Autobuse/Trafiku Urban

Autobusët e rinj të Trafikut Urban pritet të vihen në qarkullim në fund të 2023

Komuna e Prishtinës ka nisur procedurat e negocimit për blerjen e 30 autobusëve të rinj për ndërmarrjen “Trafiku Urban”.

Blerja do bëhet përmes një kredie prej 10 milionë eurove me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Sipas nënkryetarit të Prishtinës, Alban Zogaj, marrëveshja do të nënshkruhet këtë vit, kurse autobusët pritet të vijnë vitin e ardhshëm.

“Me EBRD po negociojmë kredinë e re, në vlerë prej mbi 10 mil EUR, për blerjen e autobusëve të rinj! Marrëveshja nënshkruhet këtë vit. Autobusët do t’i kemi në Prishtinë vitin e ardhshëm. Faleminderit EBRD, Trafikut Urban dhe kolegëve të Komunës për punën shumë konstruktive” – ka njoftuar Zogaj në Twitter.

Zogaj tutje potencoi se 6 prej këtyre autobusëve do jenë elektrikë, derisa në qarkullim pritet të jenë në fund të vitit të ardhshëm.

“30 autobusë ne total, 6 prej tyre elektrik! Procedurat e prokurimit vitin e ardhshëm! Autobusët në rrugë, potencialisht në fund të vitit 2023”- shtoi më tej Zogaj.

Ndërmarrja komunale’ Trafiku Urban’ aktualisht ka 51 autobusë (të blerë po ashtu me kredi) në qarkullim të cilët mbulojnë 7 linja.

Shtimi i flotës së autobusëve është pjesë e planit të mobilitetit për kryeqytetin.

Përmes këtij plani Prishtina do ketë 160 autobusë që do mbulojnë linjat e qarkullimit, 80 të ndërmarrjes komunale dhe 80 të kompanive private.

Komuna po ashtu ka nisur punën në reformat që do bëhen në transportin publik prej vitit të ardhshëm sa i përket linjave dhe sistemit të integruar të biletave.

Prishtina me reforma në transportin publik më 2023, paralajmërohet çmimore e re