Arben Vitia tallet me programin e Përparim Ramës, ky i fundit i kërkon të merret me plane konkrete

Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e LVV-së, Arben Vitia përmes një videoje të shpërndarë në rrjetin Facebook, ka ironizuar me planin e kundër kandidatit të tij nga LDK, Përparim Rama.

Vitia në këtë video material, shpalos planin e tij për qendrën duke u tallur me idenë e kundër kandidatit, Përparim Rama për rrënim të Stadiumit “Fadil Vokrri”.

“Na duhet shumë hapësirë për parkun, prandaj do ta rrënojmë Pallatin e Rinisë, do ta rrënojmë stadiumin. Natyrisht se nuk do i rrënojmë, natyrisht se këto janë monumente shumë të rëndësishme të historisë sonë që ne do i mirëmbajmë”, thotë Vitia në videon e tij.

Kjo shaka erdhi pas deklarimeve të kandidatit Rama se do bëjë një liqe artificial te stadiumi i qytetit “Fadil Vokrri”.

Kjo ide gjatë fushatës ishte bërë cak i talljeve të shumta në rrjete sociale, gjë për të cilën Rama kishte deklaruar se, ai e ka këtë profesion dhe ka guxim për ide të mëdha.

Lidhur më këtë tallje që i bëri Arben Vitia, kundër kandidati i tij, Përparim Rama gjatë një konference në selinë e LDK-së, i bëri thirrje Vitisë të merret me plane konkrete e jo me hajgare e kopje.

“E ftoj zotin Vitia të bëjë garë më plane konkrete dhe projekte serioze e jo me kopje të plogështa e me hajgare”, u shpreh Rama.

Ai potencoi se problemet e qytetit janë serioze dhe ashtu duhen trajtuar.

“Menaxhimi i qytetit është çështje serioze dhe duhet të merret si i tillë, po ashtu postet publike janë përgjegjësi serioze dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetareve. Duhet të merren me seriozitet e jo me hajgare”, ka thënë Rama.