Ministria e Kulturës, Prishtine. 21 Maj 2015. Photo: Atdhe Mulla.

Tallja e Ministrisë së Kulturës me pavarësinë financiare të institucioneve kulturore

Në fund të viti që shkoi, ish ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tash deputetja Vlora Dumoshi pati deklaruar se institucionet kulturore janë pajisur me kode buxhetore.

“Lajm i mirë është se institucionet e kulturës janë bërë me kode buxhetore dhe në 2021 do të kenë pavarësinë e plotë”, pat thënë ish ministrja Dumoshi, gjatë një takimit me drejtues të institucioneve kulturore dy ditë par viti 2021, ku prezantoi punën e MKRS-së për 2020.

Megjithatë, edhe pse në Ligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021, tek buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, institucionet janë evidentuar si nënprograme që nënkupton se planifikimi dhe shpenzimi në bazë të planifikimit, është reflektuar në tabelat e buxhetit, asgjë nuk ndryshoi sa i përket financimit të institucioneve të kulturës, në 5 muajt e këtij viti.

Përveç faktit se institucionet tashmë figurojnë si nënprograme në kuadër të procesit buxhetor të Ligjit Vjetor të Buxhetit, nuk është bërë asnjë hap në drejtim të rekrutimit të stafit të nevojshëm administrativ për funksionalizim të këtyre kodeve, për nevojat e institucioneve.

Në një përgjigje për KALLXO.com nga kabineti i ministrit të MKRS-së Hajrulla Çeku, thuhet se në mënyrë që kodet buxhetore të menaxhohen nga institucionet, nuk mjafton që thjesht të reflektohen e të figurojnë në tabelat e buxhetit.

“Kjo kërkon masa të shumta të mbështetjes administrative, teknike, logjistike dhe mbi të gjitha kërkon angazhim dhe mbështetje me resurse humane në mënyrë që institucionet të jenë në gjendje të sigurojnë zbatimin e procedurës administrative për menaxhim efektiv të kodeve. Kjo pjesa e fundit nuk ka ndodhur dhe ajo çfarë është paralajmëruar vitin e kaluar dhe së cilës i referoheni ju, në kuptimin praktik, nuk e ka përmirësuar gjendjen e rënduar me financimin e punës së institucioneve me gjithë lëvizjen në kuptimin formal që është bërë. Pra kodet janë bërë por kodet nuk janë funksionalizuar dhe kjo do të bëhet në një afat sa më të shpejt kohor që lejojnë procedurat ligjore”, thuhet në përgjigjen e MKRS për KALLXO.com.

Aktualisht, sipas MKRS, financimi i institucioneve zhvillohet sipas praktikave të mëhershme sikurse në vitet e fundit, përkatësisht operohet sipas kërkesave të institucioneve, ndërsa administrimi i kërkesave bëhet në formë të centralizuar nga ministria.

MKRS thotë se ka nisur një proces të konsultimit gjithëpërfshirës me Ministrinë e Financave, por gjithçka do të jetë brenda zgjidhjeve që lejon Ligji për Menaxhimin e Financave Publike.

Drejtues të institucioneve kulturore kanë konfirmuar për KALLXO.com se çështja e financimit vazhdon sikurse viteve të kaluar dhe se nuk i menaxhojnë vet kodet buxhetore.

“Edhe pse qysh në fillim të vitit është thënë që institucionet i kanë kodet buxhetore me ç’rast do të menaxhojmë vet me buxhet, asgjë nuk ka ndërruar në praktikë. Ende duhet çdo gjë të kaloja nëpër MKRS dhe zyrtarët e saj. Aty pastaj shkaktohen vonesa çdo herë për çdo lëndë”, thotë për KALLXO.com, Kreshnik Musolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtare të Kosovës.

Me situatë të njëjtë po përballet edhe Galeria Kombëtare e Kosovës.

“Jemi në pritje realizimit të premtimit, por ende nuk ka asgjë konkrete. Ne vazhdojmë si më parë dhe mjaft të kufizuar, me vështirësitë dhe të centralizuar. Ne e kemi kodin buxhetor si institucion, por ende jo në funksion siç është premtuar, për të qenë plotësisht të pavarur si institucion”, ka thënë për KALLXO.com, Naim Spahiu, ushtrues i detyrës së drejtorit të Galerisë Kombëtare.

Që nga pas lufta institucionet kulturore buxhetin e tyre e kanë realizuar sikurse Organizatat Joqeveritare.

Pavarësisht se ato janë institucione kombëtare me organe drejtuese, buxhetin për realizmin e programeve të tyre vjetore kanë arritur ta marrin vetëm pasi paraprakisht kanë dërguar kërkesën me shpenzimet e secilit projekt veç e veç. Ndërsa, më pas MKRS u ka alokuar buxhetin në xhirollogari në bankat komerciale.

Pikërisht kjo mënyrë e alokimit doli të jetë e paligjshme, sipas Raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, për pasqyrat financiare të MKRS për vitin 2017.

Pas rekomandimit të Auditorit të përgjithshëm, në 2018 MKRS mbylli të gjitha xhirollogaritë në bankat komerciale me të cilat janë financuar institucione e trashëgimisë kulturore, duke bllokuar tërësisht qasjen direkt të institucioneve në buxhetin e tyre.

Nga ai vit të gjitha transaksionet financiare institucionet kulturore vazhdojnë t’i kryejnë përmes departamenteve përkatëse në MKRS.