vit, për shkak që prona po del që nuk është pjesë e komunës, atëherë do ta vendosim me dërgu në asamble me marrë qysh e kemi marrë stacionin e autobusëve, me marr vendim edhe me përfundu këta”, tha Muharremaj.

Më tutje, asamblisti tjetër i pavarur, Bashkim Ndrecaj e pyeti kryetarin Muharremaj për ndriqimin publik në një fshat, me kabllo 2X.0.75mm, që sipas tij, nuk ishte adekuat dhe e pa përballueshme për ndriçimin publik.

Bashkim Ndrecaj. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Nuk është e vërtetë. Në mandatin tim, diku rreth 70% të fshatrave i kemi kry me ndriçim publik dhe jemi duke vazhdu”, u përgjigj Muharremaj.

Përveç kryetarit Muharremaj, prezent në studio ishin edhe asamblistët: Jeton Rrakaqi nga PDK, Aziz Bytyqi nga AAK, Nexhat Ramadani nga LDK, Dukagjin Palushi asamblist i pavarur, Bashkim Ndrecaj po ashtu asamblist i pavarur, si dhe përmes ZOOM-it pjesë e debatit ishin Herolind Bytyqi gazetar dhe Brahim Curri nga LDK.