Kuvendi i Kosovës - Arkiv

Tre muaj të punës së Kuvendit, i dominuar nga mazhoranca por pak ligje të miratuara

Që nga konstituimi i Kuvendit, tash e tre muaj, vlerësohet se ai ka filluar punën me ritme të ngadalta dhe për pasojë ende nuk ka arritur të publikoj as Programin e Punës për vitin 2021.

Pak projektligje të kaluara brenda kësaj periudhe, asnjë rezolutë, opozitë goxha e pafuqishme për të shtyrë para idetë e tyre, mungesa të shpeshta të deputetëve dhe funksionimi pa projeksion të punës, janë disa nga minuset më të theksuara që njohësit e fushës ia atribuojnë kastës së tetë parlamentare në vend.

Albert Krasniqi njohës i punës së Kuvendit të Kosovës nga Demokraci Plus, tha për KALLXO.com se Kuvendi është ndikuar negativisht nga vonesat e qeverisë për përgatitjen e programit legjislativ.

“Që nga konstituimi i Kuvendit në fund të muajit mars, ende nuk është publikuar Programi i punës së Kuvendit për vitin 2021, ashtu siç parashihet edhe me Rregulloren e Kuvendit dhe siç kanë qenë praktikat e kaluara. Kuvendi është ndikuar negativisht edhe nga vonesat e Qeverisë si në përgatitjen e programit legjislativ të Qeverisë ashtu edhe në respektimin e afateve për dërgimin e draft-ligjeve në Kuvend për shqyrtim dhe miratim”, tha Krasniqi.

Më 15 prill të këtij viti KALLXO.com ka shkruar lidhur me Planin Qeverisës të cilin qeveria ende nuk e kishte bërë publik dhe programin legjislativ të Qeverisë për vitin 2021 që nuk ia kishte dërguar Kuvendit.

Lidhur me këtë, kishte kritika edhe nga opozita e që vlerësohej se Qeveria po bënë zhurmë e nuk po punon.

Ndërkaq më 7 maj, Qeveria e Kosovës e ka miratuar programin qeverisës për vitet 2021 – 2025.

Krasniqi nga ‘Demokraci Plus’, ka thënë se qeveria është sponsorizuesi kryesor i ligjve, dhe në rastet kur nuk procedohen draft-ligje në Kuvend, ndikohet edhe në uljen e volumit të punëve të Kuvendit.

“Sipas programit legjislativ të Qeverisë për vitin 2021, deri në fund të muajit qershor është dashur të dërgohen në Kuvend 36 projektligje, kurse deri më tani janë dërguar vetë dy ligje dhe një marrëveshje ndërkombëtare”, tha ai.

Krasniqi ka treguar se përgjatë kësaj periudhe, Kuvendi ka dështuar të zgjedh zëvendësit e Avokatit të Popullit si dhe një anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

“Mazhoranca është marrë më shumë me shkarkime dhe emërime të anëtarëve nëpër komisione dhe borde të agjencive të pavarura, kurse opozita ka qenë më shumë e koncentruar në thirrjen e interpelancave”, shtoi Krasniqi.

Krasniqi tha se përgjithësisht fillimet e mandatit për secilën legjislaturë kanë qenë më të ngadalta, por që dy legjislaturat e fundit të Kuvendit shquhen për këtë.

“Deri më tani Kuvendi ka miratuar vetëm një ligj, atë të procedurës penale, kurse në shqyrtim të Kuvend janë edhe tri projektligje të tjera dhe një marrëveshje ndërkombëtare”, ka thënë Krasniqi.

Njohësja tjetër e punës së Kuvendit të Kosovës nga KDI, Agnesa Haxhiu, tha për KALLXO.com se për ta bërë krahasimin e kësaj legjislature me ato paraprake është ende herët për shkak të kohës, meqë kjo legjislaturë ka më pak se tre muaj që ka filluar punën.

Konstituimi është bërë me 22 mars, ndërsa Kuvendi është funksionalizuar tërësisht pas formimit të komisioneve në fillim të muajit prill.

Haxhiu ka numëruar disa anë pozitive të kësaj legjislature duke thënë se një nga to është edhe mungesa më e rrallë e kuorumit.

“Deri tani janë vërejtur disa anë pozitive të punës së kësaj legjislature në krahasim me ato paraprake sidomos dy legjislaturat e fundit ku ka pasur mungesë të theksuar të kuorumit në vendimmarrje. Kjo problematikë në këtë legjislaturë nuk është shumë e shprehur, dhe kjo për shkak të një shumice parlamentare të qëndrueshme”, tha ajo.

Haxhiu shtoi se mungesa e kuorumit në vendimmarrje në legjislaturat e kaluara (që ka ardhur kryesisht për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve në votim pavarësisht prezencës fizike) ka qenë burim i pothuajse të gjitha sfidave me të cilat është përballë Kuvendi viteve të fundit.

Tash sipas Haxhiut, me këtë shumicë parlamentare, që i ka votat të kaloj të paktën çështjet që kërkojnë shumicë të thjeshtë, i ka ndihmuar Kuvendit që të ketë funksionim më të mirë.

“Ndryshe nga e kaluara kur kishim grumbullim të pikave të rendit të ditës e bartje të tyre nga seanca në seancë për mungesë kuorumi, në këtë legjislaturë nuk ka qenë shumë i shprehur ky fenomen. Pothuajse të gjitha seancat janë përmbyllur në ditën që kanë filluar, kjo sepse edhe Kryesia nuk i ka ngarkuar seancat me shumë pika të rendit të ditës”, shtoi ajo.

Haxhiu tha se një problematikë që po e përcjellë këtë legjislaturë, ngjashëm si në ato të kaluarat, janë mungesat e shumta të deputetëve në seancë.

Ajo tha se këto veprime të deputetëve padyshim që kanë ndikuar në mbarëvajtjen e punimeve plenare.

“Për këtë kemi parë edhe një reagim nga ana e Kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca”, tha ajo.

Gjatë një seance në muajin maj, Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, rreth mungesës së deputetëve në sallë, në formë shakaje ka thënë se po përton ta përdorë fjalinë heqje të mëditjes, se pastaj sipas tij do të mbushej salla.

“Po përtoj me përdor fjalinë heqja e mëditjeve, se nuk i zë salla pastaj”, është shprehur Konjufca.

Haxhiu shtoi se deri tani janë mbajtur 15 seanca plenare duke përfshirë këtu edhe seancën konstituive, prej tyre nëntë seanca plenare, katër seanca të jashtëzakonshme dhe një seancë solemne.

“Vlen të theksohet fakti që nga debatet dhe interpelancat e mbajtura deri tash të cilat kanë qenë të iniciuara nga opozita, asnjë rezolutë e propozuar nuk është përkrahur nga Kuvendi”, tha ajo.

Sa i takon agjendës legjislative, Haxhiu shtoi se deri tani vetëm 5 projektligje janë në procedurë në Kuvend, një prej tyre është miratuar ndërsa katër të tjera janë në procedurë të shqyrtimit.

“Nga këto pesë projektligje, dy prej tyre janë nisma ligjore të Kuvendit. Duke qenë se agjenda legjislative e Kuvendit është e varur nga dinamika e punës së Qeverisë në procedimin e projektligjeve që i ka paraparë në programin e saj legjislativ, kjo ka ndikuar edhe në dinamikën e punës së Kuvendit në aspekt të ligjbërjes”, ka përfunduar Haxhiu.

Ndërkaq, Albert Krasniqi nga ‘Demokraci Plus’, tha se secili prej ligjeve që është paraparë të miratohet është i rëndësishëm pasi synohet të përmirësohen shërbimet apo të rregullohet një fushë e caktuar.

“Ta zëmë për luftimin e korrupsionit është paraparë miratimi i Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar në Mënyrë të Pajustifikueshme, për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore është paraparë Ligji për Sigurimet Shëndetësore, në fushën e arsimit Ligji për Arsimin e Lartë, në fushën e mirëqenies sociale përmes Ligjit për Banim Social”, tha ai.

Krasniqi, ka cekur edhe qasja e mazhorancës është arrogante në raport me opozitën.

“Shpeshherë ka pasur situata kur anëtarët e kabinetit qeveritar kanë ofruar ‘këshilla’ për deputetët e opozitës se si duhet të bëhet opozitarizimi apo se cilat çështje duhet të ngritën për shqyrtim dhe çfarë lloj mjeti të mbikëqyrjes parlamentare është dashur të shfrytëzohet”, ka thënë Krasniqi.

Në seancën e 27 majit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shfaqur kritik ndaj opozitës në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Kurti u shpreh i gatshëm që t’i ndihmojë opozitës për formën e kritikave, që sipas tij nuk po janë të aftë ta bëjnë.

“Ne kemi problem të madh me juve, sepse jeni të paaftë për të bërë kritikë. Qeverisja demokratike ka nevojë për kritikë të opozitës, të cilën s’po e shohim e as s’po e dëgjojmë. Andaj, më lejoni që ta shpreh gatishmërinë time për bashkëpunim edhe në këtë drejtim. Unë mund t’ju japë ide se si të na kritikoni, mirëpo ju duhet ta kërkoni një gjë të tillë”, kishte thënë Kurti.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës më 22 mars 2021, është konstituuar duke i hap rrugë formimit të qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të vendit.

Kuvendi i Kosovës ka një kryetar dhe 5 nënkryetar. Kryetar i Kuvendit është Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje. Ndërsa, ka 5 nënkryetar: Saranda Bogujevci nga LVV, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Slavko Simiq nga komuniteti serb dhe Bekim Arifi nga komunitetet tjera jo shumicë.

Ndërkaq, Grupi më i madh Parlamentar, është ai i Lëvizjes Vetëvendosje me 59 deputetë, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës 18 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës me 15 deputetë, Lista Serbe 11 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 deputetë, Grupi Multietnik 8 deputetë dhe pa Grup Parlamentar është 1 deputet.